BOHEMI I FUNDIT..!

Shkruan: Dr. Bexhet Asani

Poeti Mirko Gashi ishte një bohem i vërtetë në letërsinë shqipe. Ai lindi më 1939 në Kralevë (Serbi). Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren e mbaroi në Preshevë. Në Gjilan kreu gjimnazin. Kishte të kryer gazetarinë në Universitetin e Beogradit. Gjatë jetës së tij ka bërë punë të ndryshme. Në fshatin Caravajkë të Preshevës për një kohë punoi si mësues. Më pas aktor në Teatrin e Kombësive në Shkup, për të vazhduar po të njëjtin profesion në Teatrin Popullor në Prishtinë. Profesionin e gazetarit e ushtroi te “Flaka e vëllazërimit” që botohej në Shkup dhe në Radio Prishtina. Pastaj redaktor i gazetës “Kosova” të Obiliqit, si dhe gazetar-përkthyes në gazetën “Kosovodërvo”.

Dr. Bexhet Asani

Dr. Bexhet Asani

Poezia e bohemit Mirko Gashi është përkthyer në disa gjuhë botërore si në: gjuhën gjermane, italiane, angleze, frënge, sllovene, serbe maqedonase, turke etj. Bohemi i fundit shqiptar poeti Mirko Gashi, mbylli sytë në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë më 1995.

Mirko Gashi në të gjallë të tij ka botuar këto libra me poezi:

“Në vorbullën e ujit” Rilindja Prishtinë 1972, “Netët e bardha” Rilindja Prishtinë 1975, “Liberto për gjenetivin e ujit” (Në gjuhën serbe), Jedinstvo, Prishtinë 1977, “Gjarpri i shtëpisë” Rilindja Prishtinë, 1980, “Arbror vitae” Rilindja Prishtinë,1988, Plagë uji” Rilindja Prishtinë, 1990.

Poeti Mirko Gashi shumë rrallë u jepte intervista gazetarëve, aty nga viti 1984, Qni Mehmedi, pati nderin ta intervistonte për Revistën “Zëri i rinisë” të Prishtinës me titull: “Jetoj ashtu siç dëshiroj!” Kur bën fjalë për poezinë në intervistën e tij të dytë që i jep gazetarit Qani Mehmetit midis tjerash Mirko Gashi thotë:

“Pra, poezia shumëçka më mori e pak gjë më dha. Të merresh me poezi është punë tejet e vështirë. Vjen koha që fjalët ta kërkojnë kokën tënde. (Nëse dikush ia fal jetën poezisë, ai duhet të jetojë me fjalët, e fjala e ka masën, dimensionin, huqet e veta). S’është poet ai i cili nuk e jep edhe jetën për fjalët e veta. Është shumë vështirë, por kështu është. Jam tejet i sinqertë në këtë bindjen time. Pra, tepër e vështirë është loja me fjalë, nëse i kupton fjalët siç duhet. Të thashë, s’dëshiroj të bisedoj për gazetë, por pasi është e të rinjve, nejse…”

Si e njoha Mirko Gashin?

Mirko Gashin njëherë në jetë e kam parë dhe e kam takuar. Duhet të ketë qenë viti 1987 apo 1988, atëherë bëja punën e gazetarit (pa para) në Rilindje, me shprsë se do të merrja vendim… që s’ u mor kurrë! U pranuam pesë apo gjashtë gazetarë që e dham provimin! Dhe kryesisht punonim te Kronika e Prishtinës unë, Osman Gashi, Arsim Kajtazi, Agim Gashi, Milazim Kadriu e ndonjë tjetër. Ishte ulur te shkallët e një dyqani. Mjekra e tij shtëllungë me një pamje që rrezatonte vetëm mirësi e dashuri por dhimbja shihej në sytë e tij. Dukej i lodhur, i rraskapitur. Kur në veshët e tij tingëlloi një e folme tjetër, nga shokët e mi, pyeti: – Nga je? – Nga Maqedonia.- u përgjigja. – Si i keni punët andej? – Si gjithë shqiptarët! – Do të bëhet mirë! Gjithmonë optimist bohemi Mirko. Atëherë unë e dija dhe e kisha të njohur vetëm emrin e Mirko Gashit që e kisha lexuar nëpër gazeta dhe revista por atë s’ e kisha parë kurrë! Dhe ja tani pas tridhjetë vjetësh po e rikujtoj me mall. Tani e di dhe e kuptoj sesa i madh ka qenë Mirko Gashi. Të rrallë ishin burrat atëherë si Mirkoja që nuk i trembej syri nga pushteti i tërbuar socialist jugosllav!

Pas disa peripecish që të gjija poezinë e tij të famshme “Rondo”, më në fund ma siguroi nipi i Mirko Gashit, David Kurti, të cilin e falënderoj përzemërsisht!

Nga poezia “Rondo” më kujtohej vetëm vargu: “Ujërat e Adriatikut nuk do të mund t’ i lajnë pelenat e fëmijëve tanë…”Edhe pse nuk kisha mundur që ta mbaja në mend poezinë apo vargun, prapseprapë ishte një riprodhim dhe një rikujtim i mirë, pas tridhjetë vjetëve. Mbase vargun që lexuat e lëndon vargun e skalitur të bohemit Mirko Gashit, por, pse e shkroi Mirkoja poezinë “Rondo”!?

Për këtë poezi mund të flasin dhe të shkruajnë vetëm bashkëkohësit e tij, të cilët e përjetuan në lëkurën e tyre sundimin e egër jugosllav.

 Vitet tetëdhjetë, kur Kosova kërkonte avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe ajo të bëhej njësi e barabartë e republikave të federatës ish jugosllave, pra, Kosova të shpallej Republikë. Shtypi serb të cilit ia mbanin ison dhe republikat e tjera ish jugosllave, i kishte shpallur shqiptarët armiq. Nuk mjaftonin vetëm, rrahjet, torturimet, burgosjet, atëherë vlente thënia: “Çdo shqiptar i vdekur, është shqiptar i mirë..!”Ato vite flitej me të madhe për natalitetin e ulët te serbët dhe natalitetin e “lartë” te shqiptarët! Urrejta e shtypit serb shkoi aq larg saqë femrën shqiptare e quajti “fabrikë për prodhimin e fëmijëve..!”A mund t’ i duronte bohemi shqiptar Mirko Gashi këto fyerje që i bëheshin nënës shqiptare? A mund ta duronte Mirkoja këtë diskriminim racor? Jo. Prandaj ai klithi me guximin dhe shpirtin e tij revolucionar, që lutoi këtë dukuri negative të shoqërisë serbe me shpatën e mprehtë të artit të fjalës: ..do të vijë koha, edhe deti do të jetë i vockël, për t’ i larë, mnelat e fëmijëve tanë. (Mnelat – pelenat). Le ta lexojmë të plotë poezinë “Rondo” me qëllim që të shijojmë artin poetik të bohemit tonë të fundit Mirko Gashi:

RONDO

Sabit Jakupit

e dashura ime

kur ma afrove gëzimin e parë

e mbolla një lis

kur ma afrove gëzimin e dytë

e mbolla

edhe një lis

kur ma afrove gëzimin e tretë

i stërlumtur

i mbolla edhe një lis

lis pas lisi

plis pas plisi

bëhet pylli

do të vijë koha

edhe deti do të jetë i vockël

për t’ i larë

mnelat e fëmijëve tanë.

Mirko Gashi

Nga libri “Plagë uji” Rilindja, Prishtinë, 1990

E kush mund ta thoshte, më bukur se bohemi Mirko Gashi!?

Vlen të thksohet se bohemi Mirko Gashi, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe torturave shtetërore serbo-jugosllave ndaj popullit shqiptar në Federatën e ish Jugosllavisë, më 5 korrik të vitit 1990, i zhgënjyer nga “vëllazërim-bashkimi”në të cilin kishte besuar, heq dorë publikisht nga çmimet dhe mirënjohjet e Serbisë dhe ish Jugosllavisë.

Kush ishte Sabit Jakupi, të cilit Mirko Gashi i kushtoi njërën nga poezitë më të mira të tij? Pse ia kushtoi këtë poezi? Përgjigjen mund ta gjejmë vetëm te intervista e tij dhënë gazetarit Qani Mehmedit në vitin 1984, në pyetjen:

Çka ju shtyn të pini?

Ja çfarë thotë Mirko Gashi:

“Të përgjigjem me pyetje: Të banosh 22 vjet nëpër bodrume të huaja, t’i përkthesh 35 vepra, t’i kishe botuar mbi 10 mijë vargje, ta kishe një rrogë të vogël tash si pensionist në këtë moshën time, por edhe shumë probleme intime jetësore, shumë moskuptime… çka do të bëje tjetër ti pos t’i kaloje do çaste të lumtura me gotën e rakisë në buzë?!… (Të lutem, mos harro të thuash fjalë të mira për Sabit Jakupin, i cili po ma zgjidh problemin më të madh ekzistencial). C’është e vërteta, hallet e mia i kanë kuptuar edhe kolegët e mi poetë, por çka kanë mundur të më ndihmojnë?”

Vuajtjet e Mirko Gashit mund t’ i kuptojë vetëm një i varfër dhe i vuajtur, se të pasurit as nuk duan t’ ia dine fare, nuk e kanë kuptuar dhe nuk duan ta kuptojnë dot hallin e madh qe ka pasur i madhi Mirko Gashi. Le të shohimtani se kush ishte Sabit Jakupi të cilin gjatë intervistës e zë dy herë në gojë, në pyetjen që i bën gazetari Qani Mehmedi:

Kur shikoni pas, çka i thoni vetvetes?

“Mbi të gjitha e çmoj lirinë. Jetoj ashtu siç dëshiroj… Dëshirat nuk i kam të mëdha për jetë luksoze, por mundësitë i kam tepër të vogla për të jetuar si njeri i rëndomtë. Qe 22 vjet bredh nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës, pa kulm timin mbi kokë. Më në fund këto ditë pres vendimin për banesë nga BVI-ja Krahinore për Kulturë. (Sabit Jakupin, të lutem mos e harro se i jam falënderues për tërë jetën! Ai me disa shokë të tjerë që m’i dinë fort mirë hallet kanë bërë përpjekje të mëdha që, më në fund, të sigurohet një banesë shoqërore për Mirko Gashin). Jam i kënaqur me tre fëmijët e mi dhe, më në fund, e gjeta edhe bashkudhëtaren e mirëfilltë e cila më kupton dhe më respekton të këtillë siç jam – Mirko Gashi!”

Megjithatë Sabit Jakupi, sipas të dhënave të sigurta që kam, e mbajti fjalën e dhënë, Mirko Gashit ia ka ndarë banesën në Prishtinë, ia ka siguruar kulmin mbi kokë siç shprehej Mirkoja.

Le të lexojmë për një çast poezinë “Liria” të cilën ia kushton djalit të tij të vogël Lumit, apo siç thotë ai, Lumit, sugarit tim sesa e fuqishme është artistikisht por edhe politikisht, për kohën kur e shkroi:

                                       Liria

                             (Lumit, sugarit tim)

                                  eu çfarë djali kam,

                                  eu çfarë Lumi kam.

                                  sa kafshata,

                                  sa një pëllëmbë

                                  s’ e ka mjekrën

                                  s’ ka as dhëmbë,

                                  mallkon yje,

                                  shkatërron yje

                                  edhe në muajin e vet

                                 të tetë s’ do të lidhet në djepin e vet.

                                                                   Mirko Gashi

Liria për poetin Mirko Gashi, ishte e shenjtë. Ai, Lumi dhe shqiptari s’ duron dot të lidhet as edhe në djep..! Sa bukur e ka thënë! Ai nuk duronte thundrën e robërisë. Ëndërroi lirinë, por vdiq në robëri, nuk rroi që ta përjetonte lirinë, ta gëzonte lirinë, në Republikën e Kosovës shtet më vete. Liri e pritur në shekuj.

Mirko Gashi padyshim ishte bohemi i fundit jo vetëm i Prishtinës siç e donin ta quanin disa nga shokët dhe miqtë e tij por edhe bohemi i fundit i mbarë shqiptarizmës..!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s