NATA E PARE E MARTESES ME SHI

Tregim
Nga: Aleko Likaj
Dera e makinës u përplas lehtë nga pas. Marenglen Peka e mbante për dore nusen e tij të veshur krejtësisht në të bardha. Ajo buzëqeshte dhe sytë e mëdhenj blu të saj  kërkuan ato të djalit dhëndëerr, nën ndriçimin e zbehtë të një shtylle neoni. Sapo e kishte nxjerrë prej andej. Makina, një “Varshavë” e vjetër dhe e tejpërdorur e komitetit të partisë, e kishte sjellë çiftin nga salla  e ceremonisë së dasmës, duke lënë pas në çakërrqejf nën avujt e alkoolit dasmorët dhe të gjithë të ftuarit në atë gëzim.

  – Sa qejf! – tha ajo pa vazhduar mendimin, të cilin po e bluante në kokë në atë çast dhe u kujdes për fustanin e bardhë që ia shtyu një fllad i lehtë e i ngrohtë ere,  që lëpinte asfaltin si një qenie e padukshme. Në duar mbante një tufë me lule që ia kishin dhënë në sallë, kur u nis për në shtratin bashkëshortor.
U përplasën edhe dy dyer të veturës pasi i kishin thënë : “Hajt, me trashëgime tani, dhe jetë të lumtur! Na bëfshi fëmijë të bukur!”  Ishte shoferi i babait të Marenglenit si dhe një kushëri i tij, që i kishin përcjellë për në folezën bashkëshortore.  U ndie gazi i saj, tymi i lehtë që la pas dhe në çast u zhduk pas kthesës.
Dhëndërri i ri zgjati kokën dhe e puthi në faqe nusen e tij. Vajza qeshi me një kukurisje të mbytur femërore. Ndihej shumë e lumtur. Flokët gështenjë dukeshin krejtësisht të zeza.
Djali këtë radhë tregoi çelësin e shtëpisë që mbante nëpër duar. Ana qeshi lehtë, pa të keq, duke e shtrënguar në krah. Pastaj diçka i çuçuriti në vesh dhe të dy hodhën hapat drejt hyrjes së pallatit, pesë metra më tej.
      – Vajzë të lind nëna, por ama, grua të bën burri. –tha Ana Gjika dhe qeshi sërish, duke tundur gishtin tregues përpara njeriut që do të ishte këndej e tutje burri i i saj ligjshëm si për t’i thënë, “Është radha jote tani që të më zhvirgjërosh.”
        Marengleni ndali hapat një çast. Ishin në fund të shkallëve e më tej nxinte gjithçka. E puthi. Pastaj tjetra e tërhoqi lehtë për dore, sikur donte të nxitonte për të hyrë në shtëpinë e re sa më parë. Dukej sikur mezi e kishte pritur këtë çast. Ngjitën shkallët me një frymë si dy të rinj të sapodashuruar. I qeshnin njeri-tjetrit me një pafajësi fëmijërie.
Te pushimi i dytë Ana qëndroi. Kërkoi të mbushej me frymë në një çast. Marengleni që kishte ngjitur dy shkallë, u kthye. Zbriti.
– Ç’ke moj zemër? – i tha ngadalë.
– Asgjë, – tha tjetra duke vënë dorën mbi gjoks, – u lodha.
Kishin edhe një kat.
Ishin lidhur në një fejesë vetëm pak muaj më parë. Babai i Marenglenit, sekretari i partisë të qytetit, e kishte kërkuar për nuse ditën e Vitit të Ri. Atëherë Ana studionte në Institut, në një qytet të veriut, për Histori-Gjeografi, ndërsa djali mbaronte për inxhinieri kimike në Universitetin e Tiranës. Prindërit e vajzës ishin gëzuar nga ky rast që po u vinte në derë në atë qytet, që nuk i kalonte të dhjetëmijë banorët. Madje ai i kishte nxjerrë edhe bursën vajzës së tyre.
 Ana, një vajzë me botë, edhe pse nuk kishte mundur të simpatizonte e të lidhej me ndonjë djalë në jetën e saj, fillimisht nuk pranoi. “Do të të mbajë mësuese në qytet ky sekretari ynë.”, -i tha e ëma. “-Do të rregullosh jetën dhe nuk do të bredhësh fshatrave, ku venë shoqet e tua. Nuk përballohet jeta ashtu. Pastaj kemi vajzën tjetër, që ka radhën për shkollë të lartë. Do të të gjej shtëpi dhe do të jetosh e qetë, duke bërë një jetë të rehatshme. I biri është i urtë dhe i sjellshëm. Do të punojë këtu në uzinë. Lum si ju pastaj! Unë e Vangjeli jemi punëtorë të thjeshtë. Me turne gjithë jetën kemi punuar pa asnjë çadër e përkrahje. Këtej e tutje do të kemi një mburojë. Është ai, sekretari që na ka trokitur.”
Asnjë nuk e mendonte se Marenglen Peka do të lidhej me Ana Gjikën. Ishte rritur në atë qytet, por nuk kishte rënë në sy. I qetë dhe studiues. Moshatarët thoshin për të se është tip vajze. I ndrojtur vinte dhe nuk para shfaqej në qytet, edhe pse ky ishte tepër i vogël në hapësirë. Kishte ca sy të bukur e jeshil dhe një pamje engjëllore. Ndryshonte kryekëput nga tipi i të atit, i cili kishte ardhur në rininë e tij nga një fshat i largët i krahinës, për të punuar në uzinë. Fillimisht elektricist dhe pastaj mori e ngjiti shkallët e karrierës. Kur bëri edhe shkollën e partisë në Tiranë, e sollën sekretar të komitetit të partisë. Dhjetë vjet pa lëvizur. Ai vendoste për gjithçka në qytet me një pushtet gati të pakufizuar. I vrazhdët, kokëfortë e nevrik. Të gjithë i ruheshin këtij cenit të fundit të sekretarit. Të bënte gjëmën Bektash Peka nëse të zinte lapsi i tij.
Ana Gjika nuk rezistoi gjatë. U dorëzua. Në fakt djali i pëlqente dhe i dukej krejt ndryshe nga tipat e meshkujve që njihte aty përreth. Lidhi fejesë me djalin e sekretarit. Kështu i flisnin në qytet. Ishte i vetëm.
Por atë që nuk e bëri Ana, tentoi Marengleni ta bëjë. Në shtëpi për këtë lidhje ishte folur më shumë se një vit më parë, por djali kishte ngulur këmbë, duke thënë se “nuk ishte i gatshëm për një hap të tillë.” Sekretari nuk mund të priste. Vajzës së Vangjel Gjikës ia kishte vënë syrin për këtë punë, sapo ajo mbaroi gjimnazin dhe kur kërkonte bursë. Binte në sy për trupin e saj të kolmë. Kishte vërtetë një bukuri të rrallë që nuk e gjeje te ndonjë vajzë tjetër në qytet. Ishte qejfli Bektashi dhe bukuria femërore nuk mund t’i shpëtonte aq lehtë syrit të tij.
Dy muaj më vonë përsëri tha, jo. Bektashi këtë herë i kishte shkuar në universitet për ta takuar. Ishin darkuar në qendër të Tiranës te “Peza”. Por sekretari nuk mund të humbte durimin. Për 1 Majin, kur djali mbërriti në shtëpi, biseda u nis përsëri. Këtë herë ishte nëna që iu përgjërua duke derdhur lot. Por Marengleni nuk premtoi. Kërkoi ta linin sa të mbaronte provimet, pastaj mund të diskutonin përsëri. Marrëveshja funksionoi vetëm një muaj, se fejesa u ofrua sërish. Djali nuk po dorëzohej. Bektashi u vu në hall. Hynte e dilte në shtëpi dhe shfrynte. E shoqja, Zeqineja, nuk e duronte. Vuante dramën. Djali i dhimbsej, sepse ai ishte dobësuar shumë kohët e fundit, por donte ta shihte të lumtur.
– Nuk ka kala që të mos e marrin komunistët, Zeqine! Mblidhe mendjen! Do të bëhet se s’bën. Bektash
Pekën e dëgjon dhe e ndjek pas një qytet i tërë dhe jo djali im, që i kam bërë kokën.
Në fund të verës dyshoi. “Po ç’ka ky i uruar që mbyll sytë përpara një bukurie të tillë si vajza e Vangjel Gjikës?! I thuhet jo asaj ? Nuk mund të ketë asnjë arsye. Të jetë ndonjë vajzë tjetër në këtë mes? Po kësaj nuk i besonte. E njihte mirë të birin. Nuk dilte nga shtëpia, veçse lexonte aty në dhomën e tij. As me shokë të fëmijërisë nuk takohej, edhe pse ata vinin shpesh dhe e ftonin për të dalë jashtë.
E përcolli i pezmatuar për në shkollë. Djali i tha:
– Ky është viti i fundit, baba. Më duhet të përgatitem mirë. Pastaj unë mendoj që të punoj disa vite. Pret kjo punë. Këtu jemi. Mbase edhe Ana deri atëherë nuk e ka gjetur fatin e saj… dhe bëhet.
Gjatë vjeshtës Bektash Peka shkoi nëntë herë që të takonte djalin në kryeqytet. Shfrytëzoi shërbimet në Tiranë. Marengleni e kthente bosh. Në fund të dhjetorit sekretari solli nga fshati nënën e tij plakë, që jetonte atje me vëllanë e vogël. E pamundur dhe e sëmurë.
– Kjo e ka jetën me ditë, por dëshiron që nipin ta shohë me nuse. Ti e di që të do fort dhe të ka mbajtur në prehër, kur ishe i vogël. Mezi po pret. Do t’ia zgjatësh jetën edhe ca, apo jo? Të gëzojë dhe të lumturohet edhe ajo si gjyshe, që ka mbërritur ndershmërisht te shtatëdhjetat. – i tha Bektashi djalit, kur shkoi për pushimet e fundvitit.
Marengleni nuk dha përgjigje për dy ditë. Nuk vuri as gjumë në sy. Të tretën i tha babait përballë:
– Mirë unë, ja, po pranoj, po ajo, Ana e Vangjelit, a do të më dojë vallë ? Ti ke dëshirë, baba, por ajo vajzë mund të ketë zgjidhje tjetër.
– Pse ti mendon se ka njeri në këtë qytet që t’ia prishë dëshirën Bektash Pekës? Jam sekretar partie, o kokë! – vuri gishtin tregues mbi kapelën tip kineze që ishte vënë në modë nga drejtues partie kudo. – Mblidhe mendjen, or djalë. Kjo krushqi do të bëhet se dua dhe e kërkoj unë. Ta kenë për nder.
Një natë më vonë trokiti te Gjikajt. Ata, aty për aty, nuk i thanë gjë. Dy ditë më pas i thanë: “Kjo punë bëhet.” Dasma u la për në vjeshtë, atëherë kur çifti nuk kishte më detyrime ndaj shkollës.
… Ana u duk se e mori veten. Ishte e gëzuar. Shkallët e mbetura deri te dera i ngjiti si një flutur, duke e ngritur paksa fustanin e nusërisë, për të mos e shkelur me këmbë që të rrëzohej. Sikur të ishte vënë në garë me Marenglenin, doemos që fituese do të ishte ajo. Tjetri erdhi nga pas me një frymë. Qëndroi një çast dhe i zgjati çelësin nuses.
– Hape! – i tha – Brenda është jeta jote.
      – Edhe jotja, tona, së bashku. Kështu si i ngjitëm shkallët sonte, të dy.  – tha vajza.   
      Marenglen Peka nuk foli.
Ajo i kërkoi një puthje, por djali nuk e kishte mendjen aty. Ana u ngjit pas buzëve të tij duke ia kapur kokën me të dy duart e saj që i dridheshin. Pastaj ia vendosi mbi supe. Tjetri nuk lëvizi. Vajza ishte tejet e emocionuar. Ai ndjeu që kishte një fërgëllimë të brendshme në zemër, që i rrihte me vrull në kraharor.
– Vajzë të lind nëna, por grua ama…të bën burri. Do të më zhvirgjërosh?! – i tha ngadalë në vesh. – Të betohem, Marenglen, që e kam për të parën herë. Dua të jem grua. Mezi pres të bëjmë fëmijë. Do të jenë të bukur. Këtë e ndiej. I dua shumë, shumë. Por edhe ty të dua. Të kam ëndërruar, i miri im.
I përkëdheli flokët në atë gjysmerrësirë, ku drita e paktë e neonit jashtë futej nëpërmjet një dritareje në murin përballë, mes shkallëve që të ngjisnin një kat më lart. Pastaj e mori çelësin nga dora e djalit, mbledhur grusht dhe u kthye nga dera. Kërkoi brimën dhe e hapi shpejt. E tërhoqi Marenglenin dhe u mbështetën ne korridor. Djali që kuptoi se Ana ia kërkonte puthjen përsëri dhe e mbërtheu me të dyja duart në bel. Ajo i dha trupit përpara si në një gjysmë hark, duke u bërë njësh me trupin e tij. Ranë në dysheme. U kujtuan që kishin lënë derën ende të hapur. U ngritën shpejt dhe e mbyllën. Përtej, mbas derës përballë, në korridor, u dëgjua një kollë. Dikush nga komshinjtë ishte zgjuar nga zhurma që ata bënë të dy. Nuk e hapën dritën. Ana e dinte përmendësh planimetrinë dhe vendosjen e gjithë orendive të shtëpisë. Tri ditë më parë i kishte rregulluar e sistemuar së bashku me motrën e saj dhe Marenglenin, i cili i ndihmonte në zhvendosjen e pajisjeve të mëdha. Këtë herë vinin për të filluar jetën të dy, si burrë e grua, për të jetuar përgjithmonë aty.
Ora kishte kaluar dy pas mesnate dhe po shkonte me nxitim tek treshi. Dukej sikur nuk ndalej dot. Kështu kishte bërë ajo që me krijimin e ngjizjen e së parës farë të jetës në këtë botë. E pa. Ndërkohë një krismë tronditi krejt apartamentin dhe bëri që Ana të vërë duart pa vetëdije në kokë dhe të shkojë me nxitim në dhomën e gjumit. Xhamat e dritareve lëshuan një tingull, por nuk krisën. Jashtë një vetëtimë u duk se e çau qiellin e natës më dysh, si një urë zjarri që zbret vërtik nga qielli për të ndezur krejt qytetin. Marengleni e ndoqi nga pas dhe e gjeti nusen e re të trembur, të ulur në buzë të shtratit. E mori përdore dhe e ngriti sërish. E puthi lehtë në buzët e holla që ende dridheshin. Dukej krejtësisht e trembur.
 – Erdhi kaq befasisht sa nuk e mendoja. Ka kohën në fakt. Vjeshtë është. Mirë që mbërritëm në shtëpi! – tha Ana Gjika dhe menjëherë iu hodh në qafë dhëndërrit të ri. Këtë herë ishte ajo që kërkonte buzët e tij. Duart e saj pastaj shkuan e shkopsitën xhaketën e kostumit të dasmës, te njeriu me të cilin kishte vendosur ta ndante jetën pas kësaj, por djali nuk shkëputej dot nga përqafimi dhe nuk u la udhë duarve të Anës që të vazhdonin më tej.
 – Kemi kohë,  – i tha, ndërsa me buzë shëtiste nëpër gushën e bardhë të nuses së tij.
Ana hoqi dorë nga mendimi se do të mund të zhvisheshin shpejt për të shkuar në shtratin bashkëshortor. Rituali i zhvillimit të jetës kishte kohë për më vonë. Mund që edhe të priste disa çaste, ndonëse vajza i ndruhej, duke e konsideruar jo vetëm një mister. Përjetonte edhe një ndjenjë frike. Eleni, vajza e xhaxhait, që ishte martuar dy vjet më parë, e kishte pyetur Anën vetëm tri ditë para dasmës. “A je e prishur?  Ua…! Nuk e ke bërë gjatë fejesës?. Eh!… Çdo të heqësh natën e parë. Do të më kujtosh…Ke për ta parë, moj korbë!”
Marengleni zgjati dorën në një çast poshtë në mes të shalëve të tij, si për të kontrolluar diçka që mendonte se i kishte humbur. Kuptoi se ishte ende në gjumë. Nuk reagonte. Liroi kollaren dhe iu duk se u mbush më mirë më frymë. Ndërkaq një vetëtimë përflaku qiellin e natës së zezë pis dhe drita e saj krijoi hijet e të dyve në mur. “Natyra kërkon që të ngjizë.”, -tha me veten e tij djali. Ana u tremb. U mblodh menjëherë. U përkul.
Xhamat krisën nga një gjëmim që tronditi dritaren.
– Hajde të shkojmë në shtrat! – tha vajza që priste të bëhej grua atë natë. Në zërin e saj dallohej një ndjenjë frike. – E kam zakon nga vegjëlia. Kështu bëja edhe atëherë. Fusja kokën nën jorgan, sa herë që në mbrëmje shfaqeshin jashtë shigjetat e zjarrta dhe bubullima.
Dhëndërri e tërhoqi nga dora dhe e mbështeti përsëri në murin që kufizohej  me derën, pikërisht në momentin kur Ana mendonte se do ta çonte drejt e në shtrat. Kishte hequr me shpejtësi këmishën dhe pantallonat. Nusja mblodhi menjëherë dy duart në gjoks si për të mos u bindur e kundërshtuar njeriun që kishte zgjedhur për shok jete..
   – E dua në shtrat ta bëj, – i tha Ana Gjika.
  Mendoi se atij nuk i pritej tashmë. Kishte ndryshuar mendim në çast. Donte ta bënte atë punë aty në këmbë. Por djali u përhumb. Nuk lëvizi. S’dinte se çfarë të bënte tani. E kishte vënë pas murit gruan e jetës pa e ditur se ç’mund të bënte në atë çast. U ndie i penduar.
Ishte ajo këtë herë që e tërhoqi Marenglen Pekën drejt krevatit bashkëshortor. Para syve të tij ajo u zhvesh menjëherë, duke e lënë që të binte deri në fund të këmbëve fustanin e nusërisë. Kishte mbetur në këtë çast vetëm me sytienat dhe të mbathurat e holla rozë krejt transparente. Këto ia kishte dhuruar një shoqja e saj e klasës në institut, nga Durrësi. Dukeshin firmë. Ia kishte sjellë i ati. Ai punonte shofer Albanie me makinat që shkonin jashtë shtetit. Ana ishte mahnitur me dhuratën e veçantë dhe i ishte hedhur në qafë. “Ta kam sjellë për natën e parë,” -i kishte thënë durrsakja të premten në mesditë, sapo kishte mbërritur si e ftuar në shtëpinë e Anës.
Marengleni treti vështrimin përtej dritares dhe në çast iu duk se dëgjoi tingujt e ëmbël të një violine, që luante “napolonin”. Ishte  qemania e Dalip Jevgut që pastronte pusetat e komunales. Ndihej tej me një zë të lodhshëm e të përvajshëm. Duket se ishte një dasmë që bëhej në apartamentin përbri, përtej rrugës. Me sa dukej, nuk kishin gjetur ndonjë nga lokalet e pakta në qytet.
Nusja kishte palosur fustanin, duke e lënë hë për hë mbi komo së bashku me sytienat, hoqi edhe mbulesën e shtratit dhe u kthye nga Marengleni si për t’i kujtuar atij detyrën që e priste para këtij çasti, që në jetën e një çifti është dhe mbetet i shenjtë. Djali e soditi Anën në atë gjysmerrësirë me një ndjenjë pafajësie. E shihte për të parën herë të zhveshur vajzën që e kishte zgjedhur për shoqe jete. Ajo nuk e kishte aspak ndjenjën e turpit. Nuk u druajt si femër, kur zë e shfaq lakuriqësinë e saj të brishtë vajzërore përpara një mashkulli. Marengleni e kuptoi se ajo ishte e përgatitur mirë psikologjisht për natën e parë të bashkekzistencës në çift. Madje dukej se mezi e priste këtë çast. Ai asnjëherë nuk ishte ndodhur përpara një femre në intimitetin e saj. Ana Gjika priti që ai ta përqafonte, ta përkëdhelte në të gjithë qenien e saj epshndjellëse, por shoku i jetës qëndronte i ftohtë.
– Ç’presim?! – tha ajo dhe i hodhi dy duart në qafë. U mbështet në gjoksin e tij dhe e lëshoi paksa trupin. Të dy në çast u rrokullisën në shtrat. Ajo u gjend lart. E puthi lehtë në buzë. Tjetri dukej se diç mendonte. Për një çast nuk reagoi, por pastaj, sikur të ishte zgjuar nga një gjumë i thellë, lodhës e rraskapitës, e pushtoi. U bënë njësh si të ishin salduar aty prej shumë kohësh…
Një çast më pas Marengleni u ndie i dëshpëruar. I ulur në krahun e djathtë të Anës, kaloi dorën mbi kaçurrelat e tij te zeza. Vajza e shikonte përmallshëm.
– Nuk ka gjë, i dashur dhe i miri im. E ke nga emocioni. Kam lexuar që u ndodh shpesh burrave, kur bien në kontaktin e parë me gratë. Do të kalojë. Ke për ta parë. Mos u shqetëso. Ne do ta provojmë përsëri. Do ta shikosh që do të bëhet. Pastaj,…nata jonë është. Qetësohu shpirt!…
Në një cep, aty pranë tij, ishin të mbathurat e Anës. Të zhubrosura e të hedhura pa kujdes. Të tijat ndodheshin poshtë në dysheme. I kishte vënë i shkujdesur, ndërsa kërkonte të bënte detyrën e tij si mashkull dhe bashkëshort. Nuk ishte nxituar për momentin, pasi priste që të ndihej burrë përpara gruas së tij. I ishte trembur impotencës. E kishte mbajtur fshehur nga të gjithë.
Pas moshës tetë vjeç, kur sapo kishte kaluar një sëmundje të rëndë infektive, nuk e kishte ndier për të gjallë organin e tij mashkullor. Ishte ndodhur në fshat atëherë te gjyshja. Si në vagullimë i vinte ajo kohë, kur dilte me djemtë e tjerë të fshatit në përrua. Atje bënin garë se kush e hidhte pipinë më larg. Kishte fituar disa gara… Pas sëmundjes, që e kishte mbajtur mbi dy muaj, duke e shtruar deri në Tiranë, nuk e kishte ndier më të gjallë. Mjekët herë pas here e pyesnin gjatë seancave të shërimit nëse ndihej akoma mashkull i fortë dhe ai kishte gënjyer. I vinte turp. Profesori, një burrë tek të gjashtëdhjetat, i kishte thënë Bektash Pekës: “E kaloi lehtë dhe pa probleme të rëndësishme. Nuk ka ndodhur ajo që i trembeshim ne. Pastaj do të na duhej që të…Ndoshta do të na duhej që edhe ta nxirrnim jashtë në një klinikë të specializuar.” Por Marengleni nuk kishte guxuar të thoshte më të vërtetën. Dhe nuk ia tregoi asnjëherë në vitet e mëvonshme askujt. Babait, kur ishte në adoleshencë i kish thënë se “ishte në rregull”. Më shumë se nga ndrojtja,  ishte turpi në këtë mes, që e kish bërë ta mbështjellë sekretin e tij me heshtje. Por shpresonte. Shpresonte te çasti. Te momenti kur të ish përballë një femre, të cilën do ta bënte të vetën, edhe pse kishte hezituar të kërkonte seksin në shkollë e në universitet.
Ana u ngrit përgjysmë. Zgjati kokën dhe me majën e gjuhës i lëpiu qafën nga pas. Djali u ndie i bezdisur në çast. E gjithë kjo gjendje e rënduar psikologjike nuk mund t’i shpëtonte pa u vënë re nuses në shtrat. Vendosi bërrylat dhe, gjysmë e kthyer nga ai, i tha:
– Nuk ke pse të dëshpërohesh, shpirt! Është një çast kalimtar. Emocion. Do ta shohësh që gjithçka do të shkojë si jo më mirë. Je i ndjeshëm, i miri im, xhani im. Do ta provojmë përsëri. Qetësohu në këtë çast i dashur. Mos e mbaj mendjen aty.
Ana Gjika dukej si e vetme në atë dhomë bashkëshortore. Marengleni hodhi përsëri sytë nga dritarja dhe përtej xhamave pa se kishte filluar të vesonte shi. Neoni poshtë në trotuar sillte fasha drite në dhomën e heshtur. U shtri dhe vuri ngadalë kokën në jastëk në errësirën e natës gojëprerë. Brenda poshtë çarçafit të bardhë si bora, ndjeu dorën e Anës që e ledhatoi në gjoks, ndërsa shpupuriste leshin e dendur aty. ”Duhet jetë shumë mashkullor”, – mendoi. Kështu i kishte thënë dhe një herë e ëma, kur ishte ende adoleshente, një vit poshtë maturës. “Burrat leshator në gjoks, janë potentë dhe të fuqishëm me gratë.” Edhe Vangjeli ashtu ishte dhe për këtë nëna nuk dyshonte aspak.
– Nuk të shoh dot kështu. – i pëshpëriti në vesh. – Kemi arsye të gëzohemi. Të jemi të lumtur sonte e përgjithmonë. Të dua shumë, xhan!
Ta provoj edhe një herë.”, -i tha vetes Marenglen Peka pas përkëdheljes që mori nga Ana. Për të ndiente, edhe pse nuk ishin lidhur në dashuri më parë. Kishte bukurinë dhe zgjuarsinë së bashku. Ajo dallohej në atë qytet të vogël në buzë të maleve dhe që lagte këmbët në një lumë që rridhte në fund të tij. Këtë ia kishin thënë edhe shokët e vegjëlisë. Ana Gjika ishte ndryshe nga vajzat e tjera. U kthye nga ajo dhe e puthi. Vajza iu fut si një mace. Ai e shtrëngoi fort në kraharor dhe filloi i pari lojën erotike. Ana iu përgjigj menjëherë… Kur kishin kaluar mbi njëzet minuta, Marengleni u tërhoq përsëri. Por vajza fërgëllonte nga epshet.
Ai uli këmbët dhe këtë herë zbriti nga krevati. Nuk ishte ndier sërish për burrë. Kjo e dëshpëroi më shumë. Eci në gjysmerrësirën e dhomës e qëndroi përballë dritares. Largoi më tej perden që nuk e kishte zënë plotësisht hapësirën.
– Mos u mërzit, shpirt! – i tha Ana që i ishte mbështetur në të dy bërrylat, gjysmë e ngritur. – S’ka gjë, mund ta bëjmë dhe nesër. Mbase je i lodhur sonte. I stresuar, o i miri im!…
Por Marenglen Peka nuk foli. Shikonte jashtë përtej xhamave qytetin që flinte. Në pallatin përballë, aty ku dritat ndriçonin dy dritare, dalloi hije njerëzish. Poshtë në asfalt, pa pikat e shiut që kishte zënë shtruar. Tani nuk kishte më dyshim për veten. I erdhi keq për Anën. “Çfarë t’i bëj unë kësaj?!”- pyeti veten. – “Është ndezur plotësisht. Ka ardhur në afsh. E gjora, kërkon të bëj detyrën time, atë të vazhdimit të jetës…Po ky që nuk kujtohet e nuk bëhet i gjallë?” Kaloi pa vetëdije kurrizin e dorës së djathtë si për ta cekur dhe për të provuar nëse ishte aty. “Eh, nuk jep asnjë shenjë për të më bërë burrë! Më turpëroi tmerrësisht. Më lëndoi. Nuk ka asnjë shpresë…Po pse kalohet kështu?! Unë i besova…Unë besova se do të bëhej i gjallë përpara Anës sime. Edhe kur dhashë e mora puthjen e parë, por edhe kur u bëra njësh me të. Po ky nuk reagoi. Nuk dha asnjë shenjë. I besova këtij çasti. Këtij çasti kur duhej të më bënte mashkull dhe pjesë të jetës e qenies së saj, por as edhe tani!… “
Ana, përtej, priste e pafajshme, krejtësisht e zhveshur dhe e nderur mbi shtrat.
I trembesha edhe këtij çasti, ndaj edhe ngurrova deri tani. Nuk jam më asgjë, për asgjë, pa asnjë funksion. Jam një hiç dhe i padobishëm. As mashkull jo. “
– Eja ,- i tha vajza me një zë të ëmbël e të ngadaltë, – eja!…Mos e vono!…
Po pse e bëra? Plotësova një kërkesë të vazhdueshme të prindërve të mi. Por ata nuk më kanë asnjë faj. E ku ta dinin? Në fund të fundit ky është gëzimi dhe qëllimi i jetës për çdo çift që lidhet në një martesë. Fryti i dashurisë së tyre ta riciklojë jetën për të tjerët. Oh !…Më vjen turp!… Në fakt jam një eunuk i patredhur, që nuk mund të shërbej më për asnjë gjë.
Kjo gjë ishte veçse një ëndërr. Ëndrrat janë për ata që dinë t’i shikojnë.
Ktheu kokën pas. Në shtrat Ana, si një nimfë e sapodalë prej ujit, qëndronte e heshtur në mes të shtratit bashkëshortor pa ditur se ç’të thoshte. Trupi i saj i lakuriqtë, i përkorë dhe epshndjellës, i spërkatur me pak rreze drite, që hyri me nxitim nga dritarja, e bëri Marenglenin të ndihet më keq se asnjëherë.
– Anë, dua që ti të jesh e lumtur!
Nusja e re nuk foli. Mbylli qerpikët sikur të kërkonte ëndrrën, momentin dhe djalin me të cilin po niste një jetë krejt tjetër. Dhëndërri tërhoqi dy kanatet ngadalë. S’donte të prishte qetësinë dhe intimitetin e atij mjedisi në atë çast të magjishëm. Flladi tundi perdet e mëndafshta në ngjyrë trëndafili dhe shkoi e përkëdheli kofshët e gjoksin e vajzës nuse, që priste të bëhej grua.   
– Nuk është aq vapë, i dashur. Eja! Sezon vjeshte. Fryn. – tha Ana Gjika  me një zë të butë përplot mirësi  dhe me ca sy të qeshur që Marengleni nuk ia pa më.
 Pastaj hoqi sytë për një çast andej nga dritarja e hapur, ku era tashmë gufonte gjithë masën e tyltë. U drodh. Zgjati duart në atë gjysmerrësirë dhome që mbante erë parfum për të marrë çarçafin e ta hidhte përsipër lakuriqësisë në shtratin e ngrohtë. Në fillim ndjeu një zhurmë të lehtë, diçka si kërcitje të mbytur druri, në çastin ku masa e copës së bardhë i kishte mbuluar kofshët e kolme dhe pastaj një trup i errët iu shfaq, ndërsa iu ngjit tej e tej hapësirës së dritares. Ndjeu një “oh!” dhe trupi u duk sikur fluturoi përtej në flladin e vjeshtës.
Nuk kishte më kohë të mendonte. Maringleni nuk ekzistonte më në dhomë.
Në çast ishte ngritur përgjysmë. Rrëshqiti nga shtrati, duke lënë çarçafin që u derdh pa zhurmë në dysheme dhe shkoi menjëherë te hapësira e dritares së hapur. Kapi leshrat dhe hodhi sytë poshtë në asfaltin e lagur. Trupi i burrit të saj, Marenglenit, ishte aty, i shtrirë, i palëvizur, i pajetë. Përreth një pellg gjaku. Nën dritën e zbehtë të neonit dalloi disa fletë të zverdhura si flutura nate, të zbritura nga pemët që ishin përreth dhe që vallëzonin e lodronin nën flladin e lagur të vjeshtës mbi qytet. Përreth binin qetësisht pika shiu.
Nxori një zë si buçimë deti. Shqeu sytë dhe klithi këtë herë në vaj:
– Oh!… I shkreti Marenglen! Ç’po më shohin sytë kështu?!…I miri im. Po pse, po pse?…Unë korba!…Oh, ç’më gjeti mua të mjerën!
Pastaj ndjeu një gulç brenda kraharorit që erdhi dhe i mbeti në grykë. Kuptoi se nuk mund të merrte më frymë. Ra e zalisur mbi dysheme.
      …Nga larg vinte sërish tingulli i violinës se Dalipit. Atje po vazhdonte dasma e tjetërkujt. I gëzoheshin që të gjithë.
 
Bordeaux, tetor 2010
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s