Në festat e dy shkollave

Datat 14 dhe 15 shtator janë tanimë festat përkatësisht të shkollave “Adem Gllavica” në Lipjan dhe “Ahmet Gashi” në Prishtinë, e para me profil teknik-profesional ndërsa e dyta gjimnaz shoqëror.

Bashkë me tim vëlla, Arbenin, dhe z. Baton Gashi, vendosëm të marrim pjesë edhe ne në këto veprimtari.

1Prej rreth 15 vitesh, shkolla e Lipjanit me drejtor z. Hajrush Stublla më ka mirëpritur me bujari. Kolektivi mësues- nxënës na priti neve që mbërritëm aty në orën 11, falë edhe shoqërimit me veturë të mikut tim nga Janjeva, z. Avni Bikliqi. Edhe këtë vit shkolla kish përgatitur një program artistik ku spikati një kuartet instrumentash popullorë i përbërë vetëm nga djem. Gjithashtu edhe mësuesja e letërsisë e cila recitoi një varg vjershash të saja kushtuar shumë dëshmorëve të rënë gjatë luftës 1998-1999, disa prej të cilëve ish nxënës të saj. Kjo shkollë me mbi 1200 nxënës, me 35 paralele dhe rreth 85 punonjës mësimorë përgatit specialistë të mesëm në mbi 22 profile të ndryshme, të cilët përgjithësisht gjejnë vende pune. Si shkollë profesionale ajo i përgjigjet mjaft mirë edhe kërkesave të sotme të shoqërisë.

Pas veprimtarisë, miku im, Behadin Rexhepi, që nuk mungon asnjëherë në këto veprimtari, na ftoi të shkonim në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ku promovohej versioni në anglisht i monografisë “Masakra e Recakut- Krim kunder njerëzimit” e një grupi autorësh, ndër ta edhe miqtë e mij znj. Fetnete Ramosaj dhe z. Ruzhdi Jashari. Me këtë përkthim plotësohet boshllëku i madh i informacionit që ne u ofrojme të huajve për atë që ka ndodhë në Kosovën tonë martire. Në sallën e mbushur plot si zakonisht folën recenzentët dhe autorët. Ishte një kënaqësi që këta të fundit na dhuruan edhe neve kopje të këtyre librave të çmueshëm, si dhe na lutën të dërgojmë në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës një sasi syresh, gjë që e pranuam me kënaqësi.

Pas promovimit të librit, z. Ruzhdi na ftoi për kafe diku aty pranë ku në një shoqëri prej dhjetë vetësh shkëmbyem mendime për çështje të ndryshme. Më parë bëmë foto në hyrje të bibliotekës edhe me disa historianë të njohur si psh z. Hakif Bajramin.

Pasi u sistemuam në hotelin SARA, propozova të hanim një drekë në kompleksin turistik “Ania” të Janjevës, ku e kaluam mjaft bukur. Avniu ftoi edhe kushërinjët e mij Nazmi Kongjelin dhe Faton Kongjelin. Këtë të fundit e kisha parë në Tiranë vetëm në vitin 1991.

Bisedat rrahën tema të ndryshme, por ajo që bie më shumë në sy është shqetësimi i shqiptarëve në Kosovë për korrupsionin e drejtuesve. Kjo i shpie shumë syresh edhe në humbjen e shpresës. Po ashtu, tema e bashkimit kombëtar, që tani atyre u duket më i largët, pothuaj i pamundur. Unë këmbëngulja që përkundër varfërisë, papunësisë që vjen edhe nga keqpërdorimi i pushtetit, Kosova është e do mbetet e lirë, shqiptarët po lëvizin pa probleme në tërë hapësirën shqiptare. Është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithëve neve, të punojmë për ta shpënë përpara ekonominë, kulturën, arsimin. Për këtë ta kontrollojmë mirë votën tonë, por edhe ta ngremë zërin për çdo padrejtësi që vërejmë. Sigurisht që nuk është e lehtë, por të mos harrojmë si ishte gjendja vetëm 19 vjet më parë!

2

Avniu na ftoi për kafe në fshat. Në fillim veturat tona iu ngjitën kodrës lart, deri te shtëpia muze e At Shtjefën Gjeçovit. Mezi e kisha pritur një çast të tillë. Rruga e ngushtë gjarpëruese por e shtruar, kalonte ndanë mureve prej qerpiçi ose guri të shtëpive të vogla. Disa fshatarë ktheheshin nga puna bashkë me kafshët shtëpiake, kuaj, qenë, lopë. vumë re ndonjë traktor të ngarkuar me dru për dimër, ndonjë zë fëmijësh brenda oborreve. Në këtë lagje banojnë, na thonë kroatë, mbase sepse janë katolikë. Tani ata janë rreth 200 nga 6000 para vitit 1990! Ndalëm te shtëpia muze, lexuam pllakën përkujtimore në tri gjuhë, pozuam te shkallët dhe para fasadës. Avniu ankohej se shtëpia e rindërtuar dikur po amortizohet, ka nevojë për mirëmbajtje por Komuna e Lipjanit nuk ka para. Ai me shaka po më thosh se kam një foto të rrallë të prindërve të Gjeçovit që do ja jap vetëm atij që do t’i meremetojë dy dhomat..Jo larg shtëpisë banonte edhe mbesa e Atit, e cila thotë se është kroate…por nuk e pëlqen priftin e fshatit sepse ai nuk fl et mirë për shqiptarët…

Zbritëm poshtë në fshat te ‘kafeja e Idrizit’, në qendër. Na u duk vetja si në qytet, pasi aty vinte autobuzi, kishte shumë lëvizje. Avniu ftoi të vëllanë dhe djalin, pjesëtar i Forcave të Sigurisë, dikur nxënës në “Adem Gllavica”. Vazhduam bisedën..

U kthyem në hotel të rilaksuar, edhe pasi hëngrëm një darkë të thjeshtë diku pranë tij.

Të nesermen hëngrëm mëngjes në një byrektore dhe u ndalëm në kafenënë “Sulltan” para gjimnazit “Sami Frashëri”, ku shijuam bozën e famshme të atyshme. Na kënaqej syri tek shikonim nxënësit e shkollës me uniforma që kishin dalë në pushim për të blerë diçka për të ngrenë, lëvizjet plot gjallëri në rrugë të qytetarëve dhe automjeteve. Që nga kafeneja duket kulla e vjetër e orës dhe shtëpitë karakteristike prishtinase.

I kisha telefonuar Xhelal Pakashticës, shoferit dhe shoqëruesit të Bacës Adem Demaçi që të vinte edhe vetë Baca në veprimtarinë e gjimnazit “Ahmet Gashi”. Si gjithnjë Baca Adem pranoi me kënaqësi. Kështu rreth orës 11 karvani i autoveturave të mësuesve të gjimnazit, me në krye drejtorin Ilmi Reçica, u nis drejt Novobërdës, në restorantin “Vllasia” në majë të nje koder kundruall Kalasë së Artanës. Kisha ngrënë darkë në këtë restorant një mbrëmje vonë, dy muaj më parë, i shoqëruar nga z. Ali Agushi, z. Ilmi dhe z. Bislim Krasniqi. Tani, ditën, pamja që andej ishte jashtëzakonisht e bukur. Dreka kaloi shumë mirë në shoqërinë e mësuesve mikpritës të këtij gjimnazi të ri, që po tërheq shumë nxënës, përkundër disa mëdyshjeve të prindërve dy vjet më parë, kur lobohej për emrin e gjimnazit. Për mua ishte kënaqësi e madhe se pata rastin të bisedoj nga afër me vëllaun tim të madh, bacën Adem, që më dukej shumë mirë fizikisht dhe mendërisht, pavarësisht goditjes në tru që pësoi disa vite më parë. Ai më kuptonte për çdo problem që shtroja dhe reagonte me kujtesën e vet po aq qartë sikurse edhe dhjetë vite më parë.

U kthyem pasdite vonë në Prishtinë, por grupi ynë (unë, im vëlla, Batoni, Behadini dhe Avniu) u nis drejt fshatit Rashincë të Shtimes, ku na priste në shtëpinë e tij miku i Batonit, z. Musë Qorrolli. Rrugës ndalëm në Ministrinë e Administratës Publike ku z. Baki Svirca na dha disa kopje të librit të tij “Plaçkitja dhe shkatërrimi i materialit arkivor dokumentar të Kosovës” në dy gjuhë shqip-anglisht dhe të librit të znj Fetnete Ramosaj “Kundër harresës” po ashtu në dy gjuhë shqip-anglisht, të gjitha botime të Institutit për Hulumtime të Krimeve të Luftës.

Oborri i madh, rreth dy hektarë, i z. Qorrolli ishte plot drufrutorë, një arë me hamullore, stallë për lopët, një park i vogël makinash bujqësore, livadh. U ulëm pranë shtëpisë dhe nisëm bisedën jo vetëm me të zotin e shtëpisë dhe djalin emigrant të ardhur nga Belgjika por edhe me dajën e tij, ish mësues dhe fqinjin e tij të mirë. Më shijuan shumë dy molla të kuqe tërë lëng dhe uji i ftohtë i pusit me emër, sigurisht edhe çaji që shërbehej disa herë, ashtu sikurse dinë ta përgatisin në Kosovë.

Autobuzi ynë për Tiranë nisej në orën 21. Ne u ndodhëm në stacion më përpara. Rrugëtimi vajti mbarë, si gjithnjë me një ndalesë të gjatë në Prizren ku hypën pasagjerë nga ai qytet, nga Gjakova dhe nga Peja. Ndër ta, na ra në sy një vajzë 19 vjeçare me kitarë, e cila kish hyrë në shkollë që pesë vjeçe dhe tani vijonte vitin e tretë për mjekësi në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.

Edhe më parë e kisha krijuar përshtypjen që brezi i ri është më e aftë se brezi ynë, përkundër opinionit që shprehet gabimisht rëndom, që e tha edhe daja i Musës..Ky brez po përballon sfida të reja dhe po zgjidh probleme teknike dhe shoqërore të reja, jo më të lehta se ato të brezit tonë.

Bardhyl Selimi, 18 shtator 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s