Fjala përshendetëse në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë

Astrit Leka

Me rastin e akordimit ceremonial të një Mirënjohje ndaj meje nga Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë

Më lejoni, së pari, të falemnderoj Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë z. Gudar Beqiraj që mori nismën për këtë vlerësim të lartë ndaj meje, për punën time shkencore dhe atdhetare në Shqipëri dhe në botën e jashtëme.

Më kanë nderuar me pjesëmarrjen në këtë veprimtari bashkëluftëtarë të mij dhe të Organizatës së veteranëve demokratë OBVL, gjeneral Rrahman Parllaku, Kolonel Dilaver Goxha, Kolonel Nëvruz Sako etj

Në mes jush ndodhen edhe kolegë mësues që më kanë zëvëndësuar në shkollat ku kam dhënë mësim por edhe ish nxënës të mij, sot kuadro të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës sonë shoqërore, ndër ta sigurisht edhe pensionistë.

Më në fund, si më intimë më lejoni të falemnderoj disa persona të veçantë, që kanë shkruar për mua, si akademikun z. Kopi Kycyku, akademikun Myzafer Korkuti, profesorin Ismet Elezi, profesorin Shahin Leka, profesorin Nikolin Paloka, akademikun Salvator Bushati dhe, sigurisht, bashkëpunëtorin tim të palodhur dhe shoqëruesin, z Bardhyl Selimi dhe shumë e shumë personalitete të tjera të pranishme ose jo në këtë sallë.

Nuk mund të harroj edhe shumë familiarë e të njohur të mij që më nderojnë gjithashtu sot me praninë e tyre në këtë sallë.

  1. Në fund të vitit 1947 e sidomos gjatë vitit 1948 kam punuar si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Shkencave, i drejtuar nga prof. Aleks Buda, ish profesori im i gjimnazit dhe i Fakultetit. Në vitin 1948, me kërkesë të prof. Aleks Budës, unë fillova kërkimet në terren për Kryengritjen e Haxhi Qamilit. Sipas profesorit, kjo kërkesë vinte direkt nga shoku Enver. Nisa punën në fshatin Sharrë të Tiranës me Zybë Zenelin, burizanin e Haxhi Qamilit e persona të tjerë bashkëpunëtorë të tij. Kishin kaluar 33 vjet që nga varja e Haxhi Qamilit. Në Ishëm takova Sheh Rodën ndërsa në Shijak me sekretarin personal të Haxhi Qamilit, mësuesin Sulë Shqipja (Sulë Strazha). Im atë, Rakipi, ish gjykatës i njihte gjithashtu bëmat e Haxhi Qamilit, i cili kish burgosur tim gjysh Ibrahim Lekën në Elbasan, ndërsa gjyshit nga nëna Nebi Sefa, nënshkrues i Pavarësisë, donte t’i digjte shtëpinë në Lushnjë.

Monografinë që përgatita e dorëzova me konkluzionin se “Kryengritja e Haxhi Qamilit ishte antishqiptare”. Sipas dëshmitarëve, Haxhi Qamili shtypte me këmbë flamurin shqiptar duke e përbuzur shqiponjën me fjalën “sorrë” ose “laraskë”.

Monografia nuk m’u pranua. Profesor Aleksi më tha se i kërkojnë nga lart që figura e Haxhi Qamilit duhet të dalë revolucionare. Duke pasë studiuar Historinë e Bashkimit Sovjetik (tre vëllime) më shkoi mëndja se kërkohej që Kryengritja e Pugaçovit të kishte një të ngjashme në Shqipëri, atë të Haxhi Qamilit.

Unë kreva sërish kërkime më të thella dhe kudo Haxhi Qamili më rezultonte figurë antishqiptare. E dorëzova monografinë duke thënë se nuk mund ta realizoja detyrën e dhënë.

Kam dëgjuar se monografia iu dorëzua njërit nga bashkëpunëtorët e tjerë, i cili i shfrytëzoi të dhënat e mija por duke i interpretuar sikur kërkohej nga lart, dmth Haxhi Qamili revolucionar. Psh unë kisha thënë se Haxhi Qamili hapi depot e bejlerëve që ishin me Ismail Qemalin, prodhimet e tyre ua shpërndau popullit. Por unë kisha thënë edhe se ai nuk i kishte hapur depot e bejlerëve të lidhur me Turqinë.

Këtë gjest të Haxhi Qamilit ai e kish paraqitur si shfaqje të “Luftës së Klasave”.

Kështu shpjegohet që në Kongresin e Parë të Partisë Enver Hoxha Haxhi Qamilin e vlerësoi në maksimum gjë që shkaktoi habi te e gjithë bota shqiptare.

  1. Në vitin 1952 në mars, pasi ishin kthyer nga Bashkimi Sovjetik dhe Demokracitë Popullore studentët shqiptarë të diplomuar atje, puna në Institut për Historinë e Shqipërisë e drejtuar nga prof. Aleks Buda u mbështet nga Vendimi i Qeverisë për këtë qëllim, ku u shënuan edhe bashkëpunëtorët, duke nisur nga Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Luan Omari, Bujar Hoxha, Arben Puto e deri te unë, Astrit Leka.

  1. Në vitin 1954 na u tha se figura e Hasan Prishtinës të paraqitej si “fashiste”, gjë që duhej pasqyruar në librat e historisë së shkollave shqipe në ato vite. Unë nuk u ujdisa me këtë vlerësim, pasi im atë e kish dëgjuar Hasan Prishtinën, kur im atë ishte student drejtësie në Stamboll, teksa ai fliste në Parlament “Në se Turqia nuk i heq trupat turke që bënin masakra në Kosovë ai do rrëmbente armët e do luftonte me kryengritësit”. Duke e ndjerë veten në këtë vështirësi, nga që edhe kolegët ishin komunista ose të lidhur me pushtetin, nuk e vazhdova më punën shkencore në Institut por u mora më kualifikimin tim personal.

Në vitin 1950, pasi kisha dhënë prova se mund të isha nxënësi më i mirë i klasës edhe pse merresha me sport, (psh në Liceun e Korçes, profesori im kujdestar, Enver Hoxha dhe profesor Stavro Skëndi e drejtori i liceut De Courville, më 13 qershor 1938, më kishin dhënë çmimin në libra që jepte qeveria franceze për liceun tonë. Dhe në vitin 1945, Ministria e Arsimit më dha çmimin e “Maturantit më të mirë” nga gjithë maturantët, ish partizanë të kthyer nga lufta edhe pse në atë kohë, për disa kritika që kisha bërë gjatë luftës konsiderohesha si trockist, por nuk më dhanë bursë e asgjë), unë nuk mbeta në vend për sa i përket shkollimit.

Nga 600 studentët shqiptarë të regjistruar me korrespondencë në Institutin Pedagogjik, vetëm tre arritën të japin provimet e të diplomohen në kohë, aq kërkues ishin profesoret e asaj epoke. ( Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani në Fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe unë Astrit Leka, me dy fakultete, në Fakultetin e Gjuhë – Letërsisë dhe në atë të Histori- Gjeografisë, me numër regjistri diplome Q5-6), edhe pse e dija që ecja përpara në atë sistem për mua ishte mbyllur përfundimisht, por doja që jetën ta fitoja me punën mendore.

Në vitet 1954- 1958 fillova studimet njëkohësisht me korrespondencë, se na kishin shpronësuar nga gjithçka dhe duhej të punoja për sigurimin e bukës, në dy fakultete katërvjeçarë, atë të Histori-Gjeografisë dhe atë të Ekonomik. Sigurisht me rezultate të shkëlqyera për të mos më konsideruar koleksionues diplomash.

Kur u përgatita për t’u regjistruar në Fakultetin Juridik, mua, jo vetëm nuk më pranuan por më ndaluan me shkresë zyrtare edhe lejen nga puna për kohën që duhej të jepja provime.

  1. Kualifikimin e mësipërm e bëja edhe për një qëllim më të madh, të bëhesha një intelektual encikloped unik për atë kohë, me shpresën se do më lejonin ta hartoja Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të tipit Larousse francez. Për këtë pata mbështetje nga prof. Eqrem Ҫabej, prof. Ahmet Gashi e shumë autoritete të tjera shkencore. Madje arrita të krijoja dy redaksi, një më të ngritur (Ҫabej, Shuteriqi, Tashko, etj) për të më dhënë zëra të ndryshme dhe një redaksi tjetër me 70 veta, punonjës shkencorë operativë. (duke filluar nga Aleko Minga e mbaruar me Ylli Popën sipas rendit alfabetik). Pas disa vitesh pune në këtë drejtim Iu drejtova zëvëndës-kryeministrit Manush Myftiu për domosdshmërinë e Fjalorit në fjalë. Përgjigja ishte negative, pasi, sipas tij, kishte mungesë kuadrosh. Por u vërtetua se, në të njëjtën kohë, Manush Myftiu i dha porosi Ndërmarrjes Botuese “8 Nëntori” që ajo të niste punën për këtë Fjalor.

I ndjeri Drago Siliqi, i guximshëm, idh drejtor ndërmarrjeje botuese, mori përsipër të ma botojë ai vetë Fjalorin. Gjithashtu ai u zotua të më sillte nga Kina një Metodikë për përgatitje fjalorësh të tillë. Por, mjerisht, ai vetë vdiq në një aksident ajror në Irkursk, bashkë me metodikën time.

  1. Pasi nuk më linin gjatë në asnjë vend pune që nga viti 1945 (duke filluar nga Radio Tirana ku kisha fituar konkursin për spiker etj) në vende të ndryshme, u detyrova në vitin 1952- 1962 të jepja lëndën e Merceologjisë, si atë industriale, ashtu edhe atë ushqimore, për të cilën ekzistonin fakultete të veçanta në Bashkimin Sovjetik. Munda ta ruaja atë punë duke u bërë edhe autor tekstesh (fillimisht adaptues) për të cilat jam paguar pasi kishte material të shumtë nga vendi. Më vonë edhe autor. Por, sa herë vinin kuadro nga jashtë, mua më pushonin, por kuadrot nuk pranonin sepse kishin specializim më të ngushtë. Kështu e ruajta vendin dhjetë vjet. Për këtë periudhë ka shkruar për mua prof. asistent i merceologjisë Nikolin Paloka.
  2. Nga 1962-1965 dhashë mësim gjeografie dhe frëngjishte në shkollën Ismail Qemali. Thonë se me punën e mirë timen e të kolegëve të mij kjo shkollë e re, brenda tre vjetëve u bë qendër seminaresh në shkallë qyteti, qarku e republike në lëndët që jepja unë. Vetëm një herë në gazetën “Mësuesi” shkroi mirë për mua dhe guxoi ta verë emrin tim në gazetë, zonja Dhurata Xoxe, sidomos për gjuhën frënge që s’kisha as diplomë, në krahasim me profesorët që kishin studiuar në Sorbonë e që e zotëronin frëngjishten më mirë nga unë. Për gjeografinë emri im është shkruar vetëm një herë me shkronja të imta në fund të Atlasit Gjeografik me emërtim në gjuhën shqipe, në tirazh 100 mijë kopje. Nxënësit e Ismail Qemalit, falë punës sime, përshkonin 3500 km nëpër Shqipëri brenda vitit. Megjithatë më larguan edhe nga ajo shkollë.
  3. Në vitin 1967, pas Fjalimit të 6 shkurtit të Enver Hoxhës, nisi zbatimi i Revolucionit Kulturor Kinez në Shqipëri. Në shkollën Partizani iu bë Fletë-rrufeja drejtorit dhe nisi një indisiplinim i paparë në shkollën shqipe. Por, kur u kuptua se ishte rrugë e gabuar, Fadil Paçrami, sekretari i dytë i partisë së Tiranës, erdhi në shkollën Partizani me porosi edhe të Nexhmije Hoxhës dhe kërkoi nga unë të bëja autokritikë alla-kineze për gjithë gabimet që kishin bërë ata vetë. Nuk pranova. Më kërcënuan se do më pushonin për veprimtari armiqësore. Unë këmbëngula, nuk bëra autokritikë. Edhe pse e ndjeja si të metë timen për kohën, dhënien e mësimit privat të italishtes, spanjishtes, portugalishtes, Esperantos, (më kish ndodhur të bëja edhe metoda me makinën time Olivetti), jashtë pune, kuadrove dhe rinisë. Por nuk më akuzuan zyrtarisht për këtë. Rusisht dhe frëngjisht jepja në shkollë me leje zyrtare (gjuhë e Leninit dhe e Enver Hoxhës).

Përfundimisht më dorëzuan librezën ku pushohesha nga puna me motivacionin “Për veprimtari armiqësore”. Kjo, në bazë të Kodit Penal, do të thosh burgim i rëndë. Por Sekretariati i K.Q. të Partisë (Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Xhaferr Spahiu), që e njihte luftën time e prishi këtë motivacion si “armik” vetëm verbalisht. Dhe, për të mbrojtur autoritetin e Komitetit të Partisë të Tiranës, më dërguan të punoj në gjirin e klasës punëtore, gjë që e bëra pa mëdyshje, për tre vjet rresht. Në fillim me kazëm, më vonë si axhustator në uzinën Dajti.

  1. Nga ana tjetër, gruaja ime Emine Leka (Demiri) që kishte kryer fakultetin Biologji-Kimi në vitin 1950, por nuk i jepnin punë si mësuese, si ime shoqe, pas shumë peripecish, edhe kur punonte kimiste në Institutin Miçurin, e pushuan, u detyrua të studionte në Fakultetin Mjekësi -Veterinare. Për rezultate të shkëlqyeshme e mbajtën në Fakultet si punonjëse shkencore. Me dënimin tim i kërkuan që, për ta ruajtur vendin e punës, të ndahej nga burri. (sipas moralit të kohës). Përndryshe do ta transferonin në një fermë për rritjen e derrave në Paskuqan. Ajo pranoi punën me derrat në Paskuqan. Por edhe aty nuk i ndërpreu kërkimet shkencore duke bërë që një delegacion shkencor kinez të vijë nga Kina për të parë nga afër rezultatet e saj. Pasi i homologoi rezultatet, u bë një film dokumentar për të që u shfaq në gjithë kinematë e Shqipërisë (ku sot në filmotekën e Kinostudios në këtë dokumentar është prerë koka e Eminesë, po kështu edhe libri i saj për kërkime u zhduk në shtypshkronjën ku e kishin shpënë për botim). Asaj i ka ardhë një diplomë nderi nga Fakulteti sot, pasi më parë edhe Bashkia e Gjenevës i kishte dërguar Eminesë një Mirënjohje si qytetare e saj. Universiteti Bujqësor ndërkohë ka grumbulluar të gjithë të dhënat që i duheshin për ta propozuar për dekorim te Presidenti i Republikës për punën e mirë të Eminesë në fakultet duke pasur parasysh edhe gabimin e dikurshëm të drejtuesve partiakë komuniste, që e dërguan atë të punojë në stallën e derrave, ku ajo u shqua si stallierja më e kualifikuar në botë. Në fakt, pas kësaj Eminenë e vlerësuan dhe e ngarkuan si mjeke higjeniste në mjediset e kryeqytetit.
  2. Në vitin 1970 pas kisha bërë tre vjet punë në prodhim si dënim, kërkova nga autoritetet e kohës të kaloja në profesionin tim. Por asnjë autoritet nuk më pranonte. Të gjithë më drejtonin te Fadil Paçrami që ishte bërë shkak për cilësimin tim si armik, që ishte ngritur në post si Kryetar i Kuvendit Popullor, duke zënë vendin e Gogo Nushit. Pra më duhej ta takoja sërish Fadil Pacramin. Por ai tha në prani të nëpunësve të vet: Astrit Leka, ti më sheh mua si derr!

Përgjigja ime ishte: Unë të shoh si përbindësh! Se më ke shpalluar armik duke më shkaktuar vdekjen civile! Ai deklaroi: Do të bëj çmos që ti të mos rehabilitohesh!

Unë u largova nga ai duke thënë:

  • Pushka top të të bëhet, unë që nesër nuk shkoj më në prodhim, por do hap shkollë private në shtëpi për të dhënë mësim gjuhë të huaja për kuadrot dhe rininë. Po të them se “as Enver Hoxhës nuk do t’i drejtohem”. Në fakt, kështu bëra. Prita arrestimin me Gaz-in e Degës atë natë…Por nuk ndodhi gjë fatmirësisht. Si duket, Enver Hoxha e kish marrë vesh dhe çdo gjë ishte pezulluar ndaj meje. Njerëzit pyesnin, përse? Disa thonin se kështu ai i tregonte botës shqiptare se Shqipëria kishte vetëm një burrë, atë vetë., ndërsa të tjerët ishin vetëm meshkuj..

Për 20 vjet unë dhashë mësime private në shtëpi në gjuhët e ndryshme dhe ndjej kënaqësi kur në disa nga 54 vendet e botës, që kam vizituar, gjeta disa ambasadorë shqiptarë të cilëve u kisha dhënë mësim gjuhë të huaj dhe që më falenderojnë për këtë. Ashtu sikurse shumë kuadrove të tjera të larta pas ndryshimit të sistemit (Rexhep Uka, Tritan Shehu, Besnik Mustafaj, Kastriot Islami, e akademikë të tjerë).

  • Pas ngjarjeve në Rumani në dhjetor 1989, edhe Shqipëria komuniste u detyrua të japë shenja liberalizimi. Kështu, në maj 1990 ajo shpërndau mijëra pasaporta. Unë dhe familja u pajisa gjithashtu me pasaportë dhe u nisa për në Kanada. Në Bernë kërkova vizë amerikane. Është për t’u shënuar që, pas dy ditësh, kjo vizë m’u dha pasi shqyrtuan dokumentet e mia dhe jetën time të deriatëhershme si më sipër. Mua m’u tha se kjo është viza e parë që i jepet një qytetari shqiptar (veç të arratisurve që vinin të mbështetur nga fondacionet) që nga pushtimi fashist i Shqipërisë.

Në Nju Jork dekani i Fakultetit të Drejtësisë të UNY, pasi pa dokumentet e kualifikimit tim, edhe pse 65 vjeç, më propozoi vendin e bibliografit poliglot në Fakultet. Me pagë të lartë disa mijëra dollarë, mua shqiptarit që merrja në fermën “Gjergj Dimitrov” për 12 orë punë vetëm 2 dollarë…

Ndërkohë sigurova pranë disa universiteteve të rëndësishme amerikane dhe kanadeze botime shkencore të fundit, të cilat ua dërgova institucioneve shkencore shqiptare. Në Nju Jork pata rastin të takoja shumë delegacione që vinin atje edhe nga trevat e tjera shjqiptare (Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi etj) jo vetëm si shqiptar i interesuar për ta, por edhe si punonjës vullnetar në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Po ashtu edhe me delegacione të popujve të tjerë, si me hebrenjtë, si përfaqësues i një populli unikal në Europë që i kish mbrojtë ata gjatë luftës kundër nazizmit.

Por ato ditë unë dëgjova nga goja e vetë Mandelës, që sapo ishte liruar nga burgu, se ai do ta vazhdonte luftën e tij. Ndërkaq në Shqipëri mijëra qytetarë kishin hyrë në ambasada; në Kosovë ishte shpallur Republika nga Parlamenti. Unë pata takime dhe me parlamentarë të Kosovës (Rugova me shokë) ku mësova për gjendjen në Kosovë. Këta faktorë më vunë para përgjegjësisë që këto pak vjet që më kanë mbetur nga jeta, të ia kushtoja Shqipërisë? Kjo është arsyeja që vendosa ta refuzoj ofertën e universitetit dhe të nisesha për në Gjenevën ndërkombëtare, megjithë vështirësitë, ku qendrova pa kërkuar azil deri në 7 mars 1991, kur pashë në TV anijet shqiptare plot e përplot me refugjatë që mësynin Italinë.

Në Zvicër unë i vura vetes si detyrë të luftoj për pluralizmin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çlirimin kombëtar të shqiptarëve në ish Jugosllavi, pa qenë i varur nga asnjë ambasasdë, asnjë grupim politik ose lojë e agjenturave të ndryshme, për të ruajtur integritetin dhe pavarësinë time.

Kjo pavarësi e luftës sime për lirinë kombëtare të popujve dhe të drejtat e njeriur krijoi shumë kundërshtarë, intriga, shpifje, denoncime të padrejta ndaj meje në organet zvicerane, të cilat në atë fillim pune dhe njohjeje më dëmtuan shumë.

Në vitin 1991 unë u autorizova nga ministri i Republikës së Kosovës Xhaferr Shatri, ta shoqëroja në Konferencën Ndërkombëtare të Arsimtarëve në Gjenevë ku delegacioni i Kosovës  vinte për të denoncuar genocidin kulturor milosheviçian. (mbylljen e shkollave dhe ndalimin e shqipes në institucionet kulturore). Po ashtu, takova delegacionin e Shqipërisë me në krye z. Xhaferr Dobrushi. Në atë konferencë disaditore ndihmova në adoptimin e Rezolutës së parë ndërkombëtare që dënonte etnocidin kulturor  të Serbisë në Kosovë, ku ishin mbyllur shkollat shqipe.

Pas katër ditësh, në një mbledhje të trupit diplomatik në Zvicër e kërkuar nga serbët për të justifikuar politikën e tyre në Jugosllavi, unë denoncova genocidin kulturor ndaj shqiptarëve në Kosovë, pasi Atanasiev, dekani i Fakultetit Teologjik të Beogradit, autor i shumë shkrimeve kundër Kosovës, hyri në polemikë me delegacionin kroat duke u ankuar për shkollat serbe në Kroaci. Unë ndërhyra në favor të delegacionit kroat dhe përmënda Rezolutën si më sipër.

Në vitin 1992 krijova një organizatë jo qeveritare me emër “Solidest”, -Shoqatë Ndërkombëtare Solidariteti për Zhvillimin e Vendeve të Lindjes, i ndihmuar nga deputetë të Gjenevës, nga kryetari i qeverisë së kantonit, personalitete të tjera dhe shoqata të rëndësishme jo qeveritare zvicerane e të huaja. Kjo vërtetohet nga revistat e OKB- Gjenevë, që rekomandonin dhe inkurajonin pjesëmarrjen në Solidest.

Solidest më dha mundësinë të dërgoj në Shqipëri ndihma për spitalet e Shqipërisë, shkollat, institucionet e ndryshme, si jetimore ose handikapet etj, gjeta bursa studimi për studentët, etj. Libra shkencore solli në Shqipëri edhe universiteti i Friburgut. Librat vijuan të dërgohen nga universitetet e Zvicrës. Jam mbështetur nga tre rektorë të universitetit të Friburgut që morën falenderime nga universitetet shqiptare dhe ministri i shëndetsisë Kristo Pano.

Në kuadrin e Solidestit punova edhe për mosprodhimin e minave antinjeri. Këtë e vërteton prania ime në kongrese ndërkombëtare si edhe ftesa në sesionin e posaçem të OKB për këtë qëllim.

Për të bërë më të njohur botën shqiptare në Perëndim, unë hartova dhe botova broshura për Historinë e Shqipërisë në frëngjisht, anglisht dhe shqip, me kërkesë të autoriteteve të larta zvicerane dhe ndërkombëtare. Për këtë mora falenderime të shumta, përfshi kryetarin e OSBE dhe të Konfederatës Zvicerane, Flaudio Cotti.

Gjithashtu botova në shqip librin “Zvicra” për mijëra shqiptarët atje si emigrantë ekonomikë dhe politikë. (mjafton të përmend se në një vit atje kanë hyrë 40 mijë të rinj nga Kosova).

Në kolokiumin ndërkombëtar më 1992 për Europën Juglindore ku të gjitha delegacionet u shprehën për mos shpërbërjen e Jugosllavisë për të parandaluar një Luftë Ballkanike, unë deklarova se konflikti do mbesë brenda kufijve të Jugosllavisë. Historia më dha të drejtë mua dhe ministrit të Kosovës që kisha arritur ta futja në këtë mbledhje, të paktën për një ditë.

Gjithashtu unë mundësova futjen e qeverisë së Rugovës në Forumin e Kran Montanës, sipas deklaratës së dhënë nga ministri i informacionit të Kosovës.

Në atë kohë përgatita gjithë dokumentacionin e duhur për Ukshin Hotin e burgosur për ta paraqitur në OKB, duke ndihmuar dhe orientuar komisionet përkatëse që mbronin çështjen e tij.

Për shumë vite, ndoqa në Bashkinë e Gjenevës çeshtjen e ngritjes së bustit të Skënderbeut në atë qytet, me qëllim ngritjen e prestigjit kombëtar shqiptar, të cënuar nga disa të rinj që zhvillonin veprimtari të jashtëligshme në botën perëndimore. Kjo punë zgjati disa vjet dhe u refuzua disa herë nga çdo kryetar bashkie që ishte në funksion. Unë kisha mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1997, kur Shqipëria ndodhej në zgrip, bëra përpjekjen e fundit, këtë radhë me qeverinë e kantonit të Gjenevës, duke pasur përkrahje edhe nga Konfederata Zvicerane. Më në fund, u muar miratimi për ngritjen e bustit, duke e argumentuar këtë si mesazh paqeje që u shënua në vendimin përkatës të qeverisë. Një falenderim i shkoi kryetarit të atëhereshëm z. Shaban Demiraj si dhe z. Ylli Popa i cili më tha: të falenderojmë nxehtësisht për arritjen që pate me vendosjen e bustit të Skëndërbeut në Gjenevë në një moment kur ne i kishim humbur të gjitha shpresat, pas ngjarjeve që ndodhën në vend më 1997. Ta them me plot gojë se ky veprim ishte një yll ndriçues dhe një fakt që bota nuk na kish harruar. Falemnderoj kryetarin e OSBE, zviceranin Flavio Kotti i cili më shkroi që të gjeja me çdo kusht një lidhje të Skënderbeut me Zvicrën. Këtë e arrita kur zbulova se Gjeneva në vitin 1603, kur Duka i Savojës e kërcënonte për ta pushtuar ushtarakisht që ta bënte kryeqytet të vetin, për të inkurajuar 24 mijë banorët e saj të atëhershëm, botoi librin “Skënderbeu” të Lavardenit, në më se 1000 faqe në dy shtypshkronja, gjë që tregon ngutshmërinë që ata kishin, dhe ia shpërndau librin popullsisë. Një mesazh ky që merrte populli i Gjenevës nga lufta e Skënderbeut me popullin e vogël shqiptar kundër perandorisë otomane, më të fuqishme të kohës, nën sulltan Mehmetin e Dytë, më i fuqishmi i perandorisë otomane.

Unë e bëra kauzë timen dhe të Shoqatës Solidest ngritjen e përmendoreve të Skënderbeut që nga Parisi, Londra, Italia, Estonia, Ҫekia, Argjentina, Filipinet, Australia etj duke bashkëpunuar nga afër me bashkësitë shqiptare në ato vende.Në veçanti falemnderoj presidentin Shirak, kryeministrin Tonny Blair që mbështetën projektin në fjalë dhe sidomos Papën e sotëm Francesk, dy prelate të të cilit ligjëruan në kolokiumin që organizoi Solidest mbi Skënderbeun në Buenos Ajres.

 Vlen të theksohet që, pasi u thellova në njohjen e Skënderbeut në botë, unë gjeta se në shekullin XIX poeti kombëtar i Filipineve Baltazar u kish rekomanduar me shkrimet e tij gjithë bashkëatdhetarëve të ndiqnin shembullin e Gjergj Kastriotit për të fituar në luftën për heqjen e sundimit spanjoll. Si rezultat, në të gjitha ciklet e arsimit, në bashkitë dhe te veteranët e Filipinëve figura e Skënderbeut ishte e njohur dhe e nderuar. Madje, ata shprehen dëshirën të ngrihet në Manila një bust i Skënderbeut, gjë që pret sponsorizues.

Mua më dëgjoi rektori i universitetit të Gjenevës Hust dhe një profesor Descoudres për të organizuar një ekspeditë në Borsh të Sarandës ku kanë ndodhur ngjarje heroike në historinë e Europës. Për këtë u sigurua bashkëpunimi direkt me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Me ndërmjetësinë time ky bashkëpunim u shtri edhe në kërkimet arkeologjike në Orikum, ku për çdo vit studentët e Zvicrës bashkëpunojnë me studentët shqiptarë.

Kur në Kosovë luftohej për lirinë e saj dhe UҪK konsiderohej nga gati gjithë bota si “terroriste”, unë pata rastin të t’ia heq njollën “terroriste” UҪK. Kjo ndodhi nga që ish kryeministri Romano Prodi dhe ministri i brëndëshëm Giorgo Napoletano, më pas President i Republikës Italiane, dërguan te unë në Gjenevë këshilltarët e tyre, si njeriu më kompetent dhe më i besuar nga shqiptarët e Kosovës dhe ndërkombëtarët për të thënë të vërtetën rreth UҪK-s. Sigurisht, sipas këshilltarëve, kjo nismë kish lidhje direkt me ish Presidentin amerikan Bill Klinton, pasi bëhej fjalë për marrëdhëniet NATO- UҪK.

Pas disa takimesh ndërkombëtare, jashtë Zvicrës, me këshillën e autoriteteve zvicerane, pasi aty kishte shumë agjentë proserbë, u arrit bindja se UҪK ishte një organizatë çlirimtare, unë kërkova nga pala italiane që ky përfundim të shpallej publikisht. Premtimi u mbajt, në qershor 1998 erdhi në Gjenevë delegati amerikan Gellbard, i njohur si kundërshtar i UҪK dhe mori kontakt me përfaqësuesit që kishin kryer bisedimet të mëparëshme, që lidheshin me Drejtorisë Politike të UҪK. Me kaq unë u tërhoqa pasi kreva më së miri këtë mision kombëtar.

Pas kësaj marrëveshje, lufta në Kosovë mori zhvillime të mëdha dhe u shpëtuan qindra mijëra shqiptarë që do masakroheshin nga ushtria e Millosheviçit, sikurse ndodhi në Bosnje me 250 000 të vrarë.

Në Shqipëri ka ekzistuar, që para 1991, organizata e veteranëve të luftës e cila ishte anëtarësuar në Federatën Botërore të Veteranëve me seli në Paris (FMAC- Paris).

Unë i sugjerova Muamer Spahiut gjatë vizitave të këtij tek unë në Gjenevë, që të ngrihej një organizatë veteranësh me ish të persekutuar nga regjimi komunist si edhe të tjerë luftëtarë jokomunistë.

Në Tiranë u themelua, me nismën e Dr Ymer Dishnicës dhe Muamer Spahiut, Organizata e Veteranëve me emrin OBVL ku më kishin zgjedhur në Kryesi. Kjo organizatë nuk njihej ndërkombëtarisht. Madje për të keqinformonte organizata tjetër e veteranëve komunistë. Kryetari i ri i OBVL, gjeneral Rrahman Parllaku, heroi i Popullit, erdhi te unë në Zvicër dhe bashkë shkuam në Paris ku morëm kontakt me Federatën Botërore të Veteranëve, ku kërkuam anëtarësimin tonë në të. Po me gjeneral Rahmanin takuam autoritetet e Gjenevës si edhe autoritetet e Konfederatës Zvicerane në Bernë, të cilave u bëmë të njohur OBVL si dhe Shqipërinë pas përmbysjes së komunizmit.

Në vitin 2003 OBVL ftohet të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FMAC që mbahej në Johanesburg, ku unë u prita në Johanesburg nga kryetari i nderit i Federatës, ish president i saj, me këto fjalë: 181 organizata veteranësh të botës janë shprehur në favor të pranimit të OBVL si anëtare e Federatës, me përjashtim të organizatës së veteranëve komunistë të Shqipërisë. Prandaj vendosëm t’ju ftojmë juve në këtë Asamble.

Gjatë punimeve të Asamblesë, edhe pse isha vëzhgues (pa të drejtë vote) i propozova Asamblesë që të dërgonte mbështetjen e vet, po atë ditë, në Gjenevë Mbledhjes Ndërkombëtare për paqësimin e Izraelit me Palestinën, (ku merrte pjesë edhe ish presidenti Xhimi Karter etj), një nismë kjo zvicerane e zonjës Mishelin Kalmi Re, ku, edhe pse i ftuar, nuk shkova, sepse doja të paraqitesha në Asamblenë e Johanesburgut.

Propozimi u pranua dhe kryetarja e Konfederatës Zvicerane Mishelin Kalmi Re e konsideroi si mbështetjen më të madhe pasi ajo bëhej nga veteranët, të cilët janë më të besueshmit kur flasin për tmerret e luftës pasi e kanë bërë luftën vetë.

Në një letër të saj drejtuar mua më vonë, ajo thotë se Zvicra e çmon veprimtarinë time për paqen në Lindjen e Mesme, në botën e veteranëve.

Në fund të punimeve, Asambleja më zgjodhi këshilltar të përgjithshëm të saj (një nga 40 këshilltarët), të Federatës që numuronte 37 milionë anëtarë, pasi nuk rizgjodhi ish këshilltarin e mëparshëm shqiptar Piro Dodbiba.

Në vitin 2006 arrita të anëtarësoj në Konfederatën Europiane të Veteranëve CEAC- Paris, OBVL-në e Shqipërisë dhe atë të UҪK- Kosovë. Më pas u arrit të futej aty edhe organizata e veteranëve të UҪK- Maqedoni si edhe ajo e veteranëve shqiptarë të Kroacisë, duke siguruar në këtë mënyrë katër vota në Konfederatën e Veteranëve të Europës.

Më vonë arriti ta fus Organizatën e Veteranëve të UҪK- Kosovë në Federatën Botërore të Veteranëve pas disa vite përpjekjesh, që nga Johanesburgu, Rabati, Parisi, Zagrebi, Lisbona, Kuala Lumpur, Singapori etj. Duhet thënë se në mbledhjen e Asamblesë së FMAC -Paris në Kopenhagen, me propozim të Kryesisë, u refuzua kategorikisht kjo gjë. Pasi mbeta vetëm në atë Asamble me 350 delegatë, unë paraqita dorëheqjen në shenjë proteste për refuzimin e padrejtë të anëtarësimit të veteranëve të Kosovës. Kritikova Kryesinë se kishte cënuar Statutin, pasi vetaranët, kur dorëzojnë pushkën, në se vazhdojnë veprimtarinë për paqen, nuk merren më me politikë. Insinuatat e Kryesisë për justifikimin e mospranimit të veteranëve të Kosovës kishin të bënin me shpifjet lidhur me të ashtuquajturin “trafik të organeve të të burgosurve” të ish prokurores së Gjyqit të Hagës znj. Carla del Ponte.

Unë pasi që kisha ndëmjetësuar në marrëveshjen NATO – UҪK i shkarkova të gjitha të dhënat në Asamble. Rezultat i kësaj ndërhyrje, të plakut 85 vjecar, qe pranimi i veteranëve të UҪK unanim me përjashtim të delegatit serb. Edhe vetë mareshali rus Aleksandër Jefimov me dy këmbë të prera, dy herë hero i BS, që kish rëzuar me skuadriljen e vet 84 avionë armiq, nuk votoi kundër Kosovës, por abstenoi. Ai më kërkoi, kur u mbyll Asambleja, që të thoja në se isha i kënaqur nga abstenimi i tij. Sigurisht unë iu përgjigja si duhej se votimi i tij ishte votim prej heroi. Një tjetër mareshal i Presidentit Putin nuk do ta bënte këtë, do ta refuzonte kategorikisht hurjen e UҪK në Federatën Botërore.

Pas kësaj ngjarje u thirra në Kosovë ku m’u akordua dekorata e parë e UҪK me numër certifikate 1.

Shtojmë se mua, 60 vjet pas dekoratave të luftës të vitit 1945, më janë akorduar 11 dekorata ndërkombëtare, përfshi dekoratën “Urdhëri Naim Frashëri i Artë” më 2007 nga Presidenti Moisiu, nga e cila në 1990 kisha dalë me librezë pune si “armik i popullit”.

Mua m’u akordua në Romë një diplomë nderi së bashku me dekanen e çmimeve Nobel të botës Rita Levi Montalcini për veprimtarinë e zhvilluar gjatë gjithë jetës sime në favor të paqes dhe të drejtave të njeriut.

Ndër veprimtaritë më të vonshme të mia meriton të përmëndet bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në projektin për ngritjen e një busti të një personaliteti të shquar zviceran prof. antropolog Eugene Pittard. Ky zviceran i shquar në vitin 1904 dhe 1912 është marrë me studime antropologjike të shqiptarëve (100 kafka të Malësisë së Madhe). Pas studimit të tyre krahasues, para shpalljes së Pavarësisë, ai botoi librin ku thotë se “shqiptarët janë raca më e bukur në botë, duke vazhduar nga Dinarikët”. Sipas meje këta Dinarikë duhet të jenë ilirë të sllavizuar. Kjo figurë e shquar zvicerane ndihmoi për ngritjen e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe ratifikimin e tij në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar- Gjenevë. Në vitin 1927 Ahmet Zogu e dekoroi Eugen Pittard me dekoratën më të madhe të kohës. Diktatura komuniste e la në harresë të plotë. Me këtë rast, mbështetjen nga Akademia e Shkencave, për ngritjen e këtij busti në Tiranë e ndiej si një larje borxhi ndaj Zvicrës për ngritjen e bustit të Skënderbeut në Gjenevë. Një meritë për realizimin e këtij projekti i takon edhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.

Gjatë këtyre 27 viteve në Gjenevë, si ish bashkëpunëtor i Institutit të Shkencave, unë kam bërë përpjekje për të zbuluar momentet e ndritura, që bota shqiptare ka pasë në shekuj. Kështu kam ndihmuar që të përmirësohej deri diku imazhi i shqiptarëve në botën perëndimore.

Lidhur me këtë është edhe projekti i ngritjes së një “Përmendoreje të Vetëflijimit të Shqiptarëve në shekuj”, që mendohet të ngrihet në Borsh ku ka ndodhur ngjarja e mëposhtëme:

Në vitin 1571, u zhvillua beteja detare e Lepantos e fituar nga europianët të ndihmuar edhe nga shqiptarët, që ishin nën sundimin ottoman. Europianët, pasi i imponuan kushtet e paqes Perandorisë Otomane, i lanë shqiptarët në fatin e tyre, si objekt hakmarrjeje. Sipas mesazhit që transmetohej gojë më gojë në familjen Leka, atëhere katolike, për 401 vjet, Gjon Leka i pari i tyre, në bashkëpunim me luftëtarët borshiotë të kështjellës së Sopotit (Borshit të sotëm), i gjendur ngushtë nga sulmi i 1500 spahijve dhe jeniçereve otomanë të zbarkuar nga flota otomane aty, të armatosur me armë zjarri, vendosi të vetëflijohet me të vetët, duke u vënë zjarrin municioneve, pasi kishte futur brenda edhe të paktën 500 otomanë.

Kjo ngjarje heroike merr rëndësi të madhe për ne, shqiptarët dhe mbarë Europën nga fakti se ka ndodhur nëntë muaj para Natës së Shën Bartolomeut, kur në Paris u vranë brenda një nate 3000 të krishterë njëri me tjetrin. Kurse heronjtë e Borshit u hodhën në erë për të mos ju dorëzuar të gjallë otomanëve aziatikë.

Historia e vlerëson Natën e Shën Bartolomeut si “Njolla e zezë e Krishtërimit”. A nuk do ishte mirë që historianët ta studiojnë këtë zbulim që bëra unë në antikuarin e Universitetit të Gjenevës (Giovanni Contarini, faqe 30, botim 1571) për ta “zbutur” këtë “njollë të zezë” të Krishtërimit, falë katolikëve borshiotë. Ajo është në fakt një kurorë e krishterimit.

Këtë Memorial unë ia kam kërkuar jo vetëm Himarës nga ku varet Borshi, por edhe Kryeministrit Rama për ta ngritur edhe në Tiranë, si monument me vlerë mbarëeuropiane. Të njëjtin propozim ia kam bërë edhe Z. Ali Ahmeti nëTetovë, duke marrë premtimin e tij; po ashtu Z. Behxhet Pacolli, tani zëvëndëskryeministër i Kosovës, për ngritjen e Memorialit në Prishtinë, i cili gjithashtu u zotua.

Në këtë Memorial do të vendosen shtatë pllaka që përkujtojnë shtatë ngjarje heroike të bëra në të gjitha trevat shqiptare, që nga Borshi, te Marko Boçari në Mesolongji, Oso Kuka në Vraninë, 1861, arbëreshi që i vuri gjoksin plumbit që do vriste Garibaldin, 1861, (gjest që Garibaldi e ka vlerësuar lart për arbëreshët), Mic Sokoli në Shtimje të Kosovës, 1881, vajza me emër Sulltanja e Mazllëmit në Maqedoni, që me një gërshërë dhensh theri tre komitë që po vrisnin burrat e fshatit më 1912, Adem Jashari në Prekaz, 1998. (që me heroizmin familjar theu rekordin botëror në numrin e të vrarëve nga një familje, pas një familje kineze).

 

Dërgoi: Bardhyl Selimi

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s