Botohet libri i ri i Sali Bashotës “Në fillim ishte drita”

(Sali Bashota: “Në fillim ishte Drita”, botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2017)

Vepra më e re poetike e Sali Bashotës, me titullin “Në fillim ishte Drita”, është kurorëzim i rrugës krijuese të poetit, të nisur më shumë se tridhjetë vjet më parë. Në botim të PEN Qendrës së Kosovës me redaktor Basri Çapriqi dhe recensentët Ibrahim Berisha dhe Milazim Krasniqi, libri përbëhet nga 99 poezi, të strukturura në tri njësi ciklike.

Poezia e vëllimit “Në fillim ishte Drita” shfaq dashurinë si ndjenjë madhore e krejtësisht unike, e cila i njeh labirinthet e mendjes dhe të shpirtit  dhe di të depërtojë përtej tyre. Duke i lexuar këto poezi që në thelb janë poezitë e një poeti që dashurinë e ka të përjetësuar edhe në shumë vëllime të tjera, ndeshesh me një koncept aq sa lirik, aq edhe meditues e filozofik.

Është drita që u jep jetë vargjeve e strofave, ajo dritë që ka brumosur njerëzimin e që vjen si një antitezë e çdo gjëje tjetër. Nuk është më fjala, është drita, por ajo dritë  që di ta dritësojë fjalën duke i dhënë jetë e fuqi peshës së saj. Poeti në këtë rast është besimtar i devotshëm i dashurisë, e cila fillon me dritën, si udhërrëfyese e rrugëtimit shpirtëror të tij.’Më jepni pakëz dritë’, thoshte në prag të vdekjes Gëte, kurse poeti i këtyre poezive, nuk e kërkon dritën në fundin e tij, por i beson asaj që nga fillimi.

Për poetin, dashuria vjen me pikëpyetjet që hipotetikisht do ta shpalosin ekzistencën e tij të mëtutjeshme. Si dhe kur? ’Si shiu i syve’ që vjen me mallin ‘që kurrë nuk vdes’, e ‘kur loja e shpirtrave nuk ka fund’, çka ‘nëse lumturia është e thjeshtë’. Figura e këtyre poezive nuk është vetëm lojë fjalësh, por është qenësi në vete, një strukturim i kujdesshëm dhe i peshuar që i rri secilit varg e secilës strofë. Duke i lexuar këto poezi, e përjeton sërish dashurinë që vjen ‘si ninulla e bukur’, me mallin nostalgjinë, ndjenjën që rri përherë e gjallë, sa herë që ‘zgjohen kujtimet e tretura’ e ‘kur vijnë çastet e bukura’.

Deri më tani vëllimet poetike të Bashotës “Albumi i grisur”(1986), “Zogu me profil vjeshte”(1989), “Plagomë”(1994), “Dalje nga trishtimi”(1999), “Bukuri e nëmur”(2006), “Dorëshkrimi i ngjallur”(2004), etj., nga kritika letrare janë vlerësuar si një arritje e suksesshme në poezinë bashkëkohore shqipe.

Gjithashtu, vlerësime të larta për vlerën letrare dhe estetike të poezisë së Bashotës janë dhënë edhe për veprat e tij të përkthyera, siç janë: “Only Death is White”/”Vetëm vdekja është e bardhë”(në gjuhën angleze); “Beauté maudite” /”Bukuri e nëmur” dhe “ Allume la lumière magique” /”Ndiz dritën magjike”( në gjuhën frënge); “Schalte das magische Licht ein”/ “Ndiz dritën magjike”(në gjuhën gjermane); “Il gioco delle foglio”/”Loja e gjetheve”( në gjuhën italiane); “Exilul Sufletului” /”Ekzili i Shpirtit” dhe “Ploaia fara Tine” /”Shiu pa Ty” ( në gjuhën rumune); “När himlen tystnar” /”Kur hesht qielli”(në gjuhën suedeze); “Прокълната красота” /”Bukuri e nëmur”(në gjuhën bullgare): “Ako stanam angel”/”Nëse bëhem engjëll”(në gjuhën maqedone); “Η άλλη όψη του”/ “Pamja tjetër e botës”( në gjuhën greke), “Albán éjszaka”/ “Natë shqiptare”(në gjuhën hungareze) dhe “La ŝtono de la amo”/”Guri i dashurisë”( në gjuhën Esperanto), “Ego”( shqip-english-français).

Poezia e Sali Bashotës është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërkaq veprat e tij janë promovuar në Paris, Sète, Bukuresht, Sofie, Basel, Malmö, etj., si dhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë.

Bashota është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë: “Pjetër Bogdani” (1999), “Pena e Artë”(1990 dhe 2000), “Menada”(2004) Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (2006 dhe 2012), “Serembe” (2010), Çmimi i Ministrisë së Kulturës (2012) e të tjerë.

 “Në fillim ishte Drita”, është libri i tridhjetë e pestë i shkrimtarit Sali Bashota.

Poezi nga libri Në fillim ishte Drita, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2017

SI QIELLI I NDRITUR

Kur më merr malli për sytë e tu

Pa asnjë lutje zgjohet qielli i ndritur

Vetëm prania jote është këtu

Të gjitha ëndrrat tashmë kanë ikur

Koha prapë mbushet plot kujtime

Mbase një ditë edhe heshtja flet

Në udhëkryq braktisen tërë ato shqetësime

Vetëm sytë nuk më mjaftojnë për portret

Ikën larg vetëm çastet e fshehura

Në hapësirën e mbushur plot nostalgji

Imazhi i mëngjesit i braktis ndjenjat e dehura

Askush më s’mund ta pagëzojë këtë magji

 

NËSE ÇDO POEZI FILLON ME TY

Nëse çdo poezi fillon me ty

Liqeni i zgjon nga gjumi lotët e vet

Ndjesia e përqafimit është po aty

Në sheshin më të bukur në qytet

Nëse çdo poezi fillon me ty

Në rrugën pa shenjë në lagjen pa emër

Kujtimi yt prapë është si fantazi

Kur loja e puthjeve të jep zemër

Nëse çdo poezi fillon me ty

Me praninë e shpirtrave buzë detit

Udhëtimi i paharruar laget në shi

Sikur imazhet në poezinë e poetit

Nëse çdo poezi fillon me ty

Buzëqeshja nuk fle në një hapësirë tjetër

Ndryshe nuk do të kishte as dashuri

As lot të ngjallur në kujtimin e vjetër

 

KUR GJYSMA E SHPIRTIT BIE NË GJUMË

Magjia e ëndrrave struket në gji

Sa herë i shkund lotët e zverdhur

Pritja i than kujtimet përsëri

Derisa tërë shqetësimi është derdhur

Çdo gjë e pakuptimtë duket si iluzion

Përveç heshtjes së fikur në pafundësi

Gjethet e luleve më askush s’i numëron

Siç i numëronim dikur yjet unë e ti

Secili në vetvete e ndien nga një trokitje

Edhe kur gjysma e shpirtit bie në gjumë

Gjysma tjetër e largon të njëjtën mërzitje

Vetëm të ligat braktisen kaq shumë

Burimi: Gazeta Express

Dërgoi Bardhyl Selimi

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s