Rruga për tek e vërteta ka shumë armiq!

Kishin kaluar gati dhjetë vite prej botimit të librit “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, me autor Ylli Polivinën, në të cilin trajtohet një pjesë e veprimtarisë sime luftarake në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Midis të tjerave, në disa faqe të atij libri përshkruhet një debat për mospushkatimim e një luftëtari të asaj ushtrie. Me sa duket, ky libër i pat rënë në dorë z.Limos Dizdari shumë më vonë nga viti i botimit, dhe i kishte tërhequr vemendjen, ndaj dhe më telefonoi. Pasi konsumuam përshëndetjet e rastit në telefon, m’u lut nëse do të kisha dëshirën që të pinim një kafe së bashku e të shkëmbenim disa mendime.

Kjo ftesë qe e papritur për mua, pasi me kompozitorin e mirënjohur Limos Dizdari njihesha fare pak. Kishim vetëm një njohje zyrtare të para gati pesëmbëdhjetë vjetëve, gjatë periudhës kur ai kishte qenë drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve. Derisa ai kërkoi takim me mua, një ushtarak që s’ka aspak lidhje me profesionin e tij, mendova se donte të rrëfente diçka me rëndësi për atë.

Pasi u ulëm të nesërmen në një prej lokaleve të qeta në Tiranë, z.Limos nxorri prej çantës së dorës atë libër dhe m’u drejtua, duke më thënë:

“Të lutem, mos ma merrni për asgjë të papëlqyer, por kam një plagë familjare, e cila përngjan pak a shumë me çka trajtohet në këto faqe të këtij libri”.

Njerëzit që përjetonë tragjedira, ruajnë ndonjë gjë në shpirt që po t’u jepet rasti do ta tregojnë me gjithë qejf.

Ku qëndron lidhja e brengës tuaj me çka trajtohet në këto faqe?, e pyeta unë.

Dhe z.Limos m’u përgjegj duke më treguar, se edhe babai i tij, Hulusi Dizdari, pat qenë partizan, bashkë me djalin e tij adoleshent, Baftjarin, fillimisht në batalionin “Çamëria”, i cili u formua në shkurt të vitit 1943 e përbëhej me partizanë nga fshatrat e Konispolit, Delvinës, Vurgut etj., e që më pas mori emërtimin “Thoma Lulo”. Në këtë batalion i ishte ngarkuar detyra e intendentit të batalionit, ngaqë ishte ndër më të shkolluarit, kishte qenë në shkollën “Zosimea” në Janinë. Bazuar në origjinën familjare dhe atë ekonomike, ajo që e lidhte Hulusi Dizdarin me luftën çlirimtare nuk ishte interesi material, pasi ai vinte nga një familje e pasur, por thjesht ideja e çlirimit; shkurt, ndërshmëria, një materie e një rendi më të lartë, për të përmbysur atë botë të kalbur, të cilën do ta bënte vetëm duke u inkuadruar në rreshtat partizane.

Intendenti është ekonomati i rendimit luftarak. Një organizim i mirë ekonomik në rradhët partizane është i nevojshëm si ajri që marrim frymë. Që mund të kryhet prej rendimeve partizane një veprimtari e suksesshme luftarake, e që aksionet të vinë gjithnjë në rritje, duhet që jo vetëm ushqimi por edhe veshmbathja, armatimi e municioni duhet të jenë në domosdoshmërinë e mjaftueshme. Dhe të gjitha këto duhet t’i mendojë, t’i organizojë e t’i kryej intendenti.

Intendentve, veçanërishtë në ushtritë çlirimtare vullnetare, për të kryer këtë detyrë u besohen të gjitha llojet e të mirave materiale, të lakmueshme për shumë njerëz, me dhe pa funksione. Si të tillë, intendentët janë luftëtarët më të shkathët e më inteligjentë, gjë që i bën xhelozë ata pa intelekt. Të qenët në luftë për intendentët është më së shumti një punë që kërkon ndershmëri e përkushtim; intendenti në luftën partizane është puna më e vështirë që njeh njeriu, është një punë pa asnjë lloj pushimi, pa shlodhje, është një punë prej 24 orë çdo ditë, të cilin nuk e zë gjumi edhe kur bie për të fjetur gjumë. Por intendentët kanë një të keqe që i rrezikon: disponojnë të mirat materiale të çdo lloji.

Detyrën e intendentit të batalionit Hulusi Dizdari e vijoi edhe kur një kompani e këtij batalioni u inkuadrua në batalionin e 3 të Br7S, me urdhër të SHP të UNÇSH, të datës 20 shkurt 1944. Hulusiu u detyrua të largohej nga treva ku kishte familjen, i detyruar të shkonte pas djalit, i cili doli përsëri vullnetar për në Br7S.

Nëse i referohemi historikëve të formacioneve të LANÇ-it, mësojmë se nuk janë të paktë intendentët e vrarë gjatë asaj lufte. Dhe kjo kryesisht për posedimin prej tyre të materialeve me vlerë, përfshi edhe stërlinat e ndihmës angleze. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe shkaku i pushkatimit pa gjyq i partizanit Hulusiut, në 15 korik 1944, në Therepel të Skraparit; edhe pse këtë lloj pushkatimi e ndalonin dhe e dënonin rreptë rregulloret e asaj ushtrie çlirimtare.

Bazuar në dëshmitë verbale dhe me shkrim që i kanë dhënë z.Limos ish-drejtues të lartë të Br7S si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë të Hulusi Dizdarit, e tërë brigada u indinjua kur mësoi pushkatimin e tij pa asnjë lloj gjyqi e pa asnjë lloj shpjegimi! Prej atëherë e deri tash nuk i dihet as varri Hulusi Dizdarit, edhe pse emri i tij figuron në Historikun e Br7S.

Djali i tij në atë kohë adoleshent, Baftjari, dhe shumë prej shokëve të luftës, bashkëvendas të Hulusiut, kërkuan t’u shpjegohej arsyeja e pushkatimit, por kishin marrë vetëm një përgjigje: “Atë e di komandanda e brigadës”. Madje, pas këtyre kërkesave këmbëngulëse të Baftjarit, komanda e brigadës e urdhëron Baftjarin fëmijë të largohej nga Br7S dhe të shkonte në Br19S. Pasi i vranë babanë pa asnjë lloj shpjegimi, “komandantët” e urdhërojnë të lipset edhe ai nga brigada!

Ndërsa Baftjarin, vijon tregimin z.Limos Dizdari, me mbarimin e luftës e dërgojnë në Shkollën e “Pionerëve të Luftës” (Shkolla Skendërbej), pastaj ai kryen Shkollën e Bashkuar të Oficerave dhe titullohet oficer artilerie, ndërsa në vitet 1963-1966 kryen edhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, në Fakultetin e Artilerisë dhe emërohet në Korpusin e Shkodrës me detyrë shef i zbulimit të artilerisë së Korpusit. Në 19 janar 1970, në ora 22.30, sikundër na informuan me shkrim, vijon z.Limos, Baftjari, duke udhëtuar për arsye shërbimi me një kamion prej Tirane në Shkodër, pasi kalojnë urën e Bahçallëkut shoferi ç’orientohet dhe bie me gjithë makinë në lumin e Bunës dhe, çuditërisht, shoferi paska dalë, edhe pse kamioni përmbyset nga krahu i tij, ndërsa oficeri Baftjar Dizdari humbi!…

“U interesuam dhe na thoshnin se nuk dinin asgjë më shumë. Por çuditërishtë kolegët e tij komanda e Korpusit nuk i lejoi as të shkonin edhe për ngushëllim në familjen e Baftjarit, madje familjes nuk i çuan as pagën e muajit janar!.. Shoferin e kamionit nuk e lejuan ta kontaktonim ne familjarët e Baftjarit!.. Edhe sot e gjithë ditën nuk dimë asgjë rreth tij… Njësoj si dhe për babanë…

Duke qenë i biri i Hulusiut dhe vëllai i Baftjar Dizdarit jam dhënë me mish e me shpirt pas këtyre dy tragjedive, që kanë mbetur ende të pazgjidhura”.

Me kaq e përfundoi tregimin e tij z.Limos Dizdari… Në tregimin e tij kishte më shumë heshtje se sa fjalë. Qëndrimi i heshtur i z. Limoz Dizdari është një akuzë e madhe, pasi familja e tij pati tre vullnetarë në rreshtat partizane: nënën, babanë dhe vëllanë, ku dy prej tyre nuk u dihet varri, duke mos u kthyer kurrë më në familje!

A janë adaptë e të gatshëm ata që drejtojnë sot prefekturat dhe qarqet përkatëse t’i sqarojnë këto dy tragjedi të lindura nga paraardhësit e tyre shtetarë, kur edhe organizmat e veteranëve janë interesuar për një gjë të tillë? Pyetja është e prerë, përgjigjia e qartë…Vetëm cinikët nuk dinë as ligjet e luftës dhe as ligjet e ndërtimit të shoqërisë njerëzore; vetëm cinikët shkaktojnë të tilla tragjedi enigmatke e i lënë pa përgjigje.

Sikundër më shpjegon z.Limos, ata të institucionit të veteranëve i kanë thënë, se “babain tuaj e kemi shpallur dëshmor”. Dhe ai u ka kthyer këtë përgjigje: “Për çfarë mund të dëshmojë Hulusi Dizdari, për luftën heroike çlirimtare, apo si pjestar i luftës civile sikundër duan ta quajnë kolaboracionistët? Për veten time e di mirë ku jam inkuadruar, po babanë ku ta klasifikoj?!”

Kolonel Dilaver Goxhaj, Ish.zv.shef i SHP të UÇK

Tiranë, 10 korrik 2017

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s