A ËSHTË KTHYER INDIVIDI, NË “VIKTIMË” TË MEDIAVE?!

Nga: Fjona Çela

studente, në Universitetin Europian të Tiranës

Media elektronike është kthyer në një forcë sunduese, kohët e fundit. Teknologjia po ecën me hapa të shpejtë, me një hov të lartë zhvillimi dhe, për pasojë, ka marrë nën zotërim mendjet njerëzore. Kjo dukuri ka ndikuar në minimizimin e leximit të medias së shkruar, por jo vetëm kaq. Sigurisht që janë të pranishme edhe pasoja të tjera…

Fjona Çela

Fjona Çela

Një ndër to, është që individët po krijonë një perceptim të gabuar për veten, duke u ndikuar gjithnjë e më shumë nga mendimet dhe gjykimet e të tjerëve, rreth tyre. Për ta dalluar këtë, është mjaft e thjeshtë. Mjafton të shohim sesi, ditë pas dite, njerëzit i “pasurojnë” profilet e tyre në rrjetet sociale. Deri këtu duket sikur nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, vlen të përmendet një detaj mjaft i rëndësishëm: Nuk është me rëndësi, sa shumë postohet, por çfarë cilësie ka materiali i postuar. Natyrshëm, lindin pyetje të tilla : A i kushton rëndësi çdo individ një fakti të tillë? A jemi mjaftueshëm të kujdesshëm, që materiali a shkrimi ynë të jetë cilësor, edukativ e kulturor?  Në shumicën e rasteve, jo. Pjesa dërmuese e autorëve mjaftohet me postimin e fotove të bukura, ku  nxjerrin në pah aftësitë e tyre “fotozhenike”  dhe janë gjithëmonë në pritje të atyre komplimenteve false, që vijnë nga komentet apo like-t e shumëpritura?!

Brezat e mëparshëm nuk kanë arritur të jenë kaq të përparuar, sa jemi ne sot. Kurrë më parë individi nuk ka qenë kaq i ekspozuar ndaj të tjerëve dhe nuk ka mundur të komunikojë kaq lirisht, në çdo cep të botës, duke sfiduar largësitë. Rrjetet sociale i ftojnë njerëzit të bëjnë gjithnjë dhe më publike jetët vetjake, duke humbur, në këtë mënyrë, sensin e privatësisë.

Kjo “axhendë” e ngjeshur po tërheq e trullosë vëmendjen dhe kohën e çdo individi, që është prekur nga një dukuri e tillë. Qeniet njerëzore e kanë në natyrë të jenë në përpjekje të vazhdueshme, për të kënaqur nevojat e tyre. Pikërisht nevoja për të qenë përdorues të medias, në ditët e sotme vlerësohet aq thelbësore, saqë mund të krahasohet me nevojat, që ka çdo gjallesë për të konsumuar ushqim. Ashtu si ushqimi kënaq ose shuan  urinë tonë, kështu priremi të bëjmë zgjedhjet edhe në përdorimin e mediave, në mënyrë që të bazohet te kënaqësia, që duam të arrijmë përmes tyre. Nisur nga kjo, arrijmë në përfndimin, se përdorimi dhe kënaqësia, që marrim prej tyre, lidhen ngushtësisht me njëra – tjetrën.

Pyetje, që shtrohet vazhdimisht, është se përse njerëzit zgjedhin media të ndryshme, për t’u informuar ose për të kaluar kohën? Çdo ditë na serviren shumëllojshmëri mënyrash, për të zgjedhur atë, që na përshtatet më tepër. Fillimisht, është e rëndësishme që të njihen nevojat e fshehta, që motivojnë sjelljet tona, për të kuptuar më mirë zgjedhjet mediatike. Një mënyrë që të kuptohet eventualisht zgjedhja, që bën individi, është ideja se media konkurron për vëmendje dhe kohë.

Njerëzit e përdorin median për të arritur qëllimet e tyre. Duke u bazuar në angazhimet ose punët e ndryshme të gjithësecilit, ky përdorim është relativ.  Zgjedhjet e ndryshme mediatike të individëve kanë të bëjnë me marrjen e informacioneve, emocioneve, kënaqësive ose thjesht për të kaluar kohën. Por, vetëm kur merret doza e duhur e informacioneve, feedback-u, që arrihet, është i dobishëm.

Krahas kësaj, ekziston edhe një tjetër anë e “medaljes”. Pjesën më të madhe të ditës e kalojmë, duke “vrarë” shumë orë të çmuara nga koha jonë, gjatë së cilave mund të merreshim me gjëra më të dobishme e të frytshme. Kontaktojmë vazhdimisht, me anë të mesazheve, me të njohurit tanë, në vend që të takohemi e të flasim më konkrëtisht me ta. Sidoqoftë, ekziston një hendek i thellë, që bën dallimin ndërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe atij online.  Detyrimisht, këto veprime kanë çuar edhe në zbehjen e marrëdhënieve, që kanë individët ndërmjet tyre.

Nisur nga faktorët e sipërpërmendur, a mund të thuhet se jemi “viktima” të mediave dhe kemi krijuar varësi ndaj tyre?  Studime të shumta janë kryer, për të specifikuar efektet, që ka sjellë ndryshimi i shpejtë i teknologjisë së mediave. Ndoshta, gjendemi të pavetëdijshëm, përballë një fakti të tillë. Por duhet të ndërgjegjësohemi, se media po i krijon individit një gjendje pasive dhe një varësi aq të madhe, saqë është e vështirë të bëhet një shkëputje.  Megjithatë, jemi ende në kohë, për ta marrë situatën nën kontroll!

Tiranë, 25 maj 2017

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s