Foto dhe Lirika Toti, shembulli i mjeshtrave të profesionit dhe një çift ideal

Nga: Sejdo HARKA

1.

Kisha dëgjuar për emrin e mirë të  këtyre dy mjekëve dentologë.  Vetëm,  kur i njoha nga afër, u binda se  Prof. Dr Foto dhe Lirika Toti nuk   janë vetëm  mjeshtra të profesionit  të tyre, por dhe shembulli i dy njerëzve të mrekullueshëm e të një çifti ideal. Me punën, përkushtimin dhe personalitetin e tyre të rrallë, ata kanë ditur të bëhen   pjesë e mendjes, shpirtit dhe halleve  të  shumë njerëzve, që i kanë dashur, i duan  dhe i respektojnë, tërë jetën. Kanë mbi 50 vjet, qëkur  ndajnë  së bashku shqetësimet e punës dhe hallet  e familjes, por s’thanë kurrë se u lodhën. Sepse aty, te lodhja e shqetësimi, ata gjetën edhe shlodhjen e gëzimin, edhe forcën e frymëzimin, për të parë dhe ecur  gjithmonë përpara.

Për të shmangur pengesat e vështirësitë, ata përherë kanë qendruar ndrmjet familjarëve,  të afërmve dhe miqve e shokëve të shumtë. Këta  mjeshtra   të rrallë të profesionit  të  dentistit, i ka lidhur jo vetëm  dashuria dhe respekti I ndrsjelltë, por  dhe pasioni për punën dhe, mbi të gjitha, përkushtimi  i  jashtëzakonshëm për mirërritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve  dhe nipërve e mbesës së tyre të dashur. Është kjo ndër arsyet kryesore, që fëmijët e tyre, jo vetëm kanë ecur të sigurtë në gjurmët e tyre, por në disa drejtime kanë filluar t’i tejkalojnë ata. Sa herë që unë dhe miku ynë i përbashkët, shkrimtari dhe “Mësuesi  i merituar”  Bardhyl Xhama, ulemi të bisedojmë shtruar me këtë çift të rrallë, bashkë me aromën e këndshme të kafes, shijojmë  dhe humorin  e këndshëm e fjalën e ngrohtë,  plot kulturë e dije, pa lënë askënd të fusë dorën në xhep

2.

Të shkruash për njerëz e intelektualë të zëshëm, si Foto e Lirika Toti, mbase, duhen faqe të tëra. Por në këto shënime të shkurtëra, do të ndalemi,  kryesisht, në çastet më kulmore të jetës dhe veprimtarisë së tyre të gjerë:  në punë, familje dhe shoqëri.

Prof.Foto Toti u lind në Labovë më 1937, në një familje me tradita të lashta atdhetare e arsimdashëse. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes e më pas në qytetin e Gjirokastrës. Në kujtimet e tij të fëmijërisë,  Fotua tregon se si ai, kur lëvizi nga shkolla e fshatit, në atë të qytetit, tjetërsohet nga një nxënës, që ngatërronte shkronjat, në një  nxënës, i cili jo vetëm shkrunte bukur, por  hartimet dhe krijimet e tjera artistike të tij, filluan të publikohrshin në këndin e rrethit letrar të shkollës. Në atë kohë, ky drejtohej nga Dritëro Agolli e Agim Shehu, që më von do të bëheshin dy nga shkrimtarët më me emër të letërsisë shqipe.

Pasioni  dhe talenti i  djaloshit F.Toti  për krijimtarinë artistike sapo kish filluar të hidhte hapat e parë, kur jeta e tij do të merte  një drejtim tjetër. I  orientuar  nga një i  afërm i tij, ai la në “gjumë” pasionet e adoleshencës dhe vazhdoi studimet e mesme  në Politeknikumin e Mjekësisë, për ndihmës mjek dentist. Me mbarimin e kësaj shkolle, Fotoua emrohet ndihmës mjek  në klinikën dentare të Durrësit. Sot, plot nostalgji  e pasion, ai tregon: “Nga që më pëlqente shumë fshati im, Labova, shkoja shpesh atje. Bashkëudhëtarja ime e përhershme, sidomos në ato ditë të para  të  punës së ndihmës mjekut, ishte një çantë e kryqit të kuq, mbushur me ilaçe të ndihmës së shpejtë. Ishte 17 korriku i vitit 1955, kur Urani Llogon, një bashkëfshataren tone, e  kishte goditur vetëtima. Edhe pse u ndodha rastësisht aty, shkova  me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe, i tronditur thellë, kuptova se nuk ishte koha për të pritur. Mblodha veten, për të bërë gjithçka,  që Uraninë ta riktheja në jetë. Sapo i bëra frymëmarrjen artificiale, ajo filloi të jepte shënja jete. Nuk mund  ta përshkruaj  dot gëzimin, që ndjeva, kur pashë  se bashkëfshatarja jonë ishte  rikthyer plotësisht në jetë. Në ato çaste u bëra me krahë, sepse  e kuptova që i kisha hyrë një rruge pa kthim, sa të vështirë, aq dhe të bukur”. Për këtë vepprim njerëzor, gazeta  e kohës, “Zëri i Rinisë”  botoi me shkronja të mëdha: ”Foto Toti shpëtoi jetën e një njeriu”.

Pas një viti, F.Toti emërohet përgjegjës i Klinikës Dentare  të qytetit të Kavajës. Aty ai do të gjente dy mjekë të zotë, të cilët, siç tregon vetë, punonin në atë klinikë të vogël, “për arsye biografie”. “Me që unë nuk u solla me ta si përgjegjës, – thotë tani Fotua, – ata  më trajtonin si birin e tyre. Nga mjeshtëria e tyre profesionale mësova shumë, sepse më treguan sekretet e këtij profesioni të bukur”.

Një vit më vnë,  ndihmësmjeku i mirënjohur Foto Toti dërgohet për studime  në Gjermani, ku mbaroi me prfundime të shkëlqyera. Sapo kthehet nga  këto studime, ai emërohet  mjek stomatolog në rrethin verior të Tropojës. Bashkë me dy laborantët e tij, tepër të zotë, iu përvesh punës për rikunstruksionin dhe pajisjen e asaj klinike, me të gjitha paisjet dhe kushtet e domosdoshme, që u duheshin për të kryer edhe shërbimet më të vështira, siç ishin ndërhyrjet kirurgjikale, të cilat në atë kohë bëheshin vetëm në  klinikat qendrore të vendit tonë.

3.

Në moshën 30-vjeçare, stomatologu F.Toti trasferohet në  Klinikën Qëndrore  Dentare të Tiranës. Ndërkohë, ai filloi të aktivizohej pedagog i jashtëm   i degs së stomatologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë. Aty, më vonë, për 35 vjet me radhë, do të punoi  pa u ndarë asnjë ditë. Krahas punës  së përditëshme me auditorin, ai ka bërë një punë të madhe  kërkimore e studimore në fushën e dontologjisë shqiptare. Prof.Dr.Foto Toti është ndër të parët, që realizoi një bashkëpunim të frytshëm shkencor me kolegët e Kosovës dhe Maqedonisë, në fushën e mjekësisë. Me punën e palodhur dhe vizionin e tij janë organizuar  shumë konsulta, seminare e kongrese  shkencore, për shkëmbim  përvoje dhe zgjidhjen e shumë problemeve të mjekësisë së kohës.

Si rrrjedhojë e aftësive të tij të larta dhe përkushtimit në punë,  në vitin 1975, F.Toti emërohet Shef i Katedrës së Klinikës së ortopedisë stomatologjike. Krahas punës së përditëshme, për një periudhë  relativisht të shkurtër, ai  arrin të marrë  disa grada e tituj shkencorë,  si: “Kandidat i Shkencave  Mjekësore” (1980), “Docent” (1982), “Doktor i Shkencave” (1991). Ndërsa, në vitin 1994, mori titullin e lartë, “Profesor”. Ai është autor i 17 monografive dhe i teksteve  mësimorë, si dhe i  mbi 200 artikujve e referateve shkencore, të mbajtura në koferenca e kongrese shkencore, që janë zhvilluar brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë karrierës së gjatë pedagogjike, Prof.Dr.Foto Toti ka udhëhequr   shumë  tema, për gradën” Doktor i Shkencave”. Për punën e gjerë studimore dhe nismat e tij të guximshme, ai është quajtur “babai i implatologjisë shqiptare”. Sepse  është i pari, në vendin tone, që e zbatoi këtë metodë  në mjekësi. Gjithashtu,  ai është i pari nga mjekët shqiptarë, që vuri  mbi baza shkencore përdorimin e protezave, shinave kirurgjikale dhe të epitezave të fytyrës.

Prof.Dr.Foto Toti, për një kohë të gjatë, ka qënë anëtar i Asamblesë  Botërore të IOFOS-it, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Stomatologëve të Shqipërisë dhe kryeredaktor i Revistës Stomatologjike Shqiptare.

Edhe mbasi mbushi moshën e pensionit, Fotua vazhdoi të punojë  pedagog. Pasioni për profesionin dhe dashuria për auditorin e studentët, bëri që,  më vonë, të fillojë punën  e re, Dekan i  Shkencave  Mjekësore të Aplikuara, në Universitetin “Medikadent”, detyrë që e vazhdoi  deri në vitin 2015. “U  largova  me keqardhje nga studentët dhe kolegët e mi të dashur, -thotë Foto Toti, – vetëm kur e ndjeva se mosha dhe shëndeti nuk më lejonin  të vazhdoja. Megjithatë, e ndiej veten të lumtur, sepse  për gjithçka, që kam  bërë  në shërbim të  njerëzve dhe gjithë shoqërisë, kam marrë mirënjohjen  maksimale të tyre dhe të institucioneve përkatëse”.

Dhe kjo është mëse e vërtetë. Gjatë tërë jetës së tij, Prof.Dr. Foto Toti  ka marrë shumë falënderime, medalje dhe tituj të lartë nderi. Disa prej tyre janë: “Medalja e Punës” (1974), Urdhëri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë” (1981), Urdhëri Ndërkombtar, i Artë “Hipokrati”(2012)…Ndërsa, në vitin 2015, Presidenti i Republikës së Shqipërisë  e nderoi me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.

Prof.Foto Toti, edhe  pse  ka bërë gjithçka, që mund të bëjë një  intelektual i zëshëm për veten, fëmijët e shoqërinë, përsëri e ndjen  se ende ka diçka për të bërë. Prandaj, gati çdo ditë, vazhdon të shkruajë kujtimet e tij, për  t’ua lënë si përvojë  e kujtim brezave të ardhshëm. Siç duket, kohët e fundit,  në shpirtin dhe kujtesën e tij ka filluar të rizgjohet  ëndrra e dikurshme  rinore, për t’u marë me  krijimtari letrare. Prandaj shkruan e shkruan, pa mbarim. Krahas librave  me  persiatje artistike e kujtime për vendlindjen e tij, Labovën,  për arsimin dhe mësuesit e këtij fshati arsimdashës dhe për “Fisin Toti”, ai vazhdon të përgatisë për botim konturet e  një libri tjetër. Veprat e tij të fundit  lexohen me kërshëri e kënaqësi, sepse në to gjen të ndërthurur bukur artin me historinë, ngjarjen  e detajin  artistic, me kujtimin. Këta libra  janë shkruar me një gjuhë të bukur e të pastër, që e bëjnë narracionin tërheqës dhe tepër të vrullshëm

5.

Në suksesin dhe personalitetin e rrallë të Prof.Dr Foto Toti, ashtu siç thotë dhe vetë ai , rol të vaçantë ka luajtur bashkëshortja e tij, Lirika Toti-Golloshi. Por, para se ta argumentojmë këtë fakt, do të mundohemi të tregojmë, me pak fjalë, se cila është Lirika Toti (Golloshi). Pasi  mbaroi  me përfndime të larta gjimnazin “Qemal Stafa”, ajo filloi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, në degën e stomatologjisë, të cilat i  përfundoi  me nota të shkëlqyera, në vitin 1967. Është kjo arsyeja, që emiri i saj  ndodhet i regjistruar në “Librin e Artë” të Universitetit të Tiranës.

Pas përfundimit të studimeve  të larta, Lirika emërohet në Klinikën Qëndrore të Tiranës. Në vitin 1976, ajo specializohet për pedodenti. Për  arritje të larta e përkushtim në punë,  emërohet  shefe  në një nga klinikat më të mëdha dentare të Tiranës. Kudo, që Lirika punoi, tregoi se ishte jo vetëm një mjeke e pasionuar, por dhe një hulumtuese dhe studiuese e zellshme, në fushën e mjekësisë dentare. Gjatë gjithë karrierës, ajo ka  shkruar dhjetëra artikuj e studime, për gojën e dhëmbët, të cilët janë referuar dhe botuar në  shtypin periodik e në revistat shkencore të mjekësisë. Me pasionin dhe përkushtimin e saj, Lirika  ka ideuar dhe përgatitur shumë konkurse, programe televizive dhe  teledrama, me                                                                                                                                                            “aktorë” dhëmbët, të cilat janë shfaqur e publikuar, jo vetëm brenda vendit, por dhe në Kosovë e Maqedoni.

Janë këto disa nga arsyet që Lirika Toti (Golloshi) gëzon jo vetëm respektin e pacientëve, miqëve, të afërmve, shokëve dhe shoqeve të shumtë, por dhe të gjithë kolegëve. Në librin e tij të fundit  me kujtime, “Fisi Toti”, bashkëshorti i saj, Fotua, përveç të tjerash, shkruan se Lirika është një grua fisnike, që s’kursen asgjë për njerëzit dhe të afërmit e saj. “Shumë nga gëzimet  dhe sukseset e mia, unë ia kushtoj asaj,-pohon ai,-sepse ajo në çdo moment  ka sakrifikuar nga koha dhe jeta e saj për mua, fëmijët dhe nipërit e mbesën tonë. Për të gjitha ato, që ka bërë dhe bën për ne, unë i mbetem borxhli”.  Ajo është jo vetëm një  mjeke e zonja dhe tepër e përkushtuar ndaj profesionit të saj, por dhe një grua  mikpritëse, njerëzorë, nikoqire e rrallë dhe një edukatore shëmbullore e fëmijëve dhe nipërve e mbesave të saj. Tregojnë se edhe fëmijët pacientë, Lirika i trajtonte si fëmijët e vetë. Kur mungonin aparaturat dhe ilaçet, në  klinikën shtetërore, ajo u shërbente falas në klinikën e saj private.

6.

Foto dhe Lirika  Toti  për tërë jetën kanë qenë dhe mbeten shembull i një çifti  të fortë dhe tepër  këmbngulës, për realizimin e qëllimeve të përbashkëta. Synimi i tyre i përhershëm në jetë ka qënë që, çdo gjë, ta bëjnë mirë dhe në kohën e duhur. Por, siç thonë dhe vetë ata, mrekullia më e madhe e tyre janë dy fëmijët, Floriani dhe Çeliana. Te Floriani, thekson   F.Toti në kujtimet e tij, gjen kuptim të plotë shprehja popullore: “Bëmë, baba, të të ngjaj ,një pëllëmbë të ta kaloj”. Jam shumë i lumtur, thekson ai, që  djali im jo vetëm ma ka arritur, por dhe ma ka kaluar. Floriani sot jo vetëm që mban titullin e lartë “Profesor” i shkencave mjekësore, por dhe, që nga viti 2016. është zgjedhur President i  Studimit dhe Edukimit të Diabetit,  në Europë. Ndërsa vajza e tyre, Çeliana, që mban titullin e lartë “Profesor i Asociuar”, që prej vitit 2014, është zgjedhur Presidente e Ortodontëve të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por Çeliana, siç shkruan dhe  i jati   i saj në kujtimet e tij, ”është një vajzë   e mrekullueshme, e ëmbël dhe shumë e dashur”.

Në këto shënime të shkurtëra nuk mud të mos theksojmë faktin e rrallë, që ndoshta është për në “Gines”, që në këtë familje  të vogël prej 4 vetash , tre prej tyre mbajnë titullin e lartë “Profesor”  i shkencave mjekësore. “Ende më të lumtur bëhemi,-  thonë Fotua dhe Lirika, – kur ndodhemi ndërmjet mjaltit të mjaltit, pra fëmijëve të fëmijëve tanë. Paolo dhe Kevi, Fjordi dhe Emi e, në mënyrë të veçantë Patriku i vogël, janë gëzimi  dhe ilaçi ynë  i përditshëm, që na largojnë, si me dorë, çdo dhimbje e shqetësim…”.

Tiranë, shtator 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s