Qyteti verilindor në tetor 2017

Sigurisht, e kuptoni që bëhet fjalë për Kukësin, i cili më parë përmendej për Uzinën e Bakrit dhe Minierën e Kalimashit, por edhe për pistat natyrore të skive në Shishtavec, ndërsa më 1998-1999 u bë vendqendrimi tranzit për rreth 120 mijë të ikur me dhunë nga Kosova. Mjerisht, për atë heroizëm që treguan banorët e tij, nuk ja dhanë çmimin Nobel për paqe. Por, të paktën, të përjetonte një zhvillim më të mirë ekonomik, si portë hyrëse në Shqipëri nga shteti i ri i Kosovës!

Kujtimet e mia të para për qytetin e vjetër midis dy Drinave datojnë në dhjetor 1961, kur u ftova për vizitë nga shoku im i shkollës, Hasani, nga fshati Petkaj i Shëmrisë, dikur një stacion i rëndësishëm. Fjetëm, madje, një natë në një hotel të vockël në Qafë Palush, më shumë shtretër, pamë bustin e Skëndërbeut, vepër e skulptorit Odhise Paskali dhe atë të Shote Galicës.

Dhjetë vite më vonë, do shkoja sërish, si dhëndër, së bashku me tetë vetë dhe do qendroja dy netë. Që atëhere shkoja aty shpesh herë, vetëm, herë më bashkëshorten dhe fëmijët, por jo më në qytetin që e mbuloi liqeni i Fierzës, në qytetin e ri, të ndërtuar, pasi prenë një pyll të madh, disa dhjetëra metra më lart mbi nivelin e detit.

I mbaj mend verërat e nxehta dhe dimrat e ftohtë, mjegullën por edhe ajrin e shëndetshëm.

Këtë radhë shkova për një rast vdekje, të kunatës së madhe, streha e vetme pothuaj për ne në atë qytet, pasi shumica e të afërmeve të gruas kanë ardhë në Tiranë ose kanë mërguar jashtë vendit.

Në spitalin e qytetit takova mikun e vjetër mjek dr. Mark Nufin i cili, së bashku me dr. Mustafën, ndonëse rreth 70 vjeç vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim ndaj pacientëve në nevojë, për mungesë mjekësh specialistë.

Pashë zabelin që ka mbetur pas ndërtimit të qytetit të ri, dikur i pastër dhe vend shlodhje, tani disi i braktisur dhe plot hedhurina.

Për fat, në rrugët në qendër, në sheshin Skëndërbej, të rindërtuar dhe shetitoren e madhe ndanë Kullës së Kosovarëve ka rregull e pastërti. Edhe në zyra e shërbime.

Stacioni i autobuzëve dhe i furgonave është plot gjallëri sidomos në orët e mëngjesit. Gjalica ka ende borën që ra atje në fillim të muajit. Ndërsa vetë liqeini është shterë mjaft për shkak të thatësirës së zgjatur.

Duke pritur qindra burra e gra për ngushëllime pata rastin të takoj jo vetëm të njohur por më shumë qytetarë të profesioneve e moshave të ndryshme, që m’u dukën vërtet interesantë. Një pjesë kanë punë, të tjerë jo. Disa ende e kanë mendjen si të ikin në mërgim. Të rinjtë, që kanë kryer të mesmen, përgatiteshin të shkonin në shkollat e larta, shumica kishin zgjedhur degët ingjinierike, gjë kjo jo e zakontë këtu në Tiranë. Tani Tirana është vetëm dy orë larg!

Nipi i bashkëshortes është mësues në shkollën e mesme të Topojanit. Ai më fliste për nxënësit e vet të urtë dhe të etur për matematikë e dije. Ngrihen shumë herët në mëngjes, kryejnë punë të ndryshme në shtëpi (mjelje, ushqim për kafshët, etj) dhe udhëtojnë të paktën një orë për në shkollë.

Dikur funksiononte në qytet një filial i Universitetit të Tiranës ku tuboheshin qindra studentë edhe nga Kosova. Por u mbyll më 2013 për ‘mosplptësim kreditesh’. Përse të mos punohet që ai të rihapet duke plotësuar kushtet?

Përse aeroporti i ri, i gatshëm për punë, ende nuk funksionon? Me siguri ai do qe një nga motorët e zhvillimit, sikurse mund të ishin edhe disa ndërmarrje përpunimi frutash, fasone, magazina tranzite mallrash për Kosovë dhje anasjellas, komplekse turistike verore dhe dimërore. Por banorët kanë përshtypjen se pushteti qendror i ka harruar…Dhe qyteti i tyre është më afër, të themi, se Vlora, Gjirokastra apo Korça!

Bardhyl Selimi, 20 tetor 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s