Dëshmi të veprimtarisë së mërgatës në Suedi

Fjalë në përurimin e dy vëllimeve të  revistës Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, 7 e 8, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë në Suedi

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Roli i mërgatës shqiptare në procesin kombformues dhe shtetformues është i madh. Që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e këtej mërgata ka dhënë ndihmesë të çmueshme për ndërgjegjësimin kombëtar dhe për krijimin e institucioneve funksionale shtetërore. Një punë të madhe e ka bërë edhe sa i përket prezantimit të shqiptarëve në botë, të çështjes shqiptare, të kërkesave legjitime duke i shtruar ato pranë institucioneve shtetërore të vendeve të tyre pritëse dhe gjithashtu edhe duke i paraqitur ato para institucioneve relevante ndërkombëtare. Tashmë është e njohur gjithandej se pa mërgatën tonë nuk do të mund të sigurohej madje as ekzistenca fizike e shqiptarëve në trojet etnike.

1Ndonëse mërgata është pjesë e shkëputur fizikisht nga Atdheu, ajo ka qenë pjesa më e lidhur shpirtërisht me Atdheun. Kundërshtimi i robërisë, projekti i pavarësisë dhe i ngritjes së institucioneve vetjake, luftërat çlirimtare në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare do të ishin të pamundshme pa mbështetjen jetike të mërgatës sonë.

Mërgata jonë, veç tjerash, ka vijuar të jetë pjesë e pandashme e korpusit kulturor shqiptar dhe një faktor kreativ në zhvillimet që kanë të bëjnë me vlerat tona të përgjithshme identitare kombëtare. Këtu duhet shtuar gjithsesi edhe faktin se mërgata shqiptare njëkohësisht ka qenë një urë lidhëse ndërmjet kulturës e vlerave tona identitare me ato të kombeve të ndryshme të botës. Në saje të kësaj mërgate bota na njeh më mirë dhe, pa asnjë dyshim, botën e njohim më mirë.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë kontekst duhet të trajtohet edhe kontributi i mërgatës shqiptare në Skandinavi, me theks të veçantë të asaj në Suedi. Sot ne kemi para vetes njërën ndër dëshmitë e punës së palodhshme të vëllezërve tanë, të realizuar gjatë vitit të fundit, përkatësisht veprimtarinë botuese të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë në Suedi, që mban emrin e Papa Klimentit XI.  Botimi i dy vëllimeve, të titulluara si Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, është dëshmi e dyfishtë e punës së mërgatës sonë, si rezultat vjetor i punës për përgatitjen e tyre dhe, edhe më tepër si dëshmi e dokumentimit të veprimtarisë shtetndërtuese e çlirimtare, duke nisur që nga vitet 90 e për të vijuar deri në ditët e sotme. Këto vëllime, që po e shohin dritën e botimit, janë treguese të kapaciteteve aktuale kreative e intelektuale të shqiptarëve në Suedi, por edhe një faktografi relevante për rolin historik të kësaj pjese të kombit tonë në vitet vendimtare të ndryshimit të rrjedhës historike.

Në pika të shkurtra dua të vë në pah vetëm disa nga vlerat e shumta të këtyre vëllimeve. Vëllimi i shtatë ka më shumë në përmbajtjen e tij aspekte kulturore, vlerësuese dhe pothuajse edhe shteruese informative lidhur me veprimtarinë e Shoqatës, sikundër që gjejmë aty edhe shkrime letrare, historiografike, recensione, fjalë rasti, intervista etj., të cilat e formësojnë një mozaik llojesh shkrimore, temash dhe çështjesh që preokupojnë shqiptarët kudo ndodhen ata. Pavarësisht karakterit heterogjen të vëllimit, duhet pohuar se lexuesi ynë do të mund të mësojë më shumë dhe gjithsesi edhe të krijojë një perceptim objektiv lidhur me kapacitetet organizative, kulturore, shkencore e përgjithësisht intelektuale, të shqiptarëve në Suedi.

Vëllimi vijues është një përpjekje serioze për të qartësuar rolin jetik të mërgatës sonë në Suedi për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Fjala është për një vëllim sui generis, krahasuar me vëllimet pararendëse dhe përgjithësisht me botimet e mërgatës sonë, ngaqë synimi i tij është dokumentariteti, nxjerrja në dritë e fakteve deri tani jo aq të njohura për opinionin e gjerë lidhur me kontributet konkrete materiale e morale të shqiptarëve të Suedisë dhënë krijimit të mekanizmave të pavarur shtetërorë të Kosovës dhe lidhur me çlirimin e saj. Vëllimi i tetë i Thesarit, me dëshmitë dokumentare do t’i vërë në udhë të së vërtetës përpjekjet, ndonjëherë mohuese, por jo rrallë edhe glorifikuese e përvetësuese, lidhur me kontributin e mërgatës sonë. Ata që shpërfillin djersën e vëllezërve tanë, që për dekada i dhanë gjak jetës sonë dhe përpjekjeve për mbijetesë e liri, kanë para vetes një monument të çmueshëm dokumentar që flet vetë, por edhe ata që rrahin gjoks se kinse kanë ofruar një mal kontributesh do të duhej që më parë ta gjenin emrin e tyre në këtë regjistër lapidar të jetëdhënësve të Kosovës. Ndryshe fjalët lavdëruese nuk kanë asnjë kuptim. Ky është një hap i vogël në drejtim të njohjes së një të vërtete të madhe, sikundër është kontributi faktik i mërgatës sonë për çlirim kombëtar dhe për përparimin e vendit tonë.

Shoqata, kryetari i saj, z. Hysen Ibrahimi dhe i gjithë ekipi redaktorial, me botimin e të dhënave faktografike për fondin e trepërqindëshit në Suedi për vitet 1996, 1997 dhe 1998, fondin për ndihmë Drenicës për vitin 1998, fondin për pavarësinë e Kosovës më 1998, fondin për ndihma në raste të jashtëzakonshme dhe fondin për shkollën e mesme të Shalës së Bajgorës, kanë bërë një punë jashtëzakonisht të qëlluar, e cila shpresoj se do të jetë model edhe për të gjithë pjesëtarët e mërgatës sonë kudo ndodhet ajo. E vërteta duhet të thuhet, djersa e vëllezërve tanë nuk bën të thahet e harruar dhe e shpërfillur, ajo duhet të marrë trajtën e një monumenti shkrimor e dokumentar të cilin do t’ua lëmë amanet brezave që do të vijnë, ajo do të jetë një përmendore mirënjohjeje për familjet shqiptare që ndanë kafshatën e bukës për të ushqyer aspiratat çlirimtare të Atdheut.

Sjellja në këtë format e dy vëllimeve të Thesareve, por edhe e botimeve të tjera të kësaj Shoqate, janë një provë e fuqishme se shqiptarët, kudo që jetojnë në vendet evropiane, gjithnjë e më shumë po identifikohen si një komunitet i vyeshëm dhe kreativ në aspektin kulturor, qoftë nëpërmjet integrimit të tyre në jetën e shoqërive pritëse, qoftë duke i prezantuar vlerat tona kombëtare në shtetet përkatëse. Mbase interesi do të ishte edhe më i madh nëse në faqet e vëllimeve të Thesarit do të kishte më shumë tekste në gjuhën suedeze, veçmas për aspekte të historisë sonë kombëtare dhe shtetërore, për zhvillime të rëndësishme aktuale, sidomos nëse marrim parasysh faktin se hëpërhë ka vetëm një fond modest të këtillë faqesh.

Të nderuar kolegë,

Fjala thesar, që është kryefjalë e organit kulturor të Shoqatës së krijuesve tanë në Suedi, përveç domethënies së parë, që konsiston në gjëra të çmuara, në gjëra me vlerë materiale e kryesisht monetare, ka edhe domethënien figurative të identifikimit të vlerave kulturore, materiale e shpirtërore, por ka edhe domethënien e diçkaje që është shumë e shtrenjtë e shumë e dashur për dikë. Duke përgëzuar të gjithë stafin redaktorial dhe sidomos mbështetësit e këtij projekti, pa të cilët nuk do të ishte i mundshëm botimi i vëllimeve të Thesarit…, dua të vë në dukje se ne, si Institut Albanologjik, kontributet e këtilla të mërgatës sonë kanë një vlerë të paçmuar, janë një sihariq dhe një shenjë shprese se kultura, gjuha dhe vlerat identitare shqiptare mbijetojnë, zhvillohen dhe prezantohen në kontekstin e gjerë të hapësirës evropiane.   / Prof. dr. Hysen Matoshi[1]

[1] Prishtinë, 18 korrik 2017, fjalë në përurim

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s