Ibrahim Berisha: Manuali i pritjes në stacion

Tregim

Nga Ibrahim Berisha

Nuk jam i pikëlluar, megjithëse cigarja, që nuk qet tym, mbasi e thith, dhe pastaj e derdh me frymë jashtë si avull, lë gjithmonë keqkuptimin për të gjykuar se pikërisht dhimbja është në kulm, prandaj edhe pikëllimi s’ ka si të mos jetë brenda meje. Më atë gjykim më shikon gruaja e gjendur aty, qëkur erdha në stacionin e autobusëve “Te Tre Sheshirat”. Thasët me mbeturina afër parmakëve që rrethojnë Radiotelevizionin Publik, më duhmë të thartë, e bëjnë të padepërtueshme edhe erën esmere, të lehtë që fryn nga juglindja.

Madje i thënçin stacion këtij kaosi, se nuk dihet asnjëherë orari i ardhjes dhe ikjes së autobusëve, kombibusve dhe veturave të vjetra e të shkallmuara, sa kur hynë brenda të zihet fryma e të vjen me vjellë. Porsa ulesh në karriget, rrobat të mbushen duhmë, nga vaji shkëlqyes që ka mbetur ditë mbas ditësh e net mbas netësh nëpër stofin a safitanin e shkyer ulëseve. Ajo, ndërsa më shikonte duke ndjerë zhgënjimin me pritjen, unë mbaj në dorë një broshurë manual për mbrojtjen e peshqëve në lumenj, liqene, përrenj e pellgje malore. Isha në dilemë të hapja ndonjë faqe të Manualit apo të prisja, pa bërë gjë, kur do të dukej ndonjë auto. Nuk e largoja nga mendja pyetjen: Në sa ora vjen autobusi?

Më në fund, mbas një pritjeje koti, gjeta gjënë e duhur që të bëja. Po lexoja njoftimet për të vdekurit, që për çudi, më ngjanin se ishin shtuar aq shumë këto ditë, sa nuk i zinte xhami i shtëpizës që mbronte udhëtarët nga shiu dhe era. Isha i trembur nga emrat dhe moshat e fytyrave që kishin mbetur në fokus aparatesh të ndryshme, në kohë dhe lokale që tashmë nuk ekzistonin, gjithë duke qeshur, të trishtuar, me turp, po me rrobat më të mira që kishin pasur.

Sa isha i ri, mund të ketë pasur plot njoftime të tilla përgjatë rrugës kryesore “Nana Tereze” (“Tito”), po nuk më bënin përshtypje, se atëherë preokupohesha dhe shikoja gjëra të tjera më të bukura. Ishte etikja, artistikja dhe sensualja, që më tërhiqnin, qoftë ndër njerëzit që vinin nëpër kalldrëmin drejt fundit të sheshit, qoftë nëpër vitrinat e zbukuruara me modele te reja veshjesh, stolish, dekorimesh dhe, në fund të fundit edhe shitëse të reja.Një burrë i moshës sime nuk e thotë lehtë, sa shumë njoftime me shirit të zi përreth, atëherë nuk më thoshin gjë, por sot më jepin mesazhin e qartë për çfarë njeriu duhet të mendojë dhe bëhet gati para se të provojë t’i ndajë paratë për pushimet në det.

Në këtë qytet të zymtë dhe të shëmtuar shihje ngjashmëri me fushëbetejat e përfunduara pa fitues. Mbetur pas pasojat e ngrira nëpër mure, xhama, trotuare, vetura. Fotot e kandidatëve politikë, po kështu, më ngjanin në ngjyra të memorialëve: veshshpuar, gojëshkyer, kokëgjysmë. Nuk di çfarë ndodhë, por këto letra nuk i heq askush nga xhamat, muret dhe shtyllat.

Nuk priti një minutë “Opel Astra” i murrmë, se ishte mbushur në stacionin e mëparshëm. Më parë ngriti dorën me pesë gishtat, që kuptohej, se tregonte linjën pesë, Gërminë, por pastaj kryqëzoi gishtërinjtë për të treguar se nuk kishte çfarë të bënte.

Ndërsa mua më rrinte shikimi zbrapës, dhe tash, kur kisha kohë po shpenzoja minutat duke parë herë-herë fotografi të njerëzve që nuk jetonin më, sirena e një “Fordi Fiesta” të ngushtë dhe  e shkurtë, ngjyrë kaltër e mbyllur, ra dy herë. Ktheva kokën, por nuk po më shkonte në mendje të lëvizja. Nuk ngriti gishtat lart për të treguar linjën, nuk bëri asnjë shenjë dalluese për të treguar nëse do të shkonte në drejtim të rrugës kryesore, për të mbërritur deri në Gërmi, dmth në fund të qytetit, ku prishtinasit gjenin ajër më të pastër e oksigjen më shumë, liruar nga kreku dhe ahu. Edhe po të ishte drejtimi i duhur, unë thashë se nuk e kisha ndërmend të lëvizja. Pse nuk hyn, më shkoi mendja të them, pse nuk hip, se kjo është një e folur metaforike popullore, prandaj në fund desha ta pyes: Zonjë, pse nuk shkon? Këtë dua t’ia them gruas që më shikon, ndërsa vetura mbetet derëhapur, me ftesën për të ecur dhe pritjen e padurueshme të shoferit, i cili mund të dojë sherr për të arsyetuar ditën e keqe. Duken pak njerëz megjithëse është mesdita e shkurtit, e dielë e trishtuar madje, për shkak të mjegullës që nuk lëshon qytetin që tre javë.

Jo jo, thotë gruaja dhe, më në fund, bën një hap drejt meje, që kisha mbetur hije plotë, përballë njoftimeve me foto, rrethuar me shirita të zinj. Kurrë!

Bën një cigare?

E pini moti? e pyes.

Pesë vjet ka, qëkur u martova dhe lashë punën.

Pini shumë cigare?

Po. Do tëmë duhet kohë për ta lënë.

Nuk do të thotë se patjetër duhet lënë. Edhe ndokush vërtetë nuk mund t’ia dalë. Kam provuar disa herë, dhe nuk ia kam dalë asnjëherë. Vështirë ta lësh, e sigurova vetën më shumë.

Gruaja po shikonte veshjen time elegante. Unë njihesha për veshje me ‘smoking’ slim fit dy-butonësh, ngjyrë hiri HUGO BOSS, punuar me pëlhure leshi; është i kujdesshëm ndaj detajeve të tjera po njëjtë si ndaj prerjes, ngjyrës dhe materialit të ‘smokingut’; duke e kombinuar shaminë e xhepit me këmishën e rregulluar me jaka, që në të parë duket e bardhë, por po ta vëresh më me kujdes e sheh se është ngjyre qielli. Këpucët e zeza, sikur kravata, të lustruara mirë shkëlqejnë sa edhe ora Emporio Armani ngjyre ari. Parfumi Versace, nuk mund të kalojë pa u vënë re, derisa manzhetat rrethore i fsheh nën mëngët e setrës.

Vetura “Ford Fiesta” ende nuk lëviz, shoferi bën me dorë, thotë diçka. Unë mendoj se ai po na shan, ne të dy, mua dhe këtë gruan, që tashmë ka ndezur cigaren, dhe nuk shikon fare nga dera e hapur e veturës. Qëkur mbërrita në stacion, nuk kisha aspak dilemë se do të prisja autobusin. Po, nëse nuk do të vinte fare autobusi, çfarë do të ndodhte? Më hanë nervat këta lloj shoferësh, që ngado ec buzë rrugës, hapin sytë, bëjnë me duar, flasin diçka, duke provuar të tregojnë se ata janë aty dhe presin derë hapur për të vozitur ngado kush e kërkon.

More idiot, më kërcënoi tashmë, dëgjoj qartë, shoferin. Çka i ke fry sytë, pse bëhesh xhentëlmen.

Moj idiote, vazhdoi shoferi. Moj idiote që e shikon atë idiot. Do të rrish këtu gjithë ditën.

Ai doli nga dera e majtë, kapërceu veturën përpara, dhe iu drejtua gruas:Çka pret?

Mendon se të pret ty. Si nuk vdes nga turpi çka flet?- i drejtohem kërcënues shoferit.

Ai nuk thotë asgjë, po më afrohet, më kap dorën ku e kisha Manualin për Mbrojtjen e Peshqve, dhe me forcë sa nuk ma shkuli në nyja. Copa letre me futi në gojë. Ha letër, më urdhëroi. Ha, të vras tash!

Pse, pse, mundohesha të kundërshtoja me këtë pyetje jo domethënëse duke shikuar dhe kërkuar ndihmë nga gruaja. Ajo ishte indiferente, nuk merrej me gjendjen time.

Nuk të hyn në punë ty. Burri im është, tha gruaja.

Është hera e fundit, foli gruaja, duke më lënë mua pa frymë. Iu drejtua atij që rrinte në anën e djathtë të veturës mbasi më la të tronditur dhe të poshtëruar. Kjo është hera e fundit që kthehem. E para dhe e fundit. Kurrë më, po ika, nuk do të më gjesh.

Shih, njëherë. Këtu sa herë ik të gjej, ku tjetër, më së largu në stacionin tjetër, tha burri.

Ti idiot mos rri kot nëpër stacione, se pashë kur kaloi “Opel” i murrmë, dhe nuk hipe. Ta preu mendja se është grua pa burrë, më kërcënoi ai duke tërhequr për krahu gruan.

Po shkoj, më tha, por me krenarinë që thoshte, ma ngriti gjakun sa edhe po ta vrisja nuk do të lirohesha nga urrejtja dhe mllefi. Kjo do të ishte një vrasje e ligjshme, arsyetova mendimin.

Falemnderit për cigaren! Dua t’ ia shoh fotografinë e tij këtu, bëri me dorë nga xhami i stërngarkuar me letrat. E tha me plot zë. Po burri u kënaq, se ajo, përkrah tij, tashmë kish marrë udhën drejt derës së “Fordit”.

Kjo gjendje e jo pikëllimit në fillim, kur po pija cigare, dhe tymin e thithja me afsh, iku. Gruaja që me shikonte qëkur erdha në stacionin e autobusëve, pa e kuptuar arsyen, apo vetëm për cigaren, këtu para “Te Tre Sheshirat”, po kështu, iku bashkë me “Fordin”. Isha i fyer nga poshtërimi që më bëri më pak burri dhe më shumë gruaja, dhe i pashpresë për autobusin. Ndërkohë erdhi një burrë me gruan përdore, moshë e thyer të dy. Gruaja kishte përgjumur pamjen e fytyrës. Burri me dhembshuri, mbasi ishte dëshmitar i ngjarjes, kur ende në gojë kisha copa letre më pyeti: Beson se do të vijë autobusi?

 

*Dërgoi: Bardhyl Selimi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s