Mirënjohje Komunës dhe popullit të Ferizajt

Komuna e Ferizaj u jep titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekejs) tre personaliteteve te spikatura te krahinës që kanë jetuar dhe vepruar në Kosovë kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe fill pas saj. Njëri prej tyre, 27 vjeçari Gjon Serreqi,  u pushkatuar 70 vjet më parë nga regjimi sllavokomunist pas një hetuesie të mundimshme.

Tjetri, Avdulla Musliu, kaloi kalvarin e burgjeve fashiste, naziste dhe sllavokomuniste, por arriti të mbijetojë dhe të shkruajë kujtimet e veta pas çlirimit të Kosovës.

I treti im, atë Adem Selimi (Gllavica) pasi rezistoi bashkë me luftëtarët e tij nacionalistë deri në vjeshtë 1945, u largua përgjithmonë në Perëndim. Edhe ai më pas la kujtimet e veta që u pasqyruan në dy libra të shkruara për të.

Të tre këta burra, pavarësisht bindjeve të ndryshme ideologjike i bashkonte atdhetaria, shqetësimi për lirinë e popullit të vet.

Kam shkëputur disa fragmente nga libra të shkruar për ata.

Abdullah Musliu

Ditar 1941-1945

Intergraf

Ferizaj 2016

U mësova që “brenda mos të jem, jashtë mos të ndodhem dhe në mes mos të shifem”. Në këtë mënyrë gjithnjë të jem fitues, ndihma mos të marr prej askujt dhe të jem në ekzistencë.

Adem Gllavica ishte i patundëshëm prej në fillim deri në fund. Megjithë që pat mbetë pa dy shokë të ngushtë, përsëri gjente bashkëmendimtarë.

Gjon Serreqi (1920-1947), lindur në Ferizaj, seminarist peshkopal në Prizren, studioi në Zagreb, Pizë, Firence, kryetar komune në Babush. Arrestohet në maj 1944 nga Gestapo, dërgohet në kampin e Prishtinës, mandej në Mathauzen – Vjenë. Pas lufte, kthehet në Prishtinë, bëhet mësimdhënës në gjimnazin “Sami Frashëri”, pjesëtar i LNDSH, drejtues i Kongresit të Lipovicës (Blinajës). Arrestohet 1947, dënohet me vdekje, ekzekutohet në  Tauk Bashçe, në 31 gusht 1947.

Kur arritëm në kufirin jugosllavo-austriak, zbritëm nga vagonat, na rrethuan ushtarët e brigadës së dytë proletare. Nisën të na kontrollojnë teshat, të gjithëve. Kur e panë flamurin shqiptar, pyetën: çfarë është ky? U thamë se është flamuri shqiptar. E morën, e thyen , e shkelën unë u ngriva, nuk i shihja dot me sy, trupi m’u dridhte. Gjon Serreqi m’u afrua e ma kujtoi: “a të kam thanë shumë herë se kështu kanë për t’ja ba!?”

Shigjeta që m’u kish ngulë  në zemër më 7 prill 1939, tue u përpjekë në mënyra të ndryshme kundër Mbretërisë Jugosllave, kundër Mbretërisë Bullgare, kundër Fashizmit me Musolinin dhe Nazizmit me Hitlerin, tue u mundue me e hjekë këtë shigjetë, përkundrazi ajo m’u fut më thellë!

Koment nga Ramush Tahiri

Abdulla Musliu nuk e fsheh majtizmin e tij, as nuk e konsideron veten në lajthitje për këto pikëpamje që i kishte. Ai vetëm dëshiron që ta theksojë dhe ta dëshmojë atdhedashurinë e tij dhe të brezit që i përkiste, të tregojë se sa ia vlente të angazhohej për kombëtarizëm, për shqiptari, përkatësisht për lirinë e kombit shqiptar dhe për bashkim kombëtar, por gjithësesi për një bashkëpunim me popujt dhe me shtetet fqinjë.

Koment nga Haki Shaqiri

Në Ferizaj (Avdullau) do të njihet me Tefik Çangën, do të lidhen besa- besë që asnjëri të mos dalë në krye të Lëvizjes, por t’i motivojnë dhe t’i mbështesin edhe të tjerët.

Ndër ta do të përmendim Adem Selimin- Gllavicën, Idriz Ajetin- Gashin, Isuf Bajraktarin, Xhevat Sojevën, Ibrahim Graincën- Cërnillën, Halit Ibishin etj.

I përbashkët për ta ishte qëllimi për çlirim dhe bashkim kombëtar, por kishin edhe dallime ideologjike të cilat nuk bëheshin pengesë e pakapërcyeshme për veprimtari kombëtare.

  • Nga ligjërata ime, mbajtur në LIpjan, më 14 shtator 2012 (Bardhyl Selimi)

Në gazetën “Bashkimi i Kombit”, në numrin e datës 7 tetor 1944 lexova një intervistë të Xhelal Mitrovicës me Ademin, ku, pos të tjerash, Ademi vetë tregon:

“Grupi i rinisë në nënprefekturën e Prishtinës është organizue spontanisht në batalione të rregullta me të vetmin qëllim që të ruajë qytetin dhe të ndihmojë fuqinat vullnetare në luftë. Katundari po lufton gati një vit pa ndihmën e qytetarëve. Tashti është koha që edhe ne t’i shtojmë radhët e vullnetarëve e të derdhim gjakun për lirinë tonë.

Organizata jonë nuk ka qëllime politike, nuk ka aspirata supremacie, nuk kërkon të imponohet, don vetëm të kontribuojë në luftën e shënjtë të mbrojtjes.

Kemi konstatue se deri më tash rinia qytetare ka ba shumë pak sakrifica..tash duhet të ndërtojë një sistem jete që nesër do të shërbejë si sistem themeltar i qënies : me punue, me sakrifikue!”

  • Nga Proklamata e Adem Gllavicës që Avdulla Musliu e dërgoi për shumëfishim në Shkup

Neve nuk na habisin qëndrimet e serbëve dhe të malazezëve. Ata janë të njëjtit që tradhëtuan më 1878, më 1912, më 1918  dhe këta të fundit janë bijtë e tyre, që janë më të moderuar për të përgatitur lojëra dhe janë të tillë që përgatisin “planet e dreqit”.

Këtë ne nuk po e themi pa fakte por po na çudit qëndrimi i disa shqiptarëve. Ata janë shndërruar në armë të verbër për interesa të huaja dhe e kanë okupuar dhe varfëruar deri në lëkurë popullin e vet shumë të përvuajtur. Popullit ja kanë marrë të gjitha dhe asgjë nuk i kanë dhënë, fakt i madh i barazisë dhe i lirisë së popullit për të cilat fraza kanë trumbetuar kaq vite.

Pas luftës, në mënyrë sistematike që dhjetë muaj, i rekrutojnë të rinjtë dhe i dërgojnë jashtë Kosove më shumë se 70 mijë shqiptarë, pjesa më vitale e kombit. Në brigadën e 7 kosovare u mashtruan dhe u inkuadruan rreth 20 000 shqiptarë. Të gjithë këta u futën në brigadë për çlirimin e Kosovës nga se u thanë se do të mbesin në Kosovë dhe do të luftojnë për çlirimin e saj. Pas disa ditësh, të paarmatousr i dërguan në Banat. Sot janë të sistemuar në shumë brigada anembanë Jugosllavisë, të vrarë e të masakruar, të cilëve nuk u dihet as varri.

Më vonë është bërë edhe një mashtrim tjetër duke tentuar që në mënyrë vullnetare të tubojnë ushtarë. . Por vullnetarisht askush nuk u shkoi. Atëhere e menduan formën tjetër të mashtrimit, u thanë se këta ushtarë do të shkojnë të shërbejnë në Shqipëri, se po i kërkon Enver Hoxha. E preku në tel shqiptarin. Kosovarët e pafat, të gatshëm të flijohen për Shqipëri u futën nëpër brigada partizane. Por tradhëtia jugosllave nuk vonoi. I çarmatosën dhe i futën nëpër kazermat e Prizerenit, që të mbushura me shqiptarë u kthyen në kampe përqëndrimi  më të rënda se ato të fashizmit.

Pas disa ditësh, të rinjtë shqiptarë i sistemuan në grupe të ndryshme “reaksionare” dhe “elemente fashistë” . Shumica e tyre, të zhveshur e të zbathur, fituan sëmundjen e tuberkulozit duke qëndruar nëpër barakat e ftohta të kazermave. Pjesën tjetër e çarmatosën, pa rrobe, të zhveshur e të zbathur nën përcjelljen e malazezëve të armatosur, e nisën për në Shkodër.

Të kaplon tmerri kur i shikon këta të rinj shqiptarë, që nën tytën e pushkës së malazezëve të armatosur i nisën për në Shkodër. Më të fortit kundërshtuan dhe tentuan të iknin, por ranë pa shpirt, u qëlluan nga malazezët e armatosur. Rruga Prizeren –Shkodër ato ditë i ka përngja kasaphanes.

Disa, më të fuqishmit, arritën t’i çarmatosin rojat dhe t’ja mësyjnë maleve. Ata që arritën të iknin na njoftuan për kasaphanën dhe sot janë pjesëtarë të batalioneve tona. Nga ata u njoftuam për tragjedinë e shqiptarëve të rinj e të paarmatosur nga mjeshtritë e partizanëve. Kjo ndodhi atë ditë kur Haki Taha në Prishtinë vrau tradhëtarin më të madh të popullit shqiptar, malazezin Miladin Popoviç.

Kjo nuk mbeti me kaq. Forcat malazeze të egërsuara jashtë mase vranë 3000 shqiptarë duarthatë. Kjo masakër do të zgjaste po mos të kishin qënë familjet nga Tivari, që e penguan atë të bëhej edhe më e madhe derisa të ishte vrarë shqiptari i fundit..

Populli shqiptar në Kosovë përbën 85 % të popullsisë e vende- vende 100 %. Gjuhë zyrtare në Kosovë është gjuha serbe, ajo e 15 përqindëshit të popullsisë. Kjo mund të quhet barazi?!

Ne e kemi alfabetin tonë shumë të bukur dhe fare nuk na duhet cirilika sllave. Kjo nuk po ndodh në Slloveni, Kroaci dhe as në Maqedoni. Ne mendojmë se futja e cirilikës në Kosovë është e qëllimshme.

Për 10 muaj të “lirisë” së premtuar nga komunistët jugosllavë janë vrarë e pushkatuar 35 000 shqiptarë, emrat e të cilëve dhe vendi i vrasjeve tashmë u janë njohur të gjithëve. Këto janë metodat e Pushtetit Popullor për “liri të popullit”.

Ka edhe raste të tjera të tmerrshme që populli ynë nuk i ka ditur. I thërrasin romët që t’u bien daulleve para burgjeve serbe, derisa brënda qelive, në mënyrën më çnjerëzore keqtrajtoheshin shqiptarët e pafajshëm, tortura këto që të çmëndnin si futja e bajonetave në trup, këputja e pjesëve të trupit me dana, thyerja e eshtrave e shumë tortura të tjera. Krejt kjo bëhet që të mos dëgjohet ulurima e shqiptarëve nga dhëmbjet e shkaktuara.

Plaçkitjet që partizanët ia bënë popullit shqiptar për ta varfëruar skajshmërisht, që të rrezikohen edhe me vdekje për shkak të urisë, nuk janë të rralla, Shqiptarëve iu digjen edhe shtëpitë, duke i arsyetuar veprimet e tyre, duke i cilësuar ata si “reaksionarë fashistë”.

Çfarë ironie!..Të njëjtët partizanë që plaçkitën dhe djegin çdo gjë, tash vijnë shtëpi për shtëpi dhe regjistrojnë dëmet e bëra nga vetë ata dhe mundohen t’i bindin gratë tona se këto dëmë i kanë bërë gjermanët, pasi që burrat shqiptarë janë nëpër male.

Populli shqiptar i shumëvuajtur nga regjimet serbe të mëparshme me gëzim priti “lirinë”, atë liri e barazi të premtuar gjatë luftës. Por përjetoi zullum, plaçkitje e vrasje, që sot e din e tërë bota.

Për “lirinë” e dhuruar nga Pushteti Popullor është njoftuar i tërë populli shqiptar. Prej shumë premtimeve, që u dhanë gjatë luftës, për vetëvendosje asgjë nuk është realizuar. Na mashtruan, ngase ky popull i lodhur e i stërlodhur nga shumë regjime okupuese u besoi premtimeve komuniste. Kur u hetua tradhëtia, ne veç ishim të armatosur dhe bijtë tanë më të mirë i internuan dhe i degdisën nëpër skajet e Jugosllavisë.

Ne ende i kemi të freskëta parrullat e komunistëve të proklamuara gjatë luftës: “Populli shqiptar do të vendosë vetë me kënd do të mbetet, me Shqipërinë, me Jugosllavinë ose republikë më vete”

Ditët e para të këtij pushteti komisarët politikë të regjimit, flisnin në të katër anët me oratori të flaktë për të drejtat e liritë, duke propaganduar dorëzimin e armëve. Populli i shkretë, duke shpresuar në liri të plotë filloi t’i dorëzojë armët, duke menduar se më ato nuk do t’i nevojiten, ngase erdhi liria.

Kosova i ka përjetuar padrejtësitë në këta dhjetë muajt e shkuar nga ana e terroristëve me yllin e kuq në ballë

Kjo gjueti në njerëz, që bëhet kundër shqiptarëve të Kosovës për 10 muaj të “çlirimit”, nuk zbatohet askund në botë, por në Kosovë nuk është kurrëfarë risie, por përsëritje e historisë së viteve 1978, kur ardhacakët nga Beogradi (Karpatet), vranë dhe masakruan 100 000 shqiptarë nga vilajeti i Nishit. Ata që arritën të ikin sot këtu quhen “muhaxhirë”, të cilët janë të shpërndarë në të gjitha pjesët e Kosovës.

Në vitin 1912, prapë me urdhër të Beogradit, u pushkatuan hiç më pak shqiptarë se shifra e sipërshënuar.

Në vitin 1918 gjatë formimit të Jugosllavisë mozaike, prapë me urdhër të Beogradit, u vranë dhe u pushkatuan me mijera shqiptarë. Në atë kohë, në Konferencën e Paqës, është publikuar lista e 8000 viktimave, që është përcjellë me një protestë energjike. Por kjo është si gjithnjë “vok lajms in dezerta”.

Më 1945  përsëritet historia. Prapë me udhëzimet e Beogradit, bëhen masakra masive mbi popullin shqiptar. Ende pa kaluar 10 muaj në regjistër janë evidentuar 35 000 të vrarë e të masakruar dhe mbi 50 000 të dëbuar, për fatin e të cilëve nuk dihet. Këto janë fakte të hidhura. Katër data tragjike të historisë, katër regjime të ndryshme, por me një politikë të përbashkët dhe identike dhe shumë të thjeshtë, asgjësimi dhe shkatërrimi i qënies shqiptare në Kosovë.

Italia fashiste, e cila ishte armike e përbetuar e shqiptarëve, ka qënë e detyruar ta pranojë karakterin shqiptar të trojeve shqiptare.

Ndërkaq pushteti popullor i sotëm, “çlirimtarët e popullit” tentojnë që të gjitha lidhjet me Shqipërinë të këputen, duke e tejkaluar okupatorin fashist. Këtë e ka treguar OZNA me veprime terroriste që i tejkalon ato të Gestapos. Diktatura dhjetëmujore me veprimet e veta terroriste e len pas diktaturën fashiste. Ne të lirët, në malet tona të lira, jemi të autorizuar dhe të obliguar ta shprehim vullnetin e popullit të Kosovës.

Për këtë arsye në emër të popullit shqiptar të Kosovës ngremë zërin dhe i drejtohemi opinionit ndërkombëtar dhe solemnisht deklarojmë që pa dëshirën tonë na kanë imponuar bashkimin me Serbinë.

Dëshira dhe vullneti ynë është bashkimi me Shqipërinë, me vëllezërit tanë, pa marrë parasysh se cili regjim është në pushtet, ngase kemi zakone të njëjta dhe kushte të njëjta morale dhe materiale.

Dëshirojmë që t’ja shtrijmë dorën njëri-tjetrit sa më parë dhe ta shkundim pjesën e errësirës dhe të robërisë, frikës nga terrori, që vuajtëm nga okupatorët e ndryshëm, duke e përfshirë edhe këtë të sotmin, të Beogradit dhe të kuislingëve të Prizerenit.

Ne nuk jemi kundër asnjë ideologjie, por as që përkrahim ndonjë ideologji. Ideologjia jonë është lufta për ekzistencën e popullit shqiptar. Jeta jonë dhe ekzistenca jonë mund të jenë të sigurta vetëm në një shtet shqiptar, që do të përfshijë kufijtë e tokave shqiptare.

Sa i përket pakicës serbe, të lindur në Kosovë, që jeton bashkërisht me popullin shqiptar, deklarojmë se do t’i ketë të drejtat të barabarta me shumicën shqiptare dhe në asnjë mënyrë nuk do të dallohet prej shqiptarëve.

Ata malazezë që në Kosovë kanë ardhur pas vitit 1912 dhe në vitin 1918, si kolonistë, i këshillojmë që të kthehen në vendet e veta nga e kanë prejardhjen, pasi tokat që ata i kanë uzurpue, u takojnë autoktonëve shqiptarë. Po ashtu, deklarojmë se në Kosovë nuk ka asnjë malazez autokton dhe të gjithë malazezët janë kolonizatorë. Këtë e dokumentojnë faktet e jo ne. Malazezët në Mal të Zi e kanë pushtetin dhe qeverinë e vet, ndërsa populli shqiptar dhe pse është katër herë më i madh në numër se sa malazezët këtë të drejtë nuk e gëzon.

Organizata jonë nuk ka lidhje me asnjë parti, organizatë të jashtëme apo me qeverinë e vendit që Kosovës ia konteston mundësinë të jetojë dhe të bashkohet me Shqipërinë

Sa i përket gënjeshtrave dhe thashethemeve tendencioze të terroristëve serbë e malazezë, deklarojmë se në batalionet tona nuk ka asnjë të huaj. Në të gjitha luftërat që kemi zhvilluar në këto 10 muajt e fundit në Kosovë nuk ka marë pjesë asnjë i huaj.

Veçmas, në mënyrë kategorike demantojmë që organizata jonë mund të ketë lidhje me drazhistët për të cilën na akuzojnë terroristët.

Vëllezër shqiptarë të Kosovës, regjimi terrorist me gënjeshtra po ju mashtron, nuk na mundëson që të lirë të votojmë e të vendosim për fatin tonë siç na kanë premtuar zhurmëshëm në fillim, sepse e kanë ditur se do të votojmë për Shqipërinë e jo për Beogradin.

Kuislingët e Prizerenit ishin të njoftuar me dëshirën dhe qëllimet e Titos, i cili para delegacionit shqiptar (prill 1945) kishte paraqitur kërkesën e tij që shqiptarët e Kosovës do të ishte më mirë të mbeten me Beogradin?! (me Serbinë). Këta kuislingë që do të bëheshin lajkatarë të Titos nxituan që sa më parë ta plotësojnë dëshirën e tij..

Hysen Azemi

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare dhe Sigurimi shtetëror serb vell. 2 (1945-1947)

Nga hetuesia e Gjon Serreqit

Pas kapitullimit të Jugosllavisë më 1941, kam shkuar në Bize (Itali) ku kam studiuar filozofi 6 muaj, mandej në Firence deri 1943, deri në rënien e Siqilisë, nga fundi i vitit. Jam kthyer në Kosovë, Ferizaj dhe jam emëruar kryetar i Komunës së Babushit të Nerodimes deri më 1944, deri sa jam burgosë nga SS-t gjermanë dhe më kanë dërguar në kampin e Prishtinës, një muaj, mandej më kanë transferuar në Vienë deri në janar 1945, pastaj internim në kufirin Austri-Hungari, ku kam gërmuar për bunkerë deri prill 1945, pastaj në qytet deri maj 1945. Në Ҫlirim jam kthyer në Jugosllavi. Erdha në Ferizaj fillimisht, pastaj shkova në Prishtinë, ku drejtori i gjimnazit, Idriz Ajeti, më caktoi mësues aty.

Pse ke ikë në mal?

Kështu më ka thënë Hamdi Berisha, pasi ekzistonte një Komitet Qendror i Shkupit që kërkonte nga unë të pengoj lidhjen e ballistëve të Kosovës me çetnikët.

Me cilin grup je bashkuar në mal?

Me grupin e Ajet Gërgurit..

Hilmi Zariqi

Për Kongresin V ballist

Gjon Serreqi iu drejtua Ajet Gërgurit se duhet të shkojmë në Greqi pasi në Kongres nuk erdhi Kemajli dhe Ymer Berisha. Por Osman Bunjaku ka thënë se nuk don të shkojë në Greqi, po ashtu Imer Fazlija  nga Radisheva, dhe Jetulla Rezalla, unë e disa të tjerë.

Në udhëheqjen kryesore për formimin e komiteteve në Kosovë kanë qenë Ajet Gërguri kryetar, Azem Bellaqevci nënkryetar dhe Gjon Serreqi sekretar.

Avdullah Muslia

Njoh edhe Adem Gllavicën, por jo aq afër sa me të parët, sepse Ademi ka ndejtë me shokë të vjetër. Pata dëgjuar se Ademi, Halit Ibishi nga Cërnilla dhe Idriz Ajeti nga Pjetërshtica kanë punuar për çështjen kombëtare dhe kanë qenë lidhur me konsullin shqiptar në Shkup.

Me Halit Ibishin dhe Idriz Ajetin kam qenë edhe në kampin e internimit, me Ademin jam takuar një herë në Ferizaj kur isha nënprefekt dhe kryetar rrethi.

Në fillim të muajit shtator 1945 ka ardhë në zyrën time Ibrahim Grainca nga fshati Cërnillë, nga Këshilli Popullor i fshatit Mirash, duke thënë se më ka dërguar Adem Gllavica. Ai më tha se po atë ditë duhej të shkoja në një mbledhje me të, me u takua me Ademin. Ftesën ma ka bë me gojë. Shkova në shtëpinë e Ibrahim Graincës. Bashkë me Ibrahimin kemi shkue në fshatin Mirash në një pyll 2-3 km larg Cërnillës. Në takim kam qenë vetëm unë dhe Ademi, grupi i tij i madh ka qendrue më larg në mal, te ai grup ka shkuar edhe Ibrahimi. Unë Ademin nuk e kisha parë që në vitin 1941. Gjatë bisedës Ademi më tha që të shkoja me të në Greqi, sepse prej fillimit unë kam qenë adhurues i Lëvizjes Nac- Ҫlirimtare, duke qendruar gjatë në internim dhe në pushtet, kështu mund të shërbej shumë jashtë.

Shkuarja në Greqi do bëhej sapo të kthehesha unë nga Shkupi, ku duhet të çoja proklamatën për shumëzim te Azem Morana dhe Hasan Bilalli, në sa më shumë kopje për ta përhapë në rrethin e Ferizajt.

Ademi më tha se arsyeja e shkuarjes në Greqi është për shkak të dimrit.

Unë i jam bindë Ademit sepse kam pasë frikë prej hakmarrjes së tij, me qenë se kam punuar në pushtet.

Për të hyrë në luftë kundër reaksionit e kam ditë veten të paaftë që do të thotë se lidhja me reaksionin do të thotë lidhje me Adem Gllavicën.

Të kujtohet çfarë është folur në proklamatën e Adem Gllavicës?

Është folur diçka për zgjedhjet. Nuk jam pajtuar me përmbajtjen e proklamatës por kam inicuar që të shumëzohet vetëm për të arritë besim te të pranishmit dhe kështu të depërtoj sa më thellë në brendësinë e organizatës që të arrij për ta zbuluar.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s