Luarasi dhe erotika

Një tregim dedikuar dokumentarit “Kujtim Spahivogli” shfaqur në Tiranë, te Teatri Eksperimental në përkushtim të regjisorit dhe dramaturgut të mirënjohur, Mihal Luarasi.

Në orën 18.00 hyra në sallën e vogël të Teatrit buzë pedonales. Në skenë ekrani i bardhë ishte vendosur, një stativë mbante mikrofonin. Njerëzit një nga një po uleshin në karriget e kuqe. U ula në rreshtat e fundit. Doja ta kisha gjithë pamjen në fokusin tim.

Rreshtat e para u zunë nga njerëzit që ishin folës, tregues të Heroit në dokumentar.

Një rresht para meje, madje një hapësirë dyzet centimetra na ndante, u ul një çift. Dukeshin të dashuruar, sepse ai nuk rreshte së puthuri dhe ajo nuk ja ndante sytë. Më kishte marr malli të shihja dy njerëz kaq të dashuruar. Ndoshta janë aktor dhe po luajnë rolin – mendova.

Dritat u shuan. Mbeti vetëm drita mbi ekran.

Një burrë ecte me hapa të vegjël mbi trotuar, i mbajtur për krahu nga i biri.

Më pas me po ato hapa hyri në sallën e teatrit dhe u ul në një nga karriget mes salle.

Më rrodhën lotë.

U shkëmbye një puthje mes çiftit. Errësira ishte ndihmuesja e tyre.

Profesori dhe skena ishte një simbiozë deri në vitet shtatëdhjetë.

Një dashuri që lind me njeriun që në gen dhe shfaqet gjatë rritjes së tij.

Të ndjej shumë – u dëgjua zëri i burrit tek e ledhatonte gruan në krah.

Unë vura buzën në gaz dhe pse momenti i jetës së profesorit ishte dramatik. I rritur jetim, me sakrifica, mundi të realizonte ëndërrën për të qënë në Akademinë e Arteve.

Edhe unë të dua shumë- ia kthen ajo duke i afruar buzët tek veshi i tij. Njè puthje e lehtë.

Profesori udhëton në Hungari, qyteti që njihte mirë shqiptarët e Skënderbeun.

Jeta është e lirë.

Çifti këmben puthjet.

Një poezi erotike recitohet në dokumentar.

Duart e burrit lëvizin, ndryshojnë pozicion.

Një vërejtje në ambasadë për vargjet e shkruara.

Ndasia e parë e dy perceptimeve. Liria fillon të kufizohet.

Gruaja i afrohet edhe me shumë fytyrës së burrit dhe i pëshpërit: ” Të dua”.

Frymëmarrjet e kënaqësisë së tyre janë të ngadalta.

Kthim.

Ëndërra bëhet realitet.

Pasioni nuk njeh lodhje. Punë, punë, punë dhe suksesi vjen.

Shquhet për talentin regjisorial.

Të rejat e sjella në artin skenik.

Flasin, kujtojnë miqtë e tij me të cilët ka ndarë punën e jetën.

Je dashuria ime- i thotë burri ngadalë duke i puthur faqen.-  Sa aromë dehëse ke!

Nën dritën e ekranit, e cila u reflektua një çast mbi gruan pashë buzëqeshjen e saj e sytë që ndritnin gëzueshëm.

Një vajzë e bukur, postalkë si i themi ne u shfaq krah profesorit. Një çift i bukur, i suksesshëm. Ai regjisor, ajo aktore. Mbretëria e tyre, skena.

Je yll! – i tha ai duke e puthur prapë.

Ajo i mori dorën dhe ia përkëdheli.

Mbretëria e tyre ishin dy karriget.

Në ekran titrat renditnin punën skenike të Profesorit.

Suksesi, duartrokitjet, udhëheqja duartroket. Çmimet.

Një flakë ndez ekranin.

Nën dritën e kësaj flake duart e burrit ishin të futura mes këmbëve të gruas.

Flaka qëndroj disa çaste.

Profesori dhe familja e tij nga këto flakë ideologjike vuajtën dënimet komuniste.

Arti u burgos. Një pas hekurave të burgut, tjetri i burgosur pas një makine qepse.

Më rrodhën lot- tha gruaja. – Pse? Pse?

Ne jemi raca më e poshtër – tha burri – me siguri, xhelozi profesionale.

Dy të dashuruarit u puthën prapë.

Përciptaz u fol, tregua kalvari i mundimeve. Të vërtetat, gjyqi, akuza, dosjet e hetimeve, dëshmimtarët, xhelatët nuk folën, heshtën. Edhe këtë herë liria u kryqëzua në kryq.

Çifti puthej dhe burri nuk rreshtte së përkëdheluri gruan.

Më pas duart e të dyve u bashkuan, u lidhën fort.

E tashmja e Profesorit pas kthimit të dytë nga Hungaria ishte pjesëmarrje aktive me shfaqje, pamflete, shkrime, intervista, biseda. Fjala e Tij dëgjohet. Zëri i Tij mbulon skenat teatrore.

Simbioza kthehet, jetojnë bashkë, Profesori dhe Teatri.

Ekrani shfaq titrat me titujt e dramave të shkruara nga Profesori.

Ai burri që hidhte hapa të vegjël në bulevard, hodhi hapin e madh ndaj Lirisë së të Bukurës, Ndjenjës, Estetikës, Erotikës, ndaj u burgos.

Burri i kalon dorën lehtë te faqja e gruas.

Zemër, të kam xhan! – i flet me zë paksa të ngritur.

Profesori në ekran flet.

I biri krah tij.

Gruaja krah tij.

Vajza krah tij.

Sytë e Profesorit kanë lot.

Gjurma e Tij është e madhe në skenë.

Ai nuk ishte fizikisht në këtë ngjarje, miqtë e Tij ishin.

Titrat paralajmëruan fundin.

Çifti para meje u ngrit.

Dritat u ndezën.

Duartrokitje.

Më pas, Koktejl.

Nga: Alketa Maksuti Beqari 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s