Tinka Kurti, Artiste e shquar dhe e dashur e skenave tona

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Në 85-vjetorin e lindjes

1.

Para pak vitesh, Shoqata “Nikajmërtur”, e krahinës me të njëjtin emër, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), organizoi një koncert të madh festiv, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në kryeqytetin Tiranë. Ndër të ftuarit  në sallë, që iu drejtua me fjalë të ngrohta pjesëmarrësve të shumtë nikajmërturas, ishte edhe “Artisja e Popullit” Tinka Kurti, tani dhe “Nderi i Kombit”.

Për “habinë” e shumëkujt dhe për kurreshtjen e të gjithëve, ajo pohoi hapur, se origjinën e saj e ka pikërisht nga krahina e Nikaj-Mërturit. Sigurisht, me atë rast, salla gjigande shpërtheu në duartrokitje të pandërprera. E njohur gjithnjë  si “shkodrane”, aty e pranoi publikisht se  gjakun e ka me prejardhje nga ajo krahinë e bukur, me njerëz trima e liridashës, arsimdashës, kulturëdashës e përparimtarë.

Për ta nderuar këtë “ikonë” të artit tonë skenik, e cila  i ka bërë nder jo vetëm krahinës së prejardhjes, pra Nikaj-Mërtur e Malësi e Gjakovës (Tropojë), por edhe Shkodrës e gjithë Shqipërisë, organet e pushteit vendor i vunë emrin “Tinka Kurti”, Gjimnazit të vetëm, në atë krahinë. Sigurisht, ky ishte vlerësim i veçantë për punën e përkushtuar dhe jetën e saj, në shërbim të artit dhe kultures sonë kombëtare.

Ka kaluar kohë nga ajo ngjarje dhe, megjithëse e moshuar,  shpesh e kam parë artisten Tinka Kurt, në përurime librash dhe në veprimtari të tjera, artistike e kulturore të kryeqytetit tonë. Po përmend vetëm dy të tillë. E pari, ishte pjesëmarrja e saj në përurimin e librit të mësueses veterane dhe tani të ndjerë, të arsimit tonë kombëtar, EvanthiCiko, në mjediset e ish-Institutit Femëror të Tiranës. Me atë rast, bëra një foto bashkë me Tinkën, që do ta ruaj kujtim të bukur. Duke biseduar ngrohtësisht me të, asaj i tregova se edhe unë e kam origjinën nga fshati i bukur Curraj i Epërm, i krahinës Nikaj-Mërtur. Prej andej ishte larguar babai im, në moshën 6-vjeçare, që në fundin e shekullit të 19-të dhe ishin vendosur familjarisht në krahinën e Krasniqes, në atë rreth.

Po kështu, në dhjetor 2010, artistja e madhe Tinka Kurti ishte e ftuar nderi në përurimin e librit të publicistit e kolegut Albert Zholi, “Sekretet e gazetarëve  të RTSH-së”, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Me fjalë të bukura dhe të kursyera, ajo i përshëdeti pjesëmarrësit në këtë veprimtari, shumica anëtarë të Shoqatës “Labëria”. Ndjeva kënëqësi, se përsëri e takova këtë artiste të shquar  dhe, tashmë, të dy bashkakrahinas, me origjinë nga Nikaj-Mërturi. Sigurisht, jam i sigurtë se ne do takohemi dhe marrim pjesë në veprimtari tjera të bukura, kulturore e artistike, pasi Tinka mbahet e fortë dhe është plot gjallëri. Për kurreshtjen e lexuesve, shënoj se ajo ka lindur më 17 dhjetor 1932.

2.

Pa u ndalur gjatë në rolet, që ka luajtur artistja shumë e njohur e kinematografisë sonë, Tinka Kurti ose për t’i komentuar vlerat e figurave të spikatura prej saj, në disa drama e filma shqiptarë, po i përmendi vetëm pak prej tyre.

Doli për herë të parë në skenë, në Shkodër, kur ishte ende fëmijë. Më tej, luajti në teatrin amator të atij qyteti. Kishte dëshirë të madhe ta vazhdonte Liceun Artistik , në Tiranë. Por, megjithëse i nisi mësimet aty, më pas e përjashtuan nga ajo shkollë, gjë që i shkaktoi dhimbje të madhe në shpirt. Por, asnjëherë, nuk iu shua dëshira për t’u bërë aktore. Këtë profesion, ajo e ushtroi, që nga viti 1949 dhe deri sa doli në pension, në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku luajti rreth 120 role. Të tillë ishin ato dramatike për nënat, por u dallua edhe në komedi. Sjellim ndërmend rolet, ku ishte protagoniste, “Gjaku i Arbërit”, “Histori Irkutase” e “Toka Jonë”. Së pari, luajti Filen dhe më pas Loken. Po kaq të njohur janë rolet e saj te “Fisheku në pajë” dhe “Fejesa” e Çehovit.

Por në kujtesën e shqiptarëve kanë mbetur të skalitur, nga Tinka Kurti edhe rolet në mjaft filma tanë artistikë. E nisi me filmin e parë, me metrazh të gjatë, “Tana”(1958) dhe, gjithësej, luajti në 35 filma. Të paharruar kanë mbetur në mendjen e shikuesve figurat e krijuara prej saj, si Nënë Pashako, të filmi “Yjet e netëve të gjata”(1972); Nëna, te “Çifti i lumtur”(1975); Sinjorina Mançini, te “Vajzat me kordele të kuqe”(1978); Gjyshja, te “Zemra e nënës”(1994) etj. Po kështu, role të bukur luajti te filmat tanë, “Gjeneral gramafoni”(1978), “Si gjithë të tjerët”(1981), “Qortimet e vjeshtës”(1982), “Flutura në kabinën time”(1988), “Balada e Kurbinit”(1990), “Unë e dua Erën”(1991) e të tjerë.

Për punën  e përkushtuar dhe të shquar profesionale, në tetarin dhe kinematografinë shqiptare, Tinka Kurti është vlerësuar me mjaft çmime. Ndërsa Presidenti i Republikës e ka nderuar me titujt “Artiste e Popullit”. “Mjeshtre e Madhe” e “Nderi i Kombit”.

Janë këto arsye dhe të tjera, që na bëjnë të ndjehemi krenarë, që kemi patur dhe kemi një artiste të tillë të madhe, Tinka Kurtin, emri i të cilës do të mbetet kurdoherë i paharruar, ndër brezat e shqiptarëve.

Në 85-vjetorin e ditëlindjes, nga zemra i urojmë kësaj artisteje të shquar të skenave tona: Shëndet të plotë e jetëgjatësi, fat e mbarësi, gëzime dhe lumturi në jetë!

Tiranë, 17 dhjetor 2017

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s