Novela”Gërsheti amanet” e Petrit Malushit

Sekretet dinë t’i ruajnë vetëm njerëzit e ndershëm

                    Novela”Gërsheti amanet” e Petrit Malushit

                                    (ese)

Nga   Përparim   Hysi

       Sapo mbarova novelën “Gërsheti amanet” të Petrit Malushit, nuk di pse m’u përftua në vesh një thënie postulat që thotë:” Sikur të vlerësoheshin njerëzit nga bëmat e tyre, shumë ushtarë do  qenë bërë gjeneralë”. Dhe vërtet që kështu ka qenë dhe është. Lexoj këtë novelë , në formatin e një libërxhepi,dhe , ende, jam nën “sindromën” e saj. Ndoshta, nuk është ajo ” sindroma e Stokholmit” që është bërë historike, por një “sindromë” e bukur gjithsesi.
                      *      *     *

Në një “krehje” të lehtë të të gjithë novelës, mund t’i them cilitdo lexuesi, se vetëm njerëzit  e ndershëm dinë të ruajnë sekrete dhe vetëm të ndershmit as kanë gojë dhe as nuk  dinë  të rrahin gjoksin. Të ndershmëve iu duket si krejt punë e zakonshme për ata që bëjnë dhe, edhe në u rrezikohet jeta, as që duan të  dinë.

Me pak fjalë, sa për të trokitur tek lexuesi, po shkruaj:

Në operacionin armik të dimrit, në dhjetor  të vitit 1943, në një shtëpi fshati të largët (mes Taroninës e Trebeshinës), duke çarë dëborën ( e zakonshme për ato treva), u strehuan  9 partizanë: 6 djem dhe tri vajza. U strehuan në familjen Dragoi dhe njëra prej vajzave ishte e plagosur. Jo vetëm i strehuan, por shtëpia e Bektash dhe Asllan Dragoit në Zhepovë të Përmetit, u kthye si në një pavijon spitali; se njëra prej partizaneve, 15-vjeçarja FATO BEBERI, qe plagosur në kokë. Njëra nga nuset e shtëpisë, Mine DRAGOI, u bë dhe mjeke popullore, por dhe infermiere që e mjekoi këtë partizane  të re sikur e kish motrën e saj të vogël. Mineja në këtë kohë qe 24-vjeçe. Jo vetëm e mjekoi, por e ktheu dhe e bëri si një kalli misër. Kur u largua e plagosura nga”spitali DRAGOI”, preu gërshetat dhe ia  la si amanet”Dr.MINESË”. U ndanë me lotmalli dhe këtu merr rrugë gjithë novela,e shkruar me stil rrjedhës nga shkrimtari PETRIT  MALUSHI.


                                       *     *    *

Shtëpia e Bektash dhe Asllan DRAGOIT në fshatin Zhepovë të Përmetit, me të vërtetë, që u kthye në”spital”. Asllan Dragoi  tek donte të hiqte nga shtëpia një  partizan tjetër të plagosur,për ta fshehur nga një kontroll i beftë nazistësh, bie rob  dhe e çojnë në një kamp internimi në”Pavllo Melas” të Selanikut. Qe i papritur takimi i Asllan Dragoit, me partizanen e gërshetave,Fato Berberin, e cila, mjerisht, ishte zënë rob nga gjermanët. Ndërsa Asllan Dragoin e syrgjynosin në një kamp  në Gjermani, për  fat të keq: Fato Berberin e pushkatuan. Asllani mundi të kthehej i gjallë nga ai kamp famkeq në Gjermani. Por…


                            *     *    *

Vetëm kaq… dhe gjithsecili nga lexuesit, mund të zërë dhe hamendësoi: sikur, ndërkaq, familjes Dragoi, pas çlirimit, punët duhen t’i kenë shkuar vaj. Përkundrazi: në të gjitha sistemet, qoftë dhe në këtë”demokratikun tonë”, vetëm të ndershmit nëpërkëmben dhe trajtohen  si dikur ato që quheshin”artikuj të çvlerësuar”.

Vlera e kësaj novele të vogël qendron pikërisht këtu: var dafinën e lavdisë në ballin e ndershmërisë.

Vërtet që Fato  Berberi që u shpall “Heroinë e Popullit” dhe që la si”amanet” ato dy gërshetat, por “Dr,MINE DRAGOI” kurrë nuk e hapi gojën dhe  të thoshte:- Dale! Jam unë që i kam shërbyer kësaj heroine. As e hapi gojën asnjëherë dhe veç, kur gati pas dyzetvjetësh, dëgjoi atë emisonin “Heroizmi i popullit tonë  në shekuj” dhe flitej për”motrën esaj 15-vjeçare”,ajo u përlot. Këta lot në sytë e saj,  shërbyen si dëshmi për të rrëfyer atë amanet të saj 40-vjeçar, të mbyllur në sepeten e saj të pajës. Këta lot u panë nga i biri (sot “djali i doktoreshës” është me gradën shkencore Doktor në histori dhe quhet NURI DRAGOI,që është autor i aq dhe aq librave me vlera të mëdha shkencore në fushën e historisë). U panë dhe,kur ai i propozoi për t’i bërë pronë në Muzeun e qarkut GJIROKASTËR,”doktoresha” e mbylli kapakun e sepetes,se nuk donte të ndahej nga një”amanet” të premtuar. 


                          *     *    *

Kot nuk thonë:- Sa të veshi opingat e vërteta, gënjeshtra, ndërkaq, i ka bërë ca kilometra. Kështu ndodhi  dhe me”maratonën” e këtij  amaneti. Nuri Dragoi, djalosh i ri në atë kohë, e mban frymën në Gjirokastër, por ata”gjeneralët ekohës” ngrinin supet dhe nuk besonin që,për 40-vjet, të ruhet në sepete një  amanet kaq me vlerë. Sa zor është të besosh të vërtetën! Dhe “maratona” ( e vërteta ishte duke veshur opingat) vazhdon. Bëhet ballafaqimi me të vëllanë e Heroinës,FATO BERBERI, Hasan Berberi që kish zënë Tiranën.  Ata  me”gjoksin plot dekorata” e sollën për ballafaqim të riun, me Hasanin. – Bobo,- bërtet Hasani,- është e vërtetë se kam qenë dhe unë,por ja që s’jam kujtuar asnjëherë për këtë familje që jo vetëm  na strehoi dhe imemotër e ka jetën (aq sa jetoi) nga MINE DRAGOI. “Gjeneralëve” u ranë spaletat. Më së fundi, “amaneti” bëri një hop: nga sepetet e”doktoreshë Dragoit” në Muzeun e LNCL të Gjirokastrës.

Dhe, ndërkaq, nëse me të vërtetë e ndiqni shkrimin tim, do mendoni:- Epo vajti haku tek i zoti! Mjerisht, nuk ndodhi kështu. Jo.Jo. Ndodhi krejt ndryshe. Sado që”amaneti” u vendos në muze, në kuinta ndodhi ajo që bën, gjithkund,gënjeshtra. 

Seneka thotë:- Disa njerëz mburren vetëm me veset e tyre. Dhe, për fat të keq, njerëz të tillë që mburren duke bërë keq,i gjen në disa faqe të kësaj novele me vlerë: ata, keqbërës, me petkun e partisë e pushtetit çfarë nuk bënë kundër familjes Dragoi. Sado bazë e luftës; sado Asllani provoi kampet e nazistëve,” gënjeshtra dhe shpifja” nuk pritën  që të”vishte opingat e vërteta”. E denigruan atë djaloshin që zbuloi”amanetin” dhe, për të mos i thënë të tëra ato që thotë autori në novelë, unë mund të themvetëm kaq:kur e përfundova këtë novelë të bukur e dramatike të shkruar nga PETRIT MALUSHI “Gërsheti  amanet”, kur shoh gjithë ato peripeti të gjithë kësaj familjeje patriote, nuk di pse shkoi me mendje tek një poezi e ASDRENIT “Kryengritësi” që, në themel, thotë:- Të ikë kryengritësi, se na bën hije. Dhe sa për vlerësimin e “DOKTORESHË DRAGOIT” pas vdekjes, populli kësaj i thotë:-Vdis, pa të  dua.

                           *      *     *

Si mësues i vjetër letërsie, duke e parë këtë libër me syrin e një profesionisti, shtroj pyetjen:- A nuk do ishte mirë që ky libërxhepi me vlerë të madhe, të futet në tekstet alternative të letërsisë në 9-vjeçare dhe të mesme?
Nga ana tjetër, ngaqë shkollat kanë nga një  psikolog profesionist, secili prej tyre (apo secila) kanë ç’modelojnë para nxënësve: për të vërtetën;për heorizimin dhe, mbi të gjitha, për karakterin e dinjitetin  që,shpesh, rri i fshehur në”sepete made in MINE DRAGOI” apo është”duke veshur opingat”.

Petrit Malushit  e uroj për librin e bukur dhe me libra të tjerë!

                                       Tiranë, 26 nëntor  2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s