“Marsiasi” i vogël nga Lushnja

Kujtimit të Dhimitër   S.  Shuteriqi
Tregim


Nga  Përparim   Hysi


                                    Hyrje

Pothuajse e kisha harruar si ngjarje ( ka ndodhur brenda një dite, ku në dy sekuencat e tregimit që unë po i përmbledh në një,”këmborën”, në mund të shprehem kështu, e tund ish-kryeminstri Mehmet Shehu), dhe, në po e sjell përsëri, në”vija të trasha”, shkrepsen për ta rindezur këtë zjarr, ma dha ANTON  PAPLEKA që kish bërë një shkrim me vlerë për DHIMITËR  S. SHUTERIQIN, në gazetën “DITA”. 

Sa për të shuar kuriozitetin e lexuesëve, unë me “Ditën” e filloj “ditën  time të punës”,tek gjerb kafenë pranë klubit”ADORO”. Mos ma  merrni as për reklamë komerciale,por “DITA” nuk di pse më rimon me atë gazetën “Drita”,të cilën minstri i ç(kulturës) e varrosi  bashkë me Lidhjen e Shkrimtarëve. Për të qenë edhe më i drejtpërdrejtë, me atë pronarin e klubit “ADORO” (unë,pothuaj,jam i “abonuar” atje qysh prej 5-vjetësh),dua t’u them lexuesëve se veç”Ditës”,aty lexoj edhe “Panorama”,po edhe “Sporti”. Kjo është “droga” ime për të shoqëruar kafen dhe,pasi mbaroi këtë rit të përditshëm, u bie rrugëve të Tiranës kryq e tërthor,se jam i ngeshëm; po veç i ngeshëm,jam dhe pak “punëterezi”,aq, sa nuk i lë gjë mangut atij punëtorit mitik të Migjenit tek “Molla e ndalueme”. Dhe, për t’u bindur se sa në terezi i kam punët, po ju jap vetëm një fakt: nuk kam shtëpi dhe banoj me qera. Siç duket, shtëpi do më japin pas vdekjes.

*     *   *

Prralla pak gjatë, por këtë e bëj si për të gënjyer mendjen nga “punët në terezi”. Po, kur thonë:-Litari duhet i gjatë.Biseda e shkurtër. Thashë për shkrimin dhe,siç e shihni, ia kam kushtuar tregimin Dhimitër Shuteriqit. Dhe jo pa qëllim. Së pari, në vizionin tim,DHIMITËR   SIMON   SHUTERIQI, është një NJERI INSTITUCION. Një studiues dhe erudit, nga  ata lloj që numërohen në fushën e studimeve gjuhësore e letrare, me gishtat e duarëve. Veç kësaj, është tregimtar i bukur dhe proza e tij (gjithmonë për tregimet), sipas meje, natyrisht,e vendos atë në sërën e lartë të tregimtarëve mbarëshqiptarë.

Shkurt: unë e dua Dhimitër Shuteriqin dhe, kur ndërroi jetë, sado që jetoja në Florida, e qava,ashtu si e ndjeja, me këto vargje që  po i sjell dhe  për ju:

                                         DHIMBJE*

                                                   Profesor DHIMITËR S. SHUTERIQIT

          Oqean i pamat, i pamat dhe pa kufi

          Si s’më lë të shkoj një çast, mu atje:në SHQIPËRI?

          Mu atje, në SHQIPËRI; ca  më shumë: në TIRANË

          Ku përcjellin me “oi”, për në varr një vigan!

          Një VIGAN DITURIE made in SHUTERIQ!

         Për atë unë ndjej dhimbje, shpirti im është vënë në kryq.

         Më shumë vepra se sa jetë ( ndaj u “lodh”, shkoi të pushojë)

         Ç’bëre, o moj vdekje e shkretë? Nuk ndal lotin që lotoi.

                       Florida,24 korrik 2003

* poezia është në faqen 19 të librit time me poezi”Njerëz që dua”


            *      *     *

Në MYZEQE ( unë andej jam,sado që nga gjaku jam skraparli) thonë:- Epo t’i vëmë kokë muhabetit. E bëra gjithë këtë parashtresë për të ndjerin,DHIMITËR  S.  SHUTERIQI, se  ai”marsiasi” i vogël lushnjar, u bë heroi i tregimit tim pikërisht nga tregimi “Fyelli i Marsiasit”.


                 *     *     *

Në Lushnje zhvillohej një seminar kombëtar për bujqësinë dhe këtë seminar e drejtonte vet Mehmet Shehu, asi kohe, kryeministër. Hija e rëndë e kryeministrit njihej dhe aq më tepër, kur bëhej fjalë për bujqësinë, ku,siç dihej, nuk kishte specialist që t’i dilte para. Mbante referatin për një lloj pune “speciale” në bujqësi që emërtohej:punim në formë”kurrizpeshku”. Referuesi cicëronte dhe auditori jo vetëm sy e veshë, por dhe të gjithë mbanin shënime. Qe praktikë e njohur dhe, rrallë ndodhte që të kishte debate. Sa mbaroi referatin,sfidues siç dinte të ishte ai, iu drejtua auditorit:- Hë,ç’më  thoni? Salla ngriu dhe askush nuk merrte guximin të fliste. Kaloi paksa kohë dhe  dikush kërkoi leje për të folur.

E dëgjova me vëmendje fjalën tuaj, por unë ,si specialist bujqëssie, e di mirë, shoku kryeministër që tokat e Tërbufit nuk mund të punohen “kurriz peshku” ,se janë kripore.

Kryemistri erdh dhe u nxi si ajo koha kur bëhet gati për shi, sa dëgjoi folësin,- sokëlliu:- Cili je  ti, mor, që na dhënke mend?

– Unë,- tha qetë- qetë folësi,- jam SYRJA HYSI, kryeagronom  dhe flas  si specialst.

Mirë,- ulëriti “stuhia”,- dil përjashta dhe je i pushuar nga puna.

Unë,- tha folësi,- përjashta do  dalë, se ju jini kryemnistër, por për të pushuar  nuk më pushon dot, se, sa kg peshoj,aq para ka harxhuar partia e pushteti për të më arsimuar jashtë shtetit.

“Stuhia” tani  ulëriti:- Përjaaaaaaaaaaaashta!

Dhe kryeagronomi la sallën e doli jashtë: si qen i rrahur…


               *      *     *

Më  tej,”stuhia” sikur u qetua dhe salla njëzëri mbështeti referuesin.  Shpura me kryeministrin,drekuan me shije dhe,siç e kish zakon, kur zbriste në”bazë”, u nisën për gjah. Në pyjet, në brezin e Divjakës. Gjahu u shkoi mbarë dhe”stuhi” jo vetëm nuk kish më, por kryeminstri u bë në qejf.

Ore,  ILJAZ,- pyeti :-Ai agronomi që nxora jashtë nga është?

Para ILJAZIT, foli një nga shpura:- Shoku kryeministër,e njoh unë (folësi ishte nga Skrapari), është nga Vërzhezha dhe është i  biri i PASHO HYSIT!

Si, ore, i PASHO  HYSIT? Po unë atje kam bërë internatin dhe e kam patur si shtëpinë time. Ndërsa “shpura” po priste si do ta vazhdonte fjalën kryeminstri, befas u dëgjua një fyell. Fyelltari e qante melodinë për hesap të tij.
                           *      *     *

– I rënka bukur,qerratai,- tha kryeministri. Siç duket, e hoqi “lëkurën e rëndë të kryeministrit” dhe shkoi mendërisht, në Corrushin  e tij.

-Ore,- lëshoi urdhërin,- a  ma gjeni dot atë fyelltarin?

Shpura mori pyllin dhe, për çudi të tyre,”qerratai” që mallëngjeu kryeministrin qe një nxënës shkolle.

– Ti qenke?- pyeti dikush.

– Po unë jam.Unë dhe dhitë e mia.

-Janë ca burra atje,a vjen t’i biesh fyellit?

Dhe fyelltari ndoqi shpurën.
                        *     *     *

Kur pa kush qe fyelltari, kryeministri sikur nuk u ndje rehat, po, kur je në qejf, as pleshtat nuk të hanë. Kështu që priti “koncertin”.

– Pa bjeri njëherë?

Fyelltari mori atë melodinë “Dhëntë shkojnë për ujë” dhe kryeministri mend u bë me pupla. Mbaroi atë dhe një tjetër dhe,mysafiri,për t’i dhënë ca minuta pushim, zuri ta marrë në pyetje.

– Vet e ke mësuar?

-Vet. Doja të bëhesha si Marsiasi! T’I vija të tërë poshtë!

– Ku di ti për Marsiasin?

– E di nga Dhimitër Shuteriqi,se jam në klasë të shtatë unë.

-Po pse çfarë thotë ai Dhimitër Shuteriqi për Marsiasin?

Thotë,- tha fyelltari,- se i binte aq bukur fyellit, sa vuri poshtë dhe Perëndinë Apollon. Pse e vuri poshtë atë, të shkretin Marsias e rropën dhe e varën. Jo vetëm kaq… dhe, befas, fyelltari ia dha të qeshurit:

Ore,- foli burri,- tani qesh ti që e rropën? Qenke katil ti dhe do të t’i shkul veshët.

Jo,jo,- u mbrojt ai, nuk qesh për atë,po qesh me pepen tim.

-Pse ç’ka bërë ai”pepja” yt që ti nuk mbake të qeshurit?

Kur ia tregova pepes këtë histori,që Marsiasi u hëngër me Perëndinë më tha:

-Këtej, nga anët tona, themi:- Mos u shkel me patok,se e bën vezën të madhe!!!

Kryeminstri që nuk dinte të qeshte,kur dëgjoi batutën e rëndë të”pepes”, nuk e mbajti të qeshurit dhe, si për të ardhur në”ujërat e tij”, tha:- Po ndonjë gjë tjetër,për këtë Dhimitër Shuteriqin di ti?

Dhe fyelltari, ezber, la fyelllin për tokë dhe ia thirri:

“Ishe ngritur me agim

Traktoristi Ibrahim…”

Sa tha dy rreshtat e para dhe kryeminsitri e pushtoi me dy duarët( i qanin sytë për traktor). “Auditori” mend u fut nën lëkurën e “regjisorit” që po ndiqte rolin e fyelltarit.

– Si  je me mësime?

– Jam i pari i klasës.

– A ke qejf ta vazhdosh shkollën?

– Aha,- tha Marsiasi i vogël,- vetëm në shkollë nuk më çon dot!

– Si, ore, nuk të çokam dot.

– Nuk më çon dot se pepja im është kulak!!!

-Kulaaaaaaaaaak!- bëri sikur e kafshoi gjarpëri. Pastaj, si e mblodhi pak veten,pyeti:- Pse e kanë bërë kulak atë,pepen  tat?

-Aha,- tha i vogli! Pepja im ka qenë partizan,por kooperativën nuk e do. S’kam nge,- thotë pepja,- të më ngordhin kalamanjët për bukë. Thonë me vullnet,- thotë pepja,- e duan të më fusin me zor.Aha, nuk e ha pepja atë kokërr ulliri.

Gjendja u traumatizua. Auditori ndiqte “lojën” që po luhej dhe priste fundin e lojës.

– Domethënë,  ka qenë partizan ai, pepja,ë?

-Po.Po.Me  Bigadën e shtatë që është formuar në Skrapar,- tha vogëlushi.

– Mirë! Tani ik se na kënaqe me fyellin.

Vogëlushi mori për nga pylli dhe, kur nuk u pa më,kryeminstri foli:- Ore ILJAZ, sa na kënaqi ai fyelltari,aq na bëri me djersë të ftohta.

Nëse është e vërtetë që ka qenë partizan  dhe ju e kini bërë kulak, ta shikoni dhe këtë”Marsiasin” e Shuteriqit, e dua në shkollën e muzikës.

                                              Epilog

Pepes ia hoqën kulakllëkun. Marsiasi i vogël shkoi në shkollën e  muzikës (thonë u bë flautist) dhe,kryeagronnomi i pushuar, pas një muaj,u bë ndihmës i kryeministrit. Më pastaj, zvëndës ministër bujëqësie dhe, mandej, zv-rektor i Institutit Bujqësor deri sa doli në pension. Për kreministtrin kushdo e di që”vrau” veten,kurse unë kam mendimin që e vranë. Edhe tim kushëri,atë “rebelin”, e vranë me makinë kur shkoi të merrte pensionin. E,sa për Marsiasin e vogël,  nuk di gjë  më shumë,vetëm uroj që,nëse lexon këtë tregim timin, të shfaqet edhe pa i rënë fyellit.

* ngjarjet zhvillohen në Lushnje kur në Komitet të partisë sekretar i parë ka qenë ILJAZ REKA.

                                  Tiranë, 26 tetor 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s