Përjetime të lehta

E kam bindjen se kurrë, as gëzimi, as hidhërimi nuk zgjasin përjetë. Po Haga tani ç’kërkon? Po po, e dimë, uji flë e armiku jo. Armiku thërret Hagën, bën ç’bën dhe ia mbush mendjen asaj se shkjau që vrau 12 000 shqiptarë dhe njëzetëfish e më shumë boshnjakë myslimanë duhet ta ketë në njëjtin kulm të Evropës (dorën në zemër..i belbëzoi zemrës. Evropa kurrë s’na desh. Insha-Allah mbas tash…po zor) vendin me atë që nuk e la të vrasë!?

…Adem “Mandela “ynë midis kryeqendrës së kryekriminelit ballkanik në fytyrë ia përplasi sentencën e paharruar dhe ua mbylli çakallet kleronacionalistëve serbë: “Mos vallë kur zbritët dje nga malet e Karpateve e sollët Kosovën në torba? Ajo nuk qe boshe, ishim ne dhe ende jemi ne në të!”

…shqiptari, bre bir, kur i bon dy pare e i lë nër jastëk, o martohet apet, o e vret dikon…

Bismarku pat thënë: në 100 gram mend, 90 janë të sulltan Abdyl Hamitit II, 5 të mitë dhe 5 të politikanëve të krejt botës!

Armiku më i madh i kombit tonë në tërë historinë tonë, Titua, (të cilin ish krerët komunistë shqiptarë të Kosovës akoma e duan!?)  nga pjesa më e madhe e tokës sonë e formoi shtetin tjetër sllav, të paqenë fare- Maqedoninë, që, për nga armiqësia ndaj shqiptarëve, nuk ja lëshon rrugën serbit, pse? Sepse si Maqedonia, si Serbia na kishin gllabëruar nga një të tretën e tokave tona, atdheut tonë mijëvjeçar, e, hajdutit t’ja nxjerrish sendin tënd të grabitur është punë e sikletshme fort, o tepër e tepër e mundimshme (pale se ç’hoq Kosova, me qindra e qindra mijëra të vrarë gati një shekull  gjersa mezi shpëtoi më 1999).

Vjen burri i madh (Haxhi Mulla Zeka i Pejës) patrioti më i famshëm që ka pasur Peja, më 1909 në Prishtinë të konsultohet me parinë se ç’do të bëjmë ne këtu, siç kishte kuptuar: “Turku po na mbaron dhe kur anija e madhe zë të fundoset në det, tërheq me vete edhe ato të voglat” thotë në odën e vogël ku mësonin fëmijët Kur-an në xhaminë Hatunije, që sot pranë e ka Tregun e gjelbër të Prishtinës, në praninë e Xhemal Agës dhe Mulla Rushës. “Ne duhet të ndahemi prej turkut e të lidhemi me inglizin” u thotë dy prishtinasve i pari Mulla Zeka. “Joo, ne nuk ndahemi prej babës mbret!”- ngul në të tijën Xhemal Aga. “Po qysh, bre- ndërhyn Mulla Rrusha- ky dovlet i gjefsheklejisë, mezi po rri në këmbë, mirë e ka Mulla Zeka” po ama aga hiç, atëhere pejani i famshëm thotë: “He, i mjeri milet, që s’ndan erën e lules  prej erës së mutit!” “Në qafë na paç agë!”tha Rrusha dhe aga, kur e çoi dorën në brez, sa çel e mshel sytë edhe ky, Haxhi Zeka kap plisin bojëkafe të rrafshët përmbi, e përplas për dysheme: “E, agë, morë agë, çka na bane!”

Dhe prishet kuvendimi dhe ndoshta dhe vuloset fati i lig i Kosovës që pas tre vjetësh të bjerë nën sundimin e Serbisë së pashpirt ndaj popullit shqiptar. Anise në një mëhallë, kurrë më Mulla Rrusha, edhe 19 vite sa jetoi, nuk i foli Xhemalit.

Menjeherë pas pushtimit të Kosovës më 1912, Hasan Prishtina, më i madhi kosovar, i thotë bashkëveprimtarit të ngushtë të vet, Isa Buletinit, dile e prite me 3500 vetë serbin që është nisur kah ne te kufijtë në Ibër, ky e pret, sikur e thërret mysafir pa zbrazur asnjë fishek, dhe kur e thërret kryekomandanti ynë Hasani dhe e pyet se ç’bëre kështu, ai ia kthen: Pooo, si të thom, s’bon  bre Hasan me u kacafytë me kojshitë!”..”Po, Xhemal Begu a s’e pat kojshi, me 500 prishtinas në Merdar, vrau 78 ushtarë të shkaut?” Dhe kështu konkludon Hasani: “Zor, dhe komandant ushtrie edhe i pashkolluar si Isa”

Është i treti vit i “kohës së Shqipërisë”, siç e quan populli kosovar bashkimin e pjesës më të madhe të atdheut të vet me emën Shqipëri. Qe kjo një etapë rilindëse e ripërtëritjes së Kosovës gjatë katër viteve: 41-42-43-44, përtëritje e kombëtarizmit, ngase hoq nga kujtesa historike pluhurin që e kishte mbuluar tridhjetë vjet rrafsh në formë më të egër sundimi barbar serb mbi Kosovën e robëruar.

Atdhetari i madh mitrovicar Xhafer Deva- që propaganda komuniste në Shqipëri, për një ngjarje fare të parëndësishme e të rritur mizën buall, me gënjeshtra siç dinë më komunistët, ia ulën meritat e prestigjin atje, por ama në Kosovë asnji miligram, bile gjatë mysafirisë së tij triditëshe te Hitleri vetë, ende para hyrjes triumfale dhe shkeljes së Jugosllavisë për dy-tre ditë, me argumente të një intelektuali akademik e bind kancelarin gjerman se Kosova, pa të drejtë, tri dekada  vuan të zitë e ullirit nën sundim mizor të Beogradit.

Vjen prijësi famëkeq serb Nikolla Pashiq në Drenicë e do që ta zë ngushtë filozofin popullor Tahir Drenicën dhe e pyet: Që sa vjet jeni ju arnautët në Kosovë? Ai i përgjigjet: A s’e paske dijtë, a? Qetu jem 200 vjet para dreqit!

Dhe Adem Demaçi në vitet 1990, midis Beogradit, ua përplas prijësve komunistoçetnikë: Ne kemi mbirë në Kosovë, se mos e sollët ju në strajcat nga Karpatetr kur u zdirgjët qandej!

Mulla Rrushë në takim me Iljaz Agushin

– Nuk t’erdha veç me t’pa, por edhe me t’thonë që rueju, bre vëlla, se këta komunista nuk kanë as fe as atdhe, as din as iman e punojnë për rusin e shkaun.

– S’kanë çka më bajnë, o Mulla Ali! Populli po më don, jo veç në Kosovë, por edhe këtu- e bindëte babain ministri prishtinas.

– Po sherri që janë këta qafira!- vazhdonte babai me ngulm në të tijën që ta bindëte shokun e shtrënjtë.- Vallahi mos u beso këtyre komunistave, vallahi t’vrasin! He vaj medet!

– Jo, Mulla Ali o, jooo! – foli ai duke qeshur lehtë dhe na përcolli një kat më poshtë gjer ne porta e madhe. Unë nuk e kam parë më kurrë. Babai edhe disa ditë shihej në takime të gjata me të, kurse tre muaj më vonë, qe shtatori i 43, duke ia larë xhenazen me lot në sy, si të gjithë për rreth në shtëpinë e tij në Prishtinë. Po, i bindur se është kohë shqiptare. Kosova me ëmën e bashkuar, liri e bollëk në të gjitha anët, nuk ia ka marrë shumë dhe aspak seriozisht vërejtjet e babait dhe komunistët  e kishin vrarë në shtëpi të tij në Tiranë. Vrasësit kishin qenë dy qena të shitur komunistë, që deri në 2002 nuk e kam ditur që katili paskish qenë ish udhëheqësi kosovar e jugosllav, Ymer Pula. Këtë të shitur te serbi e kishim pasur edhe drejtor në “Rilindje” ku punova katër dekada gazetar. Në fund të jetës së tij të fëlliqur, si të gjithë udhëheqësit e tjerë shqipfolës komunistë, serbi e bëri edhe ministër në Beograd, sepse i shërbeu duke e vrarë atdhetarin e famshëm, që ishte sikurse edhe Nazim Gafurri, po ashtu i vrarë nga shqiptarë- Hasan Murkoja e Adem Kajtazi. Ooo, të mjerët ne, gjer kur me shkje!

Mikun tim Hysretin e pyet mësuesi i matematikës: Pa më thuaj ti “Rregullin e Vietit”!

Nusreti ia kthen: Pyetëm diçka profesor për rregullën e sivjetit, se me të vjetit mbarova…

Një djalë po shiste farët e mollave. I thotë milici:

– Qysh po i shet farat e mollëve, përse?

– Sepse bohesh më i mënçur..

– Ashtu?! Sa po i jep?

– Një dinar një farë.

– Ami pesë copa!- i jep pesë dinarë dhe i merr pesë fara që i përbin gjatë rrugës. Por shpejt kthehet të djali.

– Ti më mashtrove, me pesë dinarë i marr pesë kilogram molla!

– A po e sheh, tash u bone më i mënçur.

Tregim i i axhës Sefer

Unë pata marrë vesht prej shokëve se komandantat shkij kishin ardhë prej gjithëkahit në Drenicë (Prekaz)..e kishin kurdisur një shtab që me na likvidue sa ma shpejt e mirë. Me veti mora një dost edhe ai si u nji luftar i Shabanit (Palluzhës), natën terr futë…; kadale hym në oborr, dostin e le te dera nibet, unë kthehna e fluturim mrena, ti bie derës shkelm e t’i jap pushkës “bambababmbam”…do u munojshin me shti dorën kah alltia,  do me e rrokë mashinkën e tybe ne e di krejt se çka bonën,  veç bijshin bre si pulat e cofta, po përnime mu kujtua se njoni, nja trekatër hapa n’kom me mashinkë, sa e çoj gishtin te komza ato e rrxova plum t’parin, po hiç s’po di se qysh m’pshtoj njoni prej penxhere e përjashta, po mehesap edhe dostit jashtë i kish ikë e s’e kish rrokë plumi, ymri…

Më vonë mësova që Seferi kish vrarë jo nëntë por 24 oficerë, madje edhe ai që pshtoi nga penxherja ishte vrarë nga dosti i Seferit..

Seferi u fsheh dhjetë vite. Tash e kishin kapë e dënue me pushkatim.

Ma vonë e ndihmova plakun të shpëtonte duke i shkruar një letër prokurorit sikur Seferi nuk kishte qenë në vendngjarje por diku te njerëzit e vet larg, sepse në aktvendim thuhej “dyshohet se Seferi ka qenë aty..”

Prishtinasi Faik Birçe, 17 vjeç shkon vullnetarisht në njisitin famoz SS. Si fëmijë i mbaj mend mocanikët e tij me automatikë e veshje të bukur duke marshuar nëpër Prishtinë, kur qe Kosova e bashkuar me Shqipërinë. Në një betejë, dikund në Serbinë lindore, me partizanë Faiku ia mësyn në muzg një shtëpie të vetmuar fshati, roja jashtë shtien në të, por edhe këtij trimi s’ia kish shkelur kush hijen, dhe nga prapa kërcen e drejt në baxhë të çatisë, hap kapakun e dhomës në tavan dhe drejt shtabit partizan lëshon dy bomba dhe vetë dëbohet gjallë në oborr kurse ata të gjithë të vdekur. ..Pas lufte punonte shofer në Komitetin e lartë komunist në Prishtinë….Për ironi e një trimi, në një kafene të Fushë- Kosovës e vret në një zënkë në vend një magjup me shishe në kokë.

Mu vitet 1955-56-57 ishin ndër më fatalet për Kosovën, pas aksionit të armëve ikën në Turqi katërqindmijë shqiptarë.

Dëshmorin shumë të nderuar prishtinas Enver Sudi, sekretar 20 vjeçar të prefekturës, po e çonin me furgon 3-4 milicë e udbashë civilë kah Prizreni, të armatosur me automatikë. Ai dyshonte se po e dërgonin në kufi ku do ta likuidonin gjoja për përpjekje për arratisje sikurse vepronin atë kohë shpesh…Ai ia rrëmben njërit milic automatikun, i vret dy udbashë oficera në vend dhe një tjetër  e sakaton përjetë dhe mbet shehid edhe vetë. Kjo ngjarje ka ndodhur më 1946 në Qafë të Duhlës. Mjerisht këtë ngjarje sot e kanë harruar.

Në regjimin komunist jugosllav Tito-Rankoviç, si edhe tërë kohën deri 1999 sa qemë nën kthetrat serbe (jo vetëm në Kosovë por në tërë Jugosllavinë) kanë qenë organe formale që të gjitha institucionet, qoftë Kuvendi, Këshilli Ekzekutiv (Qeveria), gjyqet, prokuroritë e thashemthe, që të gjitha përveç UDB-së që dirigjonte që nga ajo kryesorja në kryeqytetin shovinist, ashtu edhe në ato të 6 republikave e dy krahinave autonome, pra i tërë pushteti i vërtetë mbahej,  në duar të policisë serbe. Ishte ky oktapodi më i madh i menduar dhe i paimagjinueshëm në botë, me trupin e fortë shtypës në Beograd e këmbët e panumurta mbi të gjithë….

Sipas urdhërave të UDB-as gjykoheshin njerëzit e jo gjendjet faktike që gjoja konstatonin gjyqet

 (Si kryetar i nëndegës Qendresa të LDK-së më 1990 hy në zyrën e kryetarit Ibrahim Rugova: Z. Kryetar, për atë solemnitet që do i behët  nji delegacioni të naltë, mendova me një grup të ushtroj himnin e flamurit”..Më ndërpreu: Cilin? A kemi ne himn, a?”  “I kam shkruar nga kujtesa që nga fëminia e Kohës së Shqipërisë, si fillorist, edhe notat, edhe fjalët e Himnit dhe vjet ma botoi Milazim Krasniqi në “Fjala” dhe mësuan krejt shkollat e Kosovës”. Ai: “Qy, qy, s’e kam dijtë!”

Në vitet e shtatëdhjeta të shekulli XIX 716 fshatra thjesht shqiptare përzunë nga trojet e veta ilire, 270 000 shqiptarë (tjetër nga 70 000 nga Medvegja), krejt ç’kishte ku i thonë bukës- bukë e jo “leba”- burra, gra, fëmijë në djep, mu në kërthizën e dimrit, që gjetën vdekjen nga acari i madh, kurse më pak se 200 000 arritën me çerek shpirti ke vëllezërit në Kosovë.

Një plak në burg:

S’mund të gjesh njeri në anën e Mitrovicës- Bajgorë e t’thashemthe që flet fjalë të mirë për Isën (Buletinin)- me plot bindje ai.- Ti po më thua se i biri, Kapllani paska qenë i keq me shqiptarët? Unë “Po, sikur donte të barazohej me gardianët serbë dhe bënte marrëzira mos ta ekliptojmë për nga ‘meritat’ ata: hej edhe unë jam këtu hyqymet- shqiptari i mjerë, por si nuk i vinte turp prej emrit tet?” Ai: “Ti prap me emrin demek All-llah! All-llah! sa të madh. Qe tybe me tybe s’asht ashtu. Me t’i vërtetue kto që po ti thom, merri e lexoi do shkrime të dr. T. Abdylit” Unë:”A di konkretisht ndonjë nga veprat e tij që shkruan ai?” “Po. Pashai i Shkupit ia dhuron Isës 70 000 pushkë dhe 1 000 000 fishekë që bashkë me turqit ta luftojë zaptuesin serb, që ia kish mësye Kosovës. Do prej atyre pushkëve Isa ua shiti katundarëve, nja 5 000, kurse të tjerat i hongri sorra. Për fushekë mo mos t’flasim, pushkët ua shiti fshatarëve por pa fishekë. Më vonë shkoi hyqmi i shkaut dhe i mblodhi

Tjetër, Hasan Prishtina i thotë Isës: dil në Grykë të Ibrit- Mavriç me 3500 burra dhe prite serbin që është nisë kah Kosova. Serbi, ushtria e Kralit hin në Koasovë. Isa nuk shpraz të vetmin fishek, kurse Xhemal Agë Prishtina në Merdar me 2000 trimat e vet bëri rezistencë të përgjakshme ushtrisë që hynte me topa (nipi i Xhemal Agës, Sherafedini i shkatërruar nga regjimi komunist, kurse mbesa Gjyzideja qe bashkëshorte e atdhetarit Sabit Kapiti, po ashtu atdhedashëse e arsimtare e vyeshme sikusre edhe e motra Meliha, që rrojë akoma të dyjat).

Kur e thërret i madhi Hasan dhe e vetë Isën, çka bëre kështu? merre me mend ç’përgjigje  mori: po kojshi i kena bre Hasan, me ta duhet me e çue mirë”

Familja Bytyqi

Asnjë prishtinas has denbabaden, nuk i ngjasonte Sylejman Sylçe Bytyqit, kur e shikoje duke ecur rrugës së qytetit, i vetmi kurrë nuk e hoq kësulën e bardhë gjersa u shpërngul më 1956 në Turqi. Dy djemtë e tij (Fadili e Hajredini) i ngjasuan babait për njëlloj këmbëngulje tjetër: edhe në Izmir shqiptar se shqiptar!

– Baba e ruajtëm mbiemrin tonë, por me “i” në vend të “y”.

-Ani tash pra çka jemi?

-Po shqiptarë baba, e ç’të ishim tjetër..

– po…pooo- zien plaku në vete se tamam shqiptarët mbetën në Kosovë, por do i hipin dyzetë gjela në kokë, prandaj hesht

– Mos e harro, babë, mbiemri këtu është Bitiç..

– Nom po i përgajka, nom!- e mbyll Sylejmani por jo i dalë menç nga gëzimi.

Djalit të madh Fahredinit Zoti i fali dy fëmijë Xhelalin e Agronin, ndërsa Fadilit jo. Hajredinit i fali Jetën e Besimin.

Fadili e Hajredini punonin gjithë kohën për vatan. Kur morën vesh që atdhetari Qazim Prodani ishte sëmurë e morën dhe e mbajtën në shtëpi të tyre katër muaj. Kishin lidhje me pothuaj të gjithë burrat e spikatur nacionalistë në Kosovë e Shqipëri. i shkruan kryeministrir Eçevit  për mirëkuptim, ndihmë dhe angazhim ndaj Kosovës. I shkruan Mahmut (Bakallit): Je një hyzmeqar i armikut tonë shekullor! Po shërben mbi 15 vjet sepse të beson Serbia. A e ke vnue ndonji herë gishtin në tamth: a thue ç’ka jam unë?

Të tre djemtë vdiqën deri më 1990. Në atë çerdhe veprimtarie kombëtare ka mbetë vetëm një plak 84 vjeçar, Murat Krushka..

Do veçoja dy momente të rënda gjatë braktisjes me dhunë të Kosovës, pikërisht më 31 mars 1999. Ishte ora 15. Te kojshiu im Myhedini kishin hyrë dy paramilitarë me maska dhe një pa maskë. Pastaj hynë në shtëpinë time, gruaja Rukije dhe vajza Syzana befasohen e zunë të piskasin, por ua mbyllin gojën. Kërkojnë para. Nxjerr vajza nga këpucët 650 marka, e skajojnë atë “do e marim”, gruas desh i dalin mendt, piskasin, atëhere unë vi. Më befasojnë dy sish, ma vënë revolen në vesh, tjetri automatikun në gjoks. “Pare!”. “Nuk kam”. Fut hajduti dorën nën xhaketë, pastaj nën xhamper dhe nga xhepi i këmishës mi nxjerr 900 marka. “Hape derën e shtëpisë së madhe!”, u drejtuan andej, njëri “Lërë!”, i ndanë paratë dhe zunë të luajnë valle. “Mos të gjenim para, vajzën e merrnim pam-pam-pam, për tre minuta humni që këtej ose ju vrasim!.

Patëm vendosur mos të dalim kurrësesi, por tani zori, biri i thiut!

Në mëngjes deportimi me tren, kur ja një autobus, u bëmë 150 vetë në të. U nis kah ora 8.  Nga Zhuri erdhëm më këmbë në Morinë. Djali Mirësim ishte në Londër ndërsa djali tjetër Arsimi në Bullgari. Në Librazhd punova në një zdrukthtari. Alfons Zeneli më intervistoi në Radio Kontakt. Këndova këngën Mallëngjim. / Rashid Krasniqi

 

Përjetime të lehta (Shtypshkronja TREND, Prishtinë 2008) 

Fragmente

Konspektoi Bardhyl Selimi 13 gusht 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s