Sa realiste dhe legjitime është krijimi i një Jugosllavie të Re?

Ekspertizë:

Sa realiste dhe legjitime është krijimi i një Jugosllavie të Re?

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Së paku nga viti 2014, kur në Berlin u zhvillua samiti i parë BE-Ballkan Perendimor, e deri më sot, hap pas hapi dhe me një strategji të skenarizuar mirë, po del në skenë një projekt i ri politk, gjeopolitik dhe me rëndesë ekonomike për hapësirë tregjesh, ajo që zyrtarisht ka marrë emrin “Tregu i Përbashkët Ballkanik” e që në fakt duket t’i ngjajë një Jugosllavie të Re.

Në të vërtetë këtë term e ka përdorur për herë të parë para një viti, asokohe ish-kryeministër e sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai shprehu gjithashtu ambicjen e tij për të rikthyer famën e ish-Jugosllavisë së Titos, duke u zotuar se  ai “do të bëhej një Tito i Ri”!

Eshtë interesant metamorfoza e presidentit të Serbisë – Nga udhëheqës i shkatërrimit të Jugosllavisë për të krijuar Serbinë e Madhe unitare me luftëra të përgjakshme e terror, në një udhëheqës për rikthimin e Jugosllavisë me skemën e ndërtimit të Serbisë së Madhe në kushte paqësore e përmes krijimit të një bashkësie shtetesh në formë jo unitare!

Dhe Brukseli e pranoi me entusiazëm këtë ide për shkak të pamundësisë së tij për t’i ofruar rajonit një integrim të shpejtë në BE. Por e pranoi gjithashtu me shpresë se përmes këtij asosacioni do të mund të ruajë e forcojë influencën e Europës e njëkohësisht të mund të evitojë ndonjë konflikt tjetër në rajon.

E përmenda ideatorin dhe artikulluesin e këtij projekti për të kujtuar, se sipas të dhënave nga BE, ishte Beogradi ideatori, nismëtari, propozuesi dhe projektuesi i krijimit të një bashkësie të tillë shtetesh, në të cilin do të bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Kjo e ashtuquajtur Jugosllavi e Re nuk përfshin në kufijtë e saj dy ish-shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, Slloveninë dhe Kroacinë, të cilat tashmë janë anëtare me të drejta të plota në BE. Por përfshin si një vend shtesë, Shqipërinë.

Sllovenia dhe Kroacia dolën me forcë nga Jugosllavia e para vitit 1990 dhe në Beograd kanë kuptuar se çdo bashkëpunim e ballafaqim me këto dy vende është në dëm të Serbisë. E ndërkohë udhëheqësit e Beogradit e duan Shqipërinë brenda kufijve të kësaj krijese të tyre, për shkak se një Shqipëri e dobët mund të trajtohet lehtësisht si koloni serbe, siç trajtohej Kosova gjatë shëkullit të XX!

Për ta realizuar këtë projekt, BE nisi në Berlin verën e vitit 2014 maratonën e nismës së vet “Agjenda e Ballkanit Perendimot në BE”. Pastaj kjo agjendë u thellua në Vjenë, Paris e më në fund gjatë korrikut 2017 në Trieste. Në të gjitha këto samite vëmendja u përqëndrua që projekti në fjalë të kishte dy aktorë: –  Beogradin dhe Tiranën, dmth, qeverinë e Serbisë dhe atë të Shqipërisë. Protagonistë u duk se do të jenë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, të cilët jo rrallë në konferenca shtypi u shprehën “Jam dakord me ato që do të thotë miku im” Edi ose Aleksandër. Mesazhi ishte i qartë: – Mbështetje e plotë e projektit të Tregut të Përbashkët Ballkanik”.

Komisioni Evropian publikoi raportin “Bashkëfinancimi i Projekteve të Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2017”, ku u dhanë detaje të vendimeve të marra në Samitin e Triestes. Në këtë raport, Komisioni Evropian konfirmoi se Shqipëria nuk ka përfituar asnjë projekt, ndryshe nga 4 shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Po kështu Kosova nuk përfitoi asnjë projekt.

Raport përmbledh 7 projekte të fituara, ndër të cilat 6 në transport dhe 1 në sektorin e energjisë. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë paraqitur dhe për rrjedhojë nuk kanë fituar asnjë projekt; Bosnje dhe Hercegovina ka siguruar mbështetje me grante për 4 projekte, Serbia për 2 projekte, ndërsa Mali i Zi për një të tillë.

Por, para se të shkohet te projektet, palët u kujdesën që të përpunojnë opinionin publik dhe të shfaqin gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar maksimalisht në realizimin e projektit të miratuar tashmë në Bruksel për bashkësinë e re të shteteve të Ballkanit Perendimor. Vizitat e shumta të kryeministrit shqiptar në Beograd e Serbi si dhe një vizitë e homologut të tij serb në Tiranë u panë si shans për pajtimin shqiptaro-serb. Por Prishtina nuk ishte entusiazte në këtë aksion për shkak të qëndrimit antikosovar të qeverisë së Beogradit. Vetëm një këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, rezident në Prishtinë, ishte jo vetëm entusiast, por edhe interlekutor i këtij bashkëpunimi të ngushtë në linjën Tiranë-Beograd.

Në Tiranë u porositën opinionistë të paktë që “të thyejnë akullin” dhe të projektojnë në opinionet e tyre lansimin e tezave historike serbe në marrëdhëniet me shqiptarët, me qëllim që t’i mëshohej historisë së “bashkëpunimit dhe miqësive midis dy popujve, madje dhe “historisë së qëndrimeve antiserbe të shqiptarëve”. U nis me origjinën serbe të nënës së Skënderbeut, e cila nuk mund të shihet si herezi, por që ka nevojë të hulumtohet deri në fund për saktësi historike. Megjithatë ndërtimi i faktit historik nga një opinionist ishte komprementues, sepse dukej qartë skema e hartuar në funksion të “bashkëim-vëllazërimit” dhe rindërtimit të një shteti të ri jugosllav në rajon.

Më pas u hodhën teza të tjera, të cilat theksohen më poshtë në përpjekje për të provuar se në kushtet aktuale është e pamundur ndërtimi i një Jugosllavie të Re e madje as edhe i një Tregu të Përbashkët e të Lirë të Ballkanit Perendimor. Kjo për disa arësye:

  1. Së pari në secilin vend të Ballkanit Perendimor bëhen përpjekje për të sunduar përmes dy elementëve, autoritarizmit dhe oligarkisë. Kjo mund të duket si një avantazh në sytë e europianëve për të realizuar lehtësisht vendimmarrjen për ngritjen e këtij asosacioni. Mund të mendohet se oligarkitë dhe udhëheqësit autoritarë, që shpërfillin rregullat e demokracisë dhe opozitën në vendet e tyre, kanë aftësi më të mëdha për ta imponuar një Treg të Përbashkët Ballkanik. Por kjo nuk është legjitime. Nëse ky treg ndërtohet mbi bazën e vullnetit të liderëve autoritarë, atëherë nuk do të mund të funksionojë. Regjimet autoritare ose do t’i zbrazin vendet e Ballkanit Perendimor nga banorët e tyre, ose do te sjellin revolta, protesta dhe paqëndrueshmëri politike. Kështu që ky union nuk do të ishte fatlum!
  2. Një hartë shtetesh të bashkuara objektisht si minimum e parakusht kërkon definimin e hartës politike të shteteve të veçanta. Zhvillimet që kanë ndodhur e ndodhin në rajon nuk favorizojnë as disa hapa të thjeshtë të bashkëpunimit rajonal. Si mund të bashkëpunojë një shtet me një shtet tjetër, statusin politik të të cilit e konteston?! Vetë Europa ka vuajtur jo pak nga ndonjë përvojë e tillë e hidhur. Ndërsa një bashkësi jugosllaviste e çdo forme do të shkatërrohej ende pa nisur jetën e saj. Ta zemë se Kosova nuk do të pranojë të bëhet pjesë e këtij unioni dhe se për këtë do të kërkojë njohjen e saj prej Serbisë dhe Bosnjë-Herzegovinës! A janë të gatshme këto dy vende ta njohin shtetësinë e Kosovës?! Sa kohë do të duhet të marrë ky proves, edhe nëse ato janë të gatshme?! Ta zëmë nga ana tjetër se BE do të shpërfillë vullnetin dhe vendimmarrjen e Kosovës dhe pa Kosovën do të ndërtojë atë që ajo e quan Treg i Përbashkët Ballkanik! A do të ketë pasoja izolimi i mëtejshëm i Kosovës?! A do ta pranojë Shqipëria një union pa Kosovën?! Po shqiptarët e Maqedonisë a do ë pajtohen që shteti i Shkupit të bëhet pjesë e këtij unioni pa Kosovën?! Janë pyetje, të cilat duan përgjigje.

Por le të supozojmë se Brukseli do t’ia imponojë Prishtinës një vendimmarrje pozitive. Sa probleme dhe konflikte do të duhet të zgjidhen në procesin e implementimit të kësaj nisme?! Po kështu, do të duhej paraprakisht të zgjidhej çeshtja e funksionimit të presidencës dhe parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës duke bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese?!

  1. Pra, diskutimi do të duhet të realizohet mbi realitetin objektiv të raporteve të sotme në Ballkan mbi dy nocionet e domosdoshme për forimimin e bashkësive të tilla, të cilat lidhen me sovranitetin dhe legjitimitetin. Autoriteti i një shteti lidhet me zbatimin e ligjit dhe imponimin e tij te qytetarët e një vendi, Sovraniteti ka të bëjë me ushtrimin e autoritetit politik e shtetëror në një territor të caktuar legjitim. Legjitimiteti është, sipas Ted Robert Gurr, aftësia e sistemit për të mbajtur të bashkuar shoqërinë dhe për të realizuar besimin e saj në institucionet politike shtetërore të përshtatshme për vetë shoqërine. (Ted Robert Gurr, Ëhy Men Rebel. Princenton/N.J, 1970, 185).

Procesi i krijimit të një bashkësie ballkaniko-perendimore, e modelit të një Jugosllavie të Re është kompleks, me disa angazhime politike dhe jo vetëm politike. Si në çdo projekt madhor edhe në rastin konkret bëhen llogaritë e opinionit publik, se si do të reagojë ai për inicativa si këto. Në Shqipëri prej kohësh është aktivizuar linja e propagandës së “pajtimit” me Serbinë! Kjo do të ishte normale në kushtet e stabilitetit politik të rajonit, sepse dasitë historike kërkojnë një angzhim publik për të përafruar politikat me këtë opinion. Nëse do të kishim një realitet normal të marrëdhënieve politike midis vendeve të rajonit, atëhere edhe mjetet, format, rrugët e përpunimit të opinionit do të ishin origjinale, bashkëkohore, në pajtim me vlerat universale të marrëdhënieve midis kombeve, popujve e shteteve si dhe të atyre njerëzore.

Por nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë që në kushtet e sotme të konfliktit permanent për interesa gjeopolitike dhe jo gjeopolitike në Ballkan, të kishim argumente, fakte, të dhëna që të çojnë te një pajtim substancial midis serbëve dhe shqiptarëve, midis serbëve dhe kroatëve, midis serbëve dhe boshnjakëve e më gjerë. Kroacia lihet jashtë dhe kjo ia lehtëson punën ideatorëve dhe autorëve të kësaj bashkësie, pasiqë një Kroaci e fuqishme nuk është në interesin e Serbisë të ishte pjesë e saj. Por le të kthehemi te procesi parapërgatitor psikologjik:

Në Shqipëri prej kohësh është projektuar aksioni i “pajtimit shqiptaro-serb”! Por fatkeqësisht ky projeksion është huazuar nga modeli i kohës së vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb i viteve 1941-1948. Të gjitha nismat janë identike, të gjitha predikimet historike dhe aktuale duken se janë harmonizuar identikisht si para 70-75 viteve. Në mënyrë të sipërfaqshme mund të shtjellojmë disa prej tyre:

Së pari, është hedhur në treg mediatik formula e “miqësisë” së familjes Kastrioti me principatat serbe të mesjetës. Për këtë ka dalë në këtë treg përpunimi i opinionit me idenë se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane ishte një “kombinim” shqiptaro-sllav, pasiqë “nëna e Skënderbeut ishte me përkatësi etnike serbe”.

Nuk është fjala dhe vendi për të diskutuar nëse Vojsava, pra nëna e Gjergj Kastriotit, ishte ose nuk ishte serbe. Këtë nuk e vendosim dot sot, kur diskutimi është kontravers dhe një palë historianësh e pohojnë e një palë tjetër e mohon, ndërkohë që ende nuk ka një të dhënë të saktë për këtë.

Çeshtja shkon përtej kësaj. Pse opinionistët po i elaborojnë të dhënat historike sipas shijes së zhvillimeve aktuale në rajonin tonë?! Gjithkush e kupton se qëllimi është t’u thuhet shqiptarëve se “ne nuk kemi vetëm histori luftrash me serbët dhe Serbinë, kemi pasur edhe periudha bashkëpunimi dhe madje miqësie me ta”. A është e dobishme apo e dëmshme kjo? Kjo nuk mund të pohohet, as të përgenjështrohet.

Por di që diktatura për herë të parë e ngriti në piedestal Skënderbeun (1968) dhe me këtë akt nënshkroi përmirësimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore e arësimore me Jugosllavinë, deri në atë masë sa atë vit (gusht apo  gjashtë muaj pas manifestimeve të bujëshme për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut), kur tanket ruse marshuan në Pragë, të dy vendet, Shqipëria e Jugosllavia shpallën aleancën e përbashkët ushtarake përballë kërcënimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Skënderbeu ishte pararendës i ringjalljes dhe rikthimit të marrëdhënieve të mira shqiptaro-jugosllave, të cilat rezistuan derisa Tiranës i duhej kjo, pra deri në vitin 1981.

E njëjta gjë ndodh sot. Dhe për këtë unë nuk fajësohet Skënderbeun që në Serbi kishte aleatin e tij në luftën kundër forcave osmane, pasi në kushtet e asaj kohe aleanca e tij i ngjante aleancës së vitit 1968 midis Beogradit e Tiranës, për të përballuar “një fuqi jashtëballkanike”! Ndërkohë këtë histori bashkëpunimi e kanë shfrytëzuar me mjeshtri edhe në Beograd, madje edhe në Athinë e gjetkë kur elaboruan tezën “Ballkani – ballkanasve”, e cila teorikisht e donte rajonin të pavarur nga Fuqitë e Mëdha e praktikisht synonin izolimin e shqiptarëve nga aleatët e mëdhenj e të natyrshëm, si SHBA-të dhe BE.

A do të shkojë Beogradi drejt këtij synimi edhe në rastin konkret? Askush nuk jep munimumin e garancive se udhëheqësit politikë të Serbisë nuk kanë në projekt “izolimin” e rajonit nga “ndikimet e Fuqive të Mëdha”, se ata kanë hequr dorë nga ideja e “neutralitetit” me NATON, ndërkohë që armatosen nga ana e Rusisë!

Së dyti, Jugosllavia e Re ka imponuar rimohimin dhe ridënimin e Gjergj Fishtës. Opinionistë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, edhe pse pretendojnë të bëjnë shkrimtarin, kanë filluar të anatemojnë veprën e shkrimtarit dhe atdhetarit të madh shkodran, kandidat për çmimin Nobel në letërsi. Por fenomeni nuk është i rastësishëm. Kur forcat komuniste të ardhura me dhunë në pushtet më 1944 u lidhën ngushtësisht me Beogradin, atyre kjo lidhje iu kushtëzua me dënimin e veprës dhe emrit të Gjergj Fishtës dhe shpalljen e tij si heretik për sistemin dhe marrëdhëniet e ngrohta shqiptaro-jugosllave.

Gjasat janë që edhe në këtë periudhë të ringjalljes së “vëllazërim-bashkimit” të shihet ridënimi i Gjergj Fishtës, si shenjë vullneti për lidhjet dhe projektete e sotme. Te ky përfundim nuk shkohet vetëm pse dikush i përkëdhelur i pushtetit të miqësive me presidentin e Serbisë anatemon veprën e Fishtës e sidomos palcën e saj, Lahutën e Malcisë. Ka edhe arësye tjera. Fishta nuk është rehabilituar ende. Ai nuk është futur në tekstet shkollore, ndërkohë që objektet historike të lindjes dhe shërbimeve e shkollimit të tij janë lënë në harresë e në mëshirë të fatit, në rrënim të plotë. Po të kish qenë gjeneral i ushtrisë partizane e të kish udhëhequr procesin e vllazërimit të shqiptarëve me serbët në vitet 1944-1945 në Kosovë, ai do të kishte mirënjohje e monumente pafund!

Por është një shkrimtar nacionalist dhe shihet si rrezik për marrëdhëniet e ngrohta më Serbinë si dhe për projektin e ri të krijimit të Jugosllavisë së Re. Kjo qasje është e rrezikshme. Shqipëria nuk i ka kërkuar kurrë Beogradit të dënojë veprat – progrome të shfarosjes fizike të shqiptarëve si ato te Vasa Çubrilloviçit, Vladan Gjorgjeviçit, Ivo Andriçit, Cvijiçit apo themeluesit te ideologjisë serbe antishqiptare Vuk Karaxhixhiçit e ato te fundit të shekullit XVIII, të cilët ishin  frymëzues të dhunës e terrorit serb kundër shqiptarëve. Përkundrazi kryeministri shqiptar i citon disa prek këtyre figurave antishqiptare me premisë pozitiviteti në Brograd e qytetet e tjera të Serbisë?!

Së treti, në Serbi ekziston mendimi i përgjithshëm se “shqiptarët e mirë janë shqiptarët e Shqipërisë, ndërsa shqiptarët e këqinj janë ata të Kosovës”. Me qëllim mbështetjen e kësaj teze të pavërtetë e dashakeqëse, përçarëse dhe fyese Tirana zyrtare ka aktivizuar median dhe qarqe të caktuara të  kulturës sonë që të “zbulojnë” diferencat midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, sipas parimit të ndarjes “E mira dhe e keqja”! E mira në këtë rast na paraqitet te gjuha, kultura dhe tradita e shqiptarëve të Shqipërisë, ndërsa “e keqja” shpallet si atribut i shqiptarëve të Kosovës.

Për të formuar një opinion të tillë dhe riaktivizuar atë fushatë antikosovare që media e majtë e mbështeti fuqishëm  në vitet ’90-ta janë vënë në veprim gazetarë, moderatorë, eksponentë të kulturës e artit e kështu me radhë, të cilët shkojnë deri te fyerjet dhe përçudnimi jo vetëm i kulturës së shqiptarëve të Kosovës, por dhe i personalitetit të tyre.

Së katërti, në propagandën dhe elaborimin e ndonjë analisti apo publicisti shqiptar, gjithnjë me afërsi e lidhje të veçanta me qeverinë aktuale, kemi hasur në trajtime të llojit “Serbët gjatë historisë së sundimit osman ishin e mira, ndërsa shqiptarët e turqit ishin në anën e së keqes”. Gazeta Mapo e para pak ditëve e solli në publik këtë lloj elaborimi të analistit përkatës. Nuk është vendi të provojmë të kundërtën e kësaj teze, sepse tashmë faktet e ngjarjet e trajtuara nga akademikë më famë botërore, si Noel Malcolm, Holm Sundhaussen, Konrad Clewing etj e kanë përgënjeshtruar këtë teze antishqiptare të qarqeve akademike e politike të Beogradit.

Por ky lloj trajtim që i bëhet në mënyrë të shtrembëruar historisë në momentin aktual, madje nga njerëz johistorianë në Shqipëri, duhet besuar se ka një prapavijë. Prapavija është e njohur, sepse është bërë publike në historiografinë e Serbisëe: – Të rehabilitojë këto teza si për Betejën e Fushë Kosovës të 28 qershorit 1389 midis koalicionit ballkanik dhe ushtrisë osmane, si për betejën e vitit 1689 dhe atë të vitit 1737 midis një koalicioni austro-hungarez dhe Perandorisë Osmane. Betejat në Kosovë midis austrohungarezëve dhe osmanëve janë shfrytëzuar nga nacionalizmi serb që të përligjet teza serbe se Kosova deri në këtë kohë ishte e banuar nga popullsi shumicë me etni sllavo-serbe, pasi, sipas propagandës së Beogradit, shqiptarët bashkë me turqit ushtruan dhunë kundër serbëve në Kosovë dhe ata u shpërngulën në drejtim të veriut të Ballkanit dhe Europës Qendrore, kryesisht në Hungari.

Noel Malclom, Holm Sundhaussen, Konrad Clewing dhe të tjerë historianë me emër në Europë dhe SHBA, bazuar në korespondencat dhe kronikat e kohës, të cilat i kanë gjetur në arkivat përkatëse, kanë provuar të kundërtën. Ata sjellin prova se Pjetër Bogdani ishte udhëheqësi i koalicionit të shqiptarëve me ushtrinë austro-hungareze kundër Perandorisë Osmane dhe se “eksodi i madh serb’ ishte një sajesë e historiografisë në Beograd. Por ja që dikush këtu në Tiranë, dikush pranë kryeministrit shqiptar, hidhet në ofensivë politike dhe i trajton ngjarjet historikë në optikën e propagandës së Serbisë.

Së pesti, në momentin që Mali i Zi u pranua në NATO, të njëjtët zëra proserbë në Tiranë hodhën tezën e papranueshme se “malazezët janë me origjinë etnike serbe”, duke u dhënë atyre të njëjtin status, të cilin e preferojnë në Beograd. Në kushtet e konfliktit midis opozitës proserbe dhe proruse të Malit të Zi dhe forcave qeveritare properendimore, kjo tezë është më shumë se politike, është konfliktuale, përveçse e paprovuar dhe e motivuar politikisht në funksion të një shërbimi politik ndaj nacionalizmit konfliktual të Serbisë.

Ndërsa nga pikëpamja historike do mjaftonte që autori i kësaj teze të mbrapshtë të lexonte historianin e shquar kroat, Milan Shuflai dhe do të kuptonte se malazezët kanë një lidhje gjenaologjike historike me shqiptarët e jo me serbët, pavarësisht gjuhës dhe besimit fetar që ata kanë. Por Shuflai ishte eleminuar në vitin 1933 në një atentat nga ekstremistë nacionalistë të Serbisë, pikërisht për shkak të provave që paraqet në këtë aspekt historik. Ndaj nuk guxon bashkëpunëtori i Beogradit së paku të alternojë argumentet e tij me provat e një historiani të ekzekutuar nga nacionalistët serbë.

Së gjashti, në këtë strategji bën pjesë propaganda në përkrahje të Kosovës dhe pengesat artificiale në marrëdhëniet me të. Shihni ç’ndodh me marrëdhëniet tregëtare, me të famshmen linjë të tënsionit të lartë me lidhje ndërkombëtare midis të dy vendeve, me investimet infrastrukturore ndërkufitrae, me politikat doganore dhe tatimore, me iniciativat ligjore për liberalizimin e tregtisë së lirë midis nesh. Gjithçka është përkeqësuar në krahasim me periudhat e mëparshme e ndërkohë gjithçka ka ndodhur së prapthi.

Show televiziv me mbledhje të përbashkëta qeverish nga njëra anë dhe përkeqësim i marrëdhënieve shtetërore, por jo edhe miqësore midis eksponentëve të politikës së të dy kryeqyteteve, nga ana tjetër nuk i ka ndihëmuar procesit të pajtimit shqiptaro-shqiptar. Megjithatë propaganda e Tiranës zyrtare është intensifikuar për pajtimin shqiptaro-serb.

Ajo çfarë shihet qartë është injorimi dhe përçudnimi  kulturor dhe intelektual i shqiptarëve të Kosovës, i elitës së saj politike, kulturore, artistike, akademikë, universitare, gjë që ka çuar në injorimin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Janë zhvilluar pesë samite të përbashkëta të liderëve të Ballkanit në këto tri vite, me qëllim mbajtjen e frymës integruese në rajon. Janë diskutuar projekte dhe problematika politike pa fund. Por nuk ka asnjë rast kur Prishtina dhe Tirana të jenë rekorduar me këto projekte, ide dhe opcione të diskutuara e miratuara në Berlin, Paris, Vjenë, Trieste. Pse? Sepse aranzhimi i qeverisë shqiptare shkon në favor të Serbisë dhe Beogradit. Nëse shohim projektet e fundit që u miratuna në Trieste, kuptojmë edhe më mirë se në çfarë dite të hallit janë marrëdhëniet e Prishtinës dhe Tiranës!!!

Në këtë kuptim analiza e thelluar e një procesi të krijimit të Jugosllavisë së Re na çon në përfundimin se krijon kushte për avancimin e politikave të Serbisë në Ballkan dhe izolimin e mëtutjeshëm të shteteve shqiptare dhe të vetë shqiptarëve në rajon. Bashkëpunimi i një pjese të segmentit politik shqiptar me Serbinë në disfavor të segmenteve të tjera është shkaku kryesor i defaktorizimit të shqiptarëve në projektet europiane për rajonin.

Së shtati, iniciativa të tilla nuk dalin përtej kontekstit gjeopolitik. Cili është impakti i një asosacioni ballkanik, çfarë është projektuar tani? Koha do të provojë të vërtetën. Por një analizë historike në aspektin gjeopolitik na çon në përfundimin se çdo lidhje e kësisoji (jo çdo bashkëpunim) me Serbinë dhe aleatët e saj në Ballkan i defaktorizon shqiptarët në raport me interesat e Fuqive të Mëdha. Kjo iniciativë bën që prania dhe ndikimi rus në Ballkan të rritet e forcohet, sepse legjitimon politikën “e asnjanësisë” së Serbisë dhe shteteve të tjera me dominim sllav në Ballkan, politikë e cila nuk adresohet kundër Moskës, por kundër SHBA-ve dhe NATO-s.

Së paku kjo nismë do ta dobësojë rolin e këtyre dy aktorëve dhe faktorëve gjeopolitikë në botë e në rajonin tonë. Nëse ndodh kjo, çfarë fitojnë shqiptarët në Ballkan?! Fitojnë statusin e periudhës së Jugosllavisë së Vjetër! Rikthehen në pikën zero! Bëhen viktimë e politikave gjeopolitike të Beogradit e të Moskës.

Dhe së fundi, duket se është sajuar dhe një artific tjetër me qëllim që të provohet “besnikëria” e palës shqiptare dhe përkushtimi i saj për projektin e Jugosllavisë së Re. Ky artific lidhet thjesht me emrin e Ballist Morinës dhe ekstradimin ose dënimin e tij për shkak të dronit në stadiumin e Beogradit. Asokohe Ballist Morina ishte heroi i aktorit shqiptar të “vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb”, sepse në stilin e këshillës maoiste shërbeu për “të turbulluar ujërat”, që të vihej re distanca që do bënte kryeministri i Shqipërisë nga “Droni” deri te miqësitë e ngushta?! Tani ai duhet dënuar, denigruar dhe ndëshkuar si provë e besnikërisë ndaj Beogradit!!! Kjo lojë e fëlliqtë politike të bën të vjellësh edhe limonin, jo më mbeturinat e lëna nga diktatori komunist në lidhje me marrëdhëniet vëllazërore me serbët dhe “miqësore” me shqiptarët e Kosovës!!!

Megjithatë në këtë arësyetim ndodhemi me të drejtë para një dileme të tillë: Pse atëherë Brukseli e mbështet një iniciativë si kjo, për krijimin e një bashkësie shtetesh në modelin e një Jugosllavie të Re?! Eshtë shumë e thjeshte: Në Bruksel ka krizë, krizë identiteti, krizë të bashkëpunimit të politikave, krizë ekonomike e financiare, krizë refugjatësh, e cila nuk prek aktorët e tjerë gjeopolitikë,  burokraci pa fund dhe të gjitha këto çojnë në një projekt zgjidhjeje të konsideruar si “të ndërmjetëm”!

Eshtë normale që në Bruksel të përpiqen të mos i lidhin procese të tilla me gjeopolitikën. Por fakti është ndryshe. Eksperienca politike na provon të kundërtën! Atëherë ç’duhet bërë? Duhet që shqiptarët të projektojnë të ardhmen e vetëvetes, gjithnjë në raport me aktorët e faktorët gjeopolitikë në botë, për të na nxjerrë nga kurthi i kryqëzimit të interesave të Fuqive të Mëdha! Eshtë krejt e sigurt se një bashkësi shtetesh ballkanike nuk i shërben kësaj, përkundrazi na shndërron në një fushë beteje të luftës imperiale gjeopolitike. Mendja e ndame është gjysma e punës. Pozicionimi i prerë, unik, pa mëdyshje, ma stilin ramizist “as me Lindjen, as me Perendimin” është e vetmja zgjidhje. Jugosllavia e Re të ofron zgjidhje tjetër, jo zgjidhjen gjeopolitike, të cilën e duan shqiptarët!

Dhe nga ana tjetër shtrohet pyetja nëse krijimi i një asosacioni të tillë është apo jo objektiv, çka do të thotë funksionon si një lidhje objektive, legjitime ose jo?!Le të pranojmë se qëllimi është i mirë, autorët dhe aktorët nisen nga ndjenja fisnike dhe implementimi i vlerave reale të një tregu të përbashkët ose të një bashkësie shtetesh të përbashkëta! Po cili është realiteti objektiv, mbi bazën e të cilit do të ndërtohet kjo strukturë e re shtetërore ose supershtetërore në rajonin tonë?

Realitet objektiv konsiderohet çdo zhvillim aktual politik në rajon, madje edhe përpjekja për të implementuar një sistem qeverisës funksional liberal e demokratik. Por çfarë shohin qytetarët e rajonit tonë në fakt?

Një iniciativë si kjo kërkon të ballafaqohet me principet bazë të funksionimit legjitim të një bashkësie, çfarë në Paris, Berlin e Bruksel është parashikuar në rastin konkret. Një nga studiuesit e shquar të teorisë së legjitimitetit, Peter Burgas,shkruan se  krijimi i çdo shteti bazohet në një princip të caktuar, princip i cili garanton legjitimitetin e tij. Ai thotë se ky princip është i pavarur nga konteksti i kohës dhe hapësirës, ndërkohë që është konkret në konteksin në të cilin krijohet një shtet. (J. Peter Burgess: Culture and Rationality. European Frameworks of Norwegian Identity, Kristiansand 2001, 30).

Kjo vlen si për krijimin e shteteve nacionale dhe atyre qytetare e federale, por edhe për bashkësitë e shteteve, të cilat hyjnë në një lidhje politike, ekonomike e sociale të detyrueshme e të përcaktuar sipas një statuti ose kushtetute ligjore, me të cilën rregullohen marrëdhëniet e shteteve dhe popujve përkatës.

Tregu i Përbashkët Ballkanik, ose Jugosllavia e Re është një rast i tillë. Legjitimiteti i saj është jo vetëm i diskutueshëm ,por edhe i kontestueshëm, sepse propozimi ka ardhur nga një vend i caktuar, Serbia, është përpunuar dhe elaboruar në konferenca të shumta ndërkombëtare jashtë principit të pjesmarrjes së qytetarëve për t’u përfshirë në vendimmarrje. Pra është një vendim tashmë i miratuar në Trieste, por i padiskutuar, madje i mohuar nga elitat politike joserbe, po të kemi parasysh se kryeministri i Shqipërisë e quan këtë projekt si “broçkull”, pra si një fantazi të medies dhe njerëzve që kuptojnë se çfarë ndodh pas kulisave, ose që i përkthejnë me realizëm projekte të tilla!

Debati për legjitimitetin dhe jolegjitimitetin është zhvilluar historikisht midis dy grupimeve; – universalistëve dhe realistëve. Universalistët ushqehen me parimet dhe vlerat universale, siç janë psh liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, tregu i përbashkët, konsumi i përbashkët, mundësia për ligje universale të përbashkëta, madje dhe për rregulla ligjore institucionale të përbashkëta. Eshtë ky grupim që mbështet me ngulm krijimin e një Tregu të Përbashkët Ballkanik ose krijimin e një Jugosllavie të Re. Në rastin konkret niversalistët më entusiaztë gjenden në Bruksel, Paris, Berlin, si dhe në Serbi.

Liderët e vendeve të tjera ballkanike si Shqipëria i bashkohen kësaj rryme për interesa pragmatike dhe nuk besohet se angazhimi i tyre për këtë asosacion të ri buron nga nocione universale të ndërgjegjësuara. Megjithatë midis “universalistëve” serbë dhe atyre europianë ka një dallim thelbësor:- Pas humbjes së luftrave dhe dështimit të Jugoslavive të mëparshme, Beogradi dëshiron krijimin e një Jugosllavie të Re, jo për të respektuar parimet universale, por ato nacionaliste, dmth për ta dominuar zonën e ashtuquajtur “Jugosllavi e RE”! Nuk ka ditë që udhëheqësit politikë dhe liderët shtetërorë në Beograd nuk theksojnë angazhimin e tyre “për mbrojtjen e interesave të Serbisë”, madje me çdo çmim!

Në BE dhe vendet e saj entusiazmi është gjithashtu i madh, sepse në këtë rast parimi universal i shërben disa objektivave: Njëri prej tyre është shtyrja në afate të pacaktuara e integrimit europian të këtij rajoni. E kurthuar dhe e rënduar me problemet e brendshme të disintegrimit të vet, BE po krijon mekanizma lehtësues për të rikthyer imazhin dhe forcën e para 10 viteve. Nga ana tjetër Brukselit dhe kryeqyteteve europiane ju intereson një treg i gjerë konsumi dhe investimesh. Kjo bashkësi e re krijon një treg me 20 milionë banorë. Në kushtet e ekzistencës së disa shteteve, secili me një-dy-tre milionë banorë, përveç Serbisë, rajoni nuk paraqet interes për investime dhe rritjen e angazhimit europian për zgjerimin e tregut ekonomik, tregtar e financiar. Kryesore është se Brukseli dhe liderët europianë besojnë se kjo formulë prodhon stabilitet, paqe dhe siguri në rajon. Madje besohet se BE do të tolerojë autoritarizmin oligarkik të krijuar në të gjitha vendet që do të duhet t’i bashkohen Jugosllavisë së Re, mjafton që stabiliteti të ruhet për një kohë afatgjatë.

Por çfarë thonë relativistët? Për këta të drejtat universale janë të lidhura me identitetin nacional, kulturor, gjuhësor, si dhe me funksionimin e institucioneve. Atëherë çfarë përfaqësojnë elitat ballkanike të kohës së sotme në vendet e Ballkanit Perendimor? Janë ata universalistë apo nacionalistë?! Nëse kthejmë kokën dhe shohim të shkuarën apo të analizojmë veprimtarinë e sotme të tyre, atëherë ne do të vemë re se kjo elitë ballkanike është jo vetëm realiste, por ekstremisht e kurthuar në mbrojtje të nacionalizmave, të cilat kanë shpërbërë tri Jugosllavitë e mëparshme si dhe një mbretëri, të ashtuquajtur “Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene” e viteve 1918-1929.

Henri TAM shkruan se relativistët besojnë se vlerat e njerëzve janë të ndryshme dhe është e pakuptimtë që të flitet për vlera të përbashkëta kur çdo grup ka nacionalitetin e tij, zakonet e traditat e tij, gjuhën e veçantë, shkurt kur secili prej tyre shpreh kulturën e vet. (Henry TAM: Communitarianism: A New Agenda for Politics and Citizenship, Basingstoke, 1998, 14). A është ky përcaktim një realitet ballkanik? Nuk mundet që dikush do të kontestojë faktin se rajoni i Ballkanit vuan gati njësoj si në shekullin e kaluar edhe në këto momente sëmundjen e nacionalizmit. Dhe për këtë fajtori kryesor është inciatori i kësaj nisme të krijimit të Jugosllavisë së Re, pra Serbia, e cila ka krijuar një hendek të jashtëzakonshëm me luftrat e saj të dhjetvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar kundër thuajse të gjithë popujve joserbë në rajon, me të cilët tani kërkon të krijojë “unionin e përbashkët ballkanik”!!!

Nëse udhëheqësit e Beogradit do të ishin universalistë të besueshëm, atëherë ata së paku në respekt të vlerave universale do të duhej të kërkonin ndjesë dhe të shpreheshin të gatshëm të paguanin dëmet e luftës që u kanë shkaktuar popujve të tjerë me të cilët dëshirojnë të krijojnë një bashkësi marrëdhëniesh të ndërvarura. Nëse do të ishin të tillë ata do të duhej me kohë t’i kishin zgjidhur të gjitha konfliktet me shtetet që dolën nga Jugosllavia. Por Beogradi ende nuk ka njohur shtetin e Kosovës, ndërkohë që është bërë aktiv në destabilizimin e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Para pak ditësh u njoftua nga mediat serbe se në Beograd është krijuar një task-forcë për të lobuar e parandaluar pranimin e Kosovës në Interpol dhe UNESKO. Kush mund të besojë në këto kushte se ky Tregu i Përbashkët Ballkanik apo kjo Jugosllavia e Re mund të bëhet legjitime në kushte të tilla, kur vendi lobues dhe iniciator bën diversion të vazhdueshëm kundër shteteve të reja?! Relativistët shohin se mungon legjitimiteti i një inciative të tillë, sepse mungojnë kushtet themelore për të ndërtuar një bashkësi shtetesh më interesa, kulturë, gjuhë, strategji dhe projeksione të ndryshme.

Prandaj për të mbërritur te një arësyetim logjik, do të duhej që t’i drejtohemi një kategorie tjetër të realpolitikës, objektivitetit. Cassell Pocket English Dicktionary e definon objektivitetin si tendenz e cila i jep përparësi asaj çfarë është objektive dhe si teori synon realitetin objektiv, një realitet, i cili është fakt, i ndryshëm nga realiteti subjektiv dhe i painfluecuar nga ndjenjat, triket, paragjykimet. (Sabrina P. Ramet: Die drei Jugoslaëien – Eine Geschichte der Staatsbildungen und ihrer Probleme, Muenchen 2011, 42).

Nëse e shohim të tillë këtë realitet, atëherë do të duhet që të analizojmë me korrektësi objektivitetin e kësaj iniciative. Nuk është korrekte të flasësh për bashkësi shtetesh, kur asnjëri shtet nuk ka vënë ende paqen me shtetin tjetër! Eshtë krejt e pamjaftueshme nëse dy liderë, ai i Serbisë dhe ai i Shqipërisë, vendosin ura bashkëpunimi midis tyre, ndërkohë që problemet dhe konfliktet janë aty! Nuk është objektive që të synohet një iniciativë e kërkuar njëanshëm në emër të dominimit të vendit iniciator! Nuk është korrekte dhe objektive që nisma të tilla të kalohen me vullnetin e liderëve autoritarë dhe oligarkë, të cilët shohin në raste të tilla pragmatizmin e mbijetesës dhe zgjatjes së sundimit të tyre në vendet përkatëse të Ballkanit Perendimor! Nuk është objektivisht i legjitimiar procesi, nëse për këtë nismë nuk shprehen qytetarët e shteteve dhe vendeve përkatëse, përfshirë dhe Kosovën!

Objektivisht Kosova do të bëhet pengesë e krijimit të Jugosllavie të Re, viktimë e së cilës do të jetë, njësoj siç ishte në periudhën e shekullit të XX nen Jugosllavitë e tjera! Atëhere ndoshta do të konstruktohej një Jugosllavi pa Kosovën?! Cfarë legjitimiteti do të kishte kjo lloj Jugosllavie dhe çfarë impakti do të kishte ajo nëse Shqipëria bëhej pjesë e saj?! Janë një sërë pyetjesh e pikëpyetjesh, të cilat duan përgjigjen përkatëse dhe diikush do të duhet t’i zbërthejë këto dilema!

Ndërsa rezultantja historike e Jugosllavive të kaluara na garanton për mossuksesin e në “Jugosllavie të Re”!  Në Ballkan lëvizjet për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane nisën që në kohën e luftrave napoleonike. Gjatë këtij procesi dhe krijimit të shteteve të reja lindi në shekullin e XIX edhe ideja e krijimit të një bashkësie shtetesh sllave në gadishullin ilirik. I pari që hodhi idenë e një “Jugosllavie” ishte prifti i Gjakovës, Josip Juraj Strossmayer. Pas Luftrave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore lindi ajo që u quajt “Mbretëria Serbo-Kroate Sllovene”.

Krijimi i kësaj mbretërie prodhoi një konflikt permanent midis serbëve nga njëra anë dhe kroatëve, maqedonasve, hungarëve në Vojvodinë dhe shqiptarëve në Kosovë e territoret e Maqedonisë e Malit të Zi. Lindën kësisoj parti radikale dhe lufta politike dhe etnike u shfaq me brutalitet në të gjitha strukturat e shtetit e të shoqërisë, derisa në qershor 1928  u vranë në parlament katër deputetë kroatë, ndër ta dhe udhëheqësi kroat Stjepan Radiç. Vrasësit ishin serbët, madje të kyçur dhe në strukturat e organizatave nacionaliste të kohës!  Me këtë rast mbreti Aleksandër Gjorgjeviç thirri në janar 1929 diktaturën mbretërore, duke kufizuar dhe eleminuar parlamentarizmin dhe udhëhoqi procesin e krijimit të një kushtetute të re me të cilën Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene u thirr Jugosllavi.

Historia e Jugosllavisë së pas Luftës së Dytë Botërore ose të AVNOJ-t është e njohur. Një histori dramash e njëkohësisht suksesesh në krahasim me bllokun komunist të lindjes, por asnjëherë një histori stabiliteti dhe e sigurt për shkak të konflikteve etnike. Konflikti etnik u thellua sidomos në marrëdhënie me shqiptarët, të cilët në fillim në Konferencën e Bujanit kërkuan bashkim me Shqipërinë dhe më vonë barazi me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë. Pabarazia prodhoi konfliktin permanent, derisa shtoi ambicjet nacionalist të shtetit të madh serb dhe shkaktoi luftërat e përgjakshme të viteve 1990.

Si konkluzion lidhur me aspektin historik mund të thuhet se krijimi i Jugosllavisë së Re nëse realizohet, do të implementohet në kushtet e pabarazisë midis vendeve anëtare të saj. Pabarazia do të prodhojë ndoshta fillimisht konflikt social, por ky konflikt do të instrumentalizohet nga forcat nacionaliste e do të shndërrohet ne konflikt etnik. Pabarazia në start të krijimit të kësaj bashkësie është evidente dhe e pakontestueshme si në rrafshin politik, etnik, social, ekonomik. Prandaj krijimi i një Tregu të Përbashkët Ballkanik ose një Jugosllavie të Re shihet si e pamundshme, ose së paku jo realiste dhe jo produktive!

Dhe së fundi, tashmë duket qartë se interesa të shumta luhen në Ballkanin Perendimor ende të padefinuar me hartën e tij të re politike. Putin në krah të Serbisë dhe Erdogan në krah të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare duket se kanë për qëllim t’i lëvizin gurët drejt një konflikti të ri në rajon. Iniciativa europiane e “Tregut të Përbashkët Ballkanik” nuk mund të jetë zgjidhje për të mënjanuar prezencën ruse e turke, sepse kjo iniciativë nuk llogarit para së gjithash faktorin amerikan. Hapur duket se synohet largimi i rusëve dhe erdoganistëve nga rajoni. Por miqësitë e ngushta të të dy palëve, Beogradit me Moskën dhe Tiranës e Prishtinës me Ankaranë nuk japin ndonjë shans në këtë drejtim. Aq më tepër kur qeveria serbe po armatos ushtrinë e vendit të saj me armë moderne ruse dhe qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës për pak investime turke po i nënshtrohen presioneve politike të shumta që bën Ankaraja.

Nëse do të ketë një prani ruso-turke në rajon, atëherë do të ketë një konflikt të ri për definimin e kufijve të rinj. Nëse do të ketë prani amerikane, atëherë do të ketë stabilitet, paqe dhe siguri. Iniciativa europiane e Jugosllavisë së Re, e ideuar nga presidenti i Serbisë, zoti Vuçiç, e përjashton praninë amerikane në rajon, ndërkohë që duket sikur drejtohet kundër ambicjeve ruse e turke në Ballkan. Në fakt këto ambicje është vështirë të përjashtohen nëse kemi parasysh se BE nuk është aq e fuqishme sa të përballet me to. Vetëm amerikanët mund të sjellin stabilitet të qëndrueshëm dhe një gjeorealpolitikë në paqe, siguri, bashkëpunim e mirëkuptim. Vetëm me ganancitë amerikane çdo iniciativë europiane do të ishte e suksseshme!

Pjesa e dyte

Procesi i krijimit të një bashkësie ballkaniko-perendimore, e modelit të një Jugosllavie të Re është kompleks, me disa angazhime politike dhe jo vetëm politike. Si në çdo projekt madhor edhe në rastin konkret bëhen llogaritë e opinionit publik, se si do të reagojë ai për inicativa si këto.

Në Shqipëri prej kohësh është aktivizuar linja e propagandës së “pajtimit” me Serbinë! Kjo do të ishte normale në kushtet e stabilitetit politik të rajonit, sepse dasitë historike kërkojnë një angzhim publik për të përafruar politikat me këtë opinion. Nëse do të kishim një realitet normal të marrëdhënieve politike midis vendeve të rajonit, atëhere edhe mjetet, format, rrugët e përpunimit të opinionit do të ishin origjinal, bashkëkohor, në pajtim me vlerat universale të marrëdhënieve midis kombeve, popujve e shteteve si dhe të atyre njerëzore.
Por nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë që në kushtet e sotme të konfliktit permanent për interesa gjeopolitike dhe jo gjeopolitike në Ballkan, të kishim argumente, fakte, të dhëna që të çojnë te një pajtim substancial midis serbëve dhe shqiptarëve, midis serbëve dhe kroatëve, midis serbëve dhe boshnjakëve e më gjerë. Kroacia lihet jashtë dhe kjo ia lehtëson punën ideatorëve dhe autorëve të kësaj bashkësie, pasiqë një Kroaci e fuqishme nuk është në interesin e Serbisë të ishte pjesë e saj. Por le të kthehemi te procesi parapërgatitor psikologjik:

Në Shqipëri prej kohësh është projektuar aksioni i “pajtimit shqiptaro-serb”! Por fatkeqësisht ky projeksion është huazuar nga modeli i kohës së vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb i viteve 1941-1948. Të gjitha nismat janë identike, të gjitha predikimet historike dhe aktuale duken se janë harmonizuar identikisht si para 70-75 viteve. Në mënyrë të sipërfaqshme mund të shtjellojmë disa prej tyre:

Së pari, është hedhur në treg mediatik formula e “miqësisë” së familjes Kastrioti me principatat serbe të Mesjetës. Për këtë ka dalë në këtë treg përpunimi i opinionit me idenë se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane ishte një “kombinim” shqiptaro-sllav, pasiqë “nëna e Skënderbeut ishte me përkatësi etnike serbe”. Nuk është fjala dhe vendi për të diskutuar nëse Vojsava, pra nëna e Gjergj Kastriotit, ishte ose nuk ishte serbe. Këtë nuk e vendosim dot sot, kur diskutimi është kontravers dhe një palë historianësh e pohojnë e një palë tjetër e mohon, ndërkohë që ende nuk ka një të dhënë të saktë për këtë.
Çeshtja shkon përtej kësaj. Pse opinionistët po i elaborojnë të dhënat historike sipas shijes së zhvillimeve aktuale në rajonin tonë?! Gjithkush e kupton se qëllimi është t’u thuhet shqiptarëve se “ne nuk kemi vetëm histori luftrash me serbët dhe Serbinë, kemi pasur edhe periudha bashkëpunimi dhe madje miqësie me ta”.

A është e dobishme apo e dëmshme kjo? Kjo nuk mund të pohohet, as të përgenjështrohet. Por di që diktatura për herë të parë e ngriti në piedestal Skënderbeun (1968) dhe me këtë akt nënshkroi përmirësimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore e arësimore me Jugosllavinë, deri në atë masë sa atë vit (gusht apo gjashtë muaj pas manifestimeve të bujëshme për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut), kur tanket ruse marshuan në Pragë, të dy vendet, Shqipëria e Jugosllavia shpallën aleancën e përbashkët ushtarake përballë kërcënimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Skënderbeu ishte pararendës i ringjalljes dhe rikthimit të marrëdhënieve të mira shqiptaro-jugosllave, të cilat rezistuan derisa Tiranës i duhej kjo, pra deri në vitin 1981.
E njëjta gjë ndodh sot. Dhe për këtë unë nuk fajësohet Skënderbeun që në Serbi kishte aleatin e tij në luftën kundër forcave osmane, pasi në kushtet e asaj kohe aleanca e tij i ngjante aleancës së vitit 1968 midis Beogradit e Tiranës, për të përballuar “një fuqi jashtëballkanike”!

Ndërkohë këtë histori bashkëpunimi e kanë shfrytëzuar me mjeshtri edhe në Beograd, madje edhe në Athinë e gjetkë kur elaboruan tezën “Ballkani ballkanasve”, e cila teorikisht e donte rajonin të pavarur nga Fuqitë e Mëdha e praktikisht synonin izolimin e shqiptarëve nga aleatët e mëdhenj e të natyrshëm, si SHBA-të dhe BE.

A do të shkojë Beogradi drejt këtij synimi edhe në rastin konkret? Askush nuk jep munimumin e garancive se udhëheqësit politikë të Serbisë nuk kanë në projekt “izolimin” e rajonit nga “ndikimet e Fuqive të Mëdha”, se ata kanë hequr dorë nga ideja e “neutralitetit” me NATON, ndërkohë që armatosen nga ana e Rusisë!

Së dyti, Jugosllavia e Re ka imponuar rimohimin dhe ridënimin e Gjergj Fishtës. Opinionistë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, edhe pse pretendojnë të bëjnë shkrimtarin, kanë filluar të anatemojnë veprën e shkrimtarit dhe atdhetarit të madh shkodran, kandidat për çmimin Nobel në letërsi. Por fenomeni nuk është i rastësishëm.

Kur forcat komuniste të ardhura me dhunë në pushtet më 1944 u lidhën ngushtësisht me Beogradin, atyre kjo lidhje iu kushtëzua me dënimin e veprës dhe emrit të Gjergj Fishtës dhe shpalljen e tij si heretik për sistemin dhe marrëdhëniet e ngrohta shqiptaro-jugosllave. Gjasat janë që edhe në këtë periudhë të ringjalljes së “vëllazërim-bashkimit” të shihet ridënimi i Gjergj Fishtës, si shenjë vullneti për lidhjet dhe projektete e sotme.

Te ky përfundim nuk shkohet vetëm pse dikush i përkëdhelur i pushtetit të miqësive me presidentin e Serbisë anatemon veprën e Fishtës e sidomos palcën e saj, Lahutën e Malcisë. Ka edhe arësye tjera. Fishta nuk është rehabilituar ende. Ai nuk është futur në tekstet shkollore, ndërkohë që objektet historike të lindjes dhe shërbimeve e shkollimit të tij janë lënë në harresë e në mëshirëtë fatit, në rrënim të plotë.

Po të kish qenë gjeneral i ushtrisë partizane e të kish udhëhequr procesin e vllazërimit të shqiptarëve me serbët në vitet 1944-1945 në Kosovë, ai do të kishte mirënjohje e monumente pafund! Por është një shkrimtar nacionalist dhe shihet si rrezik për marrëdhëniet e ngrohta më Serbinë si dhe për projektin e ri të krijimit të Jugosllavisë së Re. Kjo qasje është e rrezikshme. Shqipëria nuk i ka kërkuar kurrë Beogradit të dënojë veprat – progrome të shfarosjes fizike të shqiptarëve si Vasa Çubrilloviçin, Vladan Gjorgjeviçin, Ivo Andriçin, Cvijiçin apo themeluesin e ideologjisë serbe antishqiptare Vuk Karaxhixhiçin e fundit të shekullit XVIII, të cilët ishin frymëzues të dhunës e terrorit serb kundër shqiptarëve. Përkundrazi kryeministri shqiptar i citon disa prek këtyre figurave antishqiptare me premisë pozitiviteti në Brograd e qytetet e tjera të Serbisë?!

Së treti, në Serbi ekziston mendimi i përgjithshëm se “shqiptarët e mirë janë shqiptarët e Shqipërisë, ndërsa shqiptarët e këqinj janë ata të Kosovës”. Me qëllim mbështetjen e kësaj teze të pavërtetë e dashakeqëse, përçarëse dhe fyese Tirana zyrtare ka aktivizuar median dhe qarqe të caktuara të kulturës sonë që të “zbulojnë” diferencat midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, sipas parimit të ndarjes “E mira dhe e keqja”! E mira në këtë rast na paraqitet te gjuha, kultura dhe tradita e shqiptarëve të Shqipërisë, ndërsa “e keqja” shpallet si atribut i shqiptarëve të Kosovës. Për të formuar një opinion të tillë dhe riaktivizuar atë fushatë antikosovare që media e majtë e mbështeti fuqishëm në vitet ’90-ta janë vënë në veprim gazetarë, moderatorë, eksponentë të kulturës e artit e kështu me radhë, të cilët shkojnë deri te fyerjet dhe përçudnimi jo vetëm i kulturës së shqiptarëve të Kosovës, por dhe i personalitetit të tyre.

Së katërti, në propagandën dhe elaborimin e ndonjë analisti apo publicisti shqiptar, gjithnjë me afërsi e lidhje të veçanta me qeverinë aktuale, kemi hasur në trajtime të llojit “Serbët gjatë historisë së sundimit osman ishin e mira, ndërsa shqiptarët e turqit ishin në anën e së keqes”. Gazeta Mapo e para pak ditëve e solli në publik këtë lloj alaborimi të analistit përkatës.

Nuk është vendi të provojmë të kundërtën e kësaj teze, sepse tashmë faktet e ngjarjet e trajtuara nga akademikë më famë botërore, si Noel Malcolm, Holm Sundhaussen, Konrad Clewing etj e kanë përgënjeshtruar këtë teze antishqiptare të qarqever akademike e politike të Beogradit.
Por ky lloj trajtim që i bëhet në mënyrë të shtrembëruar historisë në momentin aktual, madje nga njereëz johistorianë në Shqipëri, duhet besuar se ka një prapavijë. Prapavija është e njohur, sepse është bërë publike në historiografinë e Serbisëe: – Të rehabilitojë këto teza si për Betejën e Fushë Kosovës të 28 qershorit 1389 midis koalicionit ballkanik dhe ushtrisë osmane, si për betejën e vitit 1689 dhe atë të vitit 1737 midis një koalicioni austro-hungarez dhe Perandorisë Osmane.

Betejat në Kosovë midis austrohungarezëve dhe osmanëve janë shfrytëzuar nga nacionalizmi serb që të përligjet teza serbe se Kosova deri në këtë kohë ishte e banuar nga popullsi shumicë me etni sllavo-serbe, pasi, sipas propagandës së Beogradit, shqiptarët bashkë me turqit ushtruan dhunë kundër serbëve në Kosovë dhe ata u shpërngulën në drejtim të veriut të Ballkanit dhe Europës Qendrore, kryesisht në Hungari. Noel Malclom, Holm Sundhaussen, Konrad Clewing dhe të tjerë historianë me emër në Europë dhe SHBA, bazuar në korespondencat dhe kronikat e kohës, të cilat i kanë gjetur në arkivat përkatëse, kanë provuar të kundërtën.

Ata sjellin prova se Pjetër Bogdani ishte udhëheqësi i koalicionit të shqiptarëve me ushtrinë austro-hungareze kundër Perandorisë Osmane dhe se “eksodi i madh serb’ ishte një sajesë e historiografisë në Beograd. Por ja që dikush këtu në Tiranë, dikush pranë kryeministrit shqiptar, është hidhet në ofensivë politike dhe i trajton ngjarjet historikë në optikën e propagandës së Serbisë.

Së pesti, në momentin që Mali i Zi u pranua në NATO, të njëjtët zëra proserbë në Tiranë hodhën tezën e papranueshme se “malazezët janë me origjinë etnike serbe”, duke u dhënë atyre të njëjtin status, të cilin e preferojnë në Beograd. Në kushtet e konfliktit midis opozitës proserbe dhe proruse të Malit të Zi dhe forcave qeveritare properendimore, kjo tezë është më shumë se politike, është konfliktuale, përveçse e paprovuar dhe e motivuar politikisht në funksion të një shërbimi politik ndaj nacionalizmit konfliktual të Serbisë.

Ndërsa nga pikëpamja historike do mjaftonte që autori i kësaj teze të mbrapshtë të lexonte historianin e shquar kroat, Milan Shuflai dhe do të kuptonte se malazezët kanë një lidhje gjenaologjike historike me shqiptarët e jo me serbët, pavarësisht gjuhës dhe besimit fetar që ata kanë. Por Shuflai ishte eleminuar në vitin 1933 në një atentat nga ekstremistë nacionalistë të Serbisë, pikërisht për shkak të provave që paraqet në këtë aspekt historik.

Ndaj nuk guxon bashkëpunëtori i Beogradit së paku të alternojë argumentet e tij me provat e një historiani të ekzekutuar nga nacionalistët serbë.

Së gjashti, në këtë strategji bën pjesë propaganda në përkrahje të Kosovës dhe pengesat artificiale në marrëdhëniet me të. Shihni ç’ndodh me marrëdhëniet tregëtare, me të famshmen linjë të tënsionit të lartë me lidhje ndërkombëtare midis të dy vendeve, me investimet infrastrukturore ndërkufitrae, me politikat doganore dhe tatimore, me iniciativat ligjore për liberalizimin e tregtisë së lirë midis nesh. Gjithçka është përkeqësuar në krahasim me periudhat e mëparshme e ndërkohë gjithçka ka ndodhur së prapthi.

Show televiziv me mbledhje të përbashkëta qeverish nga njëra anë dhe përkeqësim i marrëdhënieve shtetërore, por jo edhe miqësore midis eksponentëve të politikës së të dy kryeqyteteve, nga ana tjetër nuk i ka ndihëmuar procesit të pajtimit shqiptaro-shqiptar. Megjithatë propaganda e Tiranës zyrtare është intensifikuar për pajtimin shqiptaro-serb.
Ajo çfarë shihet qartë është injorimi dhe përçudnimi kulturor dhe intelektual i shqiptarëve të Kosovës, i elitës së saj politike, kulturore, artistike, akademikë, universitare , gjë që ka çuar në injorimin e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Janë zhvilluar pesë samite të përbashkëta të liderëve të Ballkanit në këto tri vite, me qëllim mbajtjen e frymës integruese në rajon. Janë diskutuar projekte dhe problematika politike pa fund. Por nuk ka asnjë rast kur Prishtina dhe Tirana të jenë rekorduar me këto projekte, ide dhe opcione të diskutuara e miratuara në Berlin, Paris, Vjenë, Trieste. Pse? Sepse aranzhimi i qeverisë shqiptare shkon në favor të Serbisë dhe Beogradit. Nëse shohim projektet e fundit që u miratuna në Trieste, kuptojmë edhe më mirë se në çfarë dite të hallit janë marrëdhëniet e Prishtinës dhe Tiranës!!!

Në këtë kuptim analiza e thelluar e një procesi të krijimit të Jugosllavisë së Re na çon në përfundimin se krijon kushte për avancimin e politikave të Serbisë në Ballkan dhe izolimin e mëtutjeshëm të shteteve shqiptare dhe të vetë shqiptarëve në rajon. Bashkëpunimi i një pjese të segmentit politik shqiptar me Serbinë në disfavor të segmenteve të tjera është shkaku kryesor i defaktorizimit të shqiptarëve në projektet europiane për rajonin.

Së shtati, iniciativa të tilla nuk dalin përtej kontekstit gjeopolitik. Cili është impakti i një asosacioni ballkanik, çfarë është projektuar tani? Koha do të provojë të vërtetën. Por një analizë historike në aspektin gjeopolitik na çon në përfundimin se çdo lidhje e kësisoji (jo çdo bashkëpunim) me Serbinë dhe aleatët e saj në Ballkan i defaktorizon shqiptarët në raport me interesat e Fuqive të Mëdha. Kjo iniciativë bën që prania dhe ndikimi rus në Ballkan të rritet e forcohet, sepse legjitimon politikën “e asnjanësisë” së Serbisë dhe shteteve të tjera me dominim sllav në Ballkan, politikë e cila nuk adresohet kundër Moskës, por kundër SHBA-ve dhe NATO-s.

Së paku kjo nismë do ta dobësojë rolin e këtyre dy aktorëve dhe faktorëve gjeopolitikë në botë e në rajonin tonë. Nëse ndodh kjo, çfarë fitojnë shqiptarët në Ballkan?! Fitojnë statusin e periudhës së Jugosllavisë së Vjetër! Rikthehen në pikën zero! Bëhen viktimë e politikave gjeopolitike të Beogradit e të Moskës.

Dhe së fundi, duket se është sajuar dhe një artific tjetër me qëllim që të provohet “besnikëria” e palës shqiptare dhe përkushtimi i saj për projektin e Jugosllavisë së Re. Ky artific lidhet thjesht me emrin e Ballist Morinës dhe ekstradimin ose dënimin e tij për shkak të dronit në stadiumin e Beogradit. Asokohe Ballist Morina ishte heroi i aktorit shqiptar të “vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb”, sepse në stilin e këshillës maoiste shërbeu për “të turbulluar ujërat”, që të vihej re distanca që do bënte kryeministri i Shqipërisë nga “Droni” deri te miqësitë e ngushta?! Tani ai duhet dënuar, denigruar dhe ndëshkuar si provë e besnikërisë ndaj Beogradit!!! Kjo lojë e fëlliqtë politike të bën të vjellësh edhe limonin, jo më mbeturinat e lëna nga diktatori komunist në lidhje me marrëdhëniet vëllazërore me serbët dhe “miqësore” me shqiptarët e Kosovës!!!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s