BISEDA E FUNDIT ME BASHKËVEPRIMTARIN TIM HAJDIN SELACI

Nga: Hysen Ibrahimi

            Zakonisht asistentët e zyrës së Shoqatës, kur shkoja në zyrë i njoftoja përmes telefonit sms. Pra, u dërgoja me shkrim sms dhe u tregoja se ndodhesha në zyrë nga ora 12. Ata, po qe se kishin kohë vinin, por nuk obligoheshin pasi që nuk ishte me rëndësi. Kur kishte punë me rëndësi, atëherë ju telefonoja dhe bisedoja me asistentët dhe arrinim ta koordinonim kohën për t´u takuar dhe për të punuar në zyrë. Kështu funksionte puna dhe veprimtaria në zyrën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi.

Ishte muaji qershor 2017. Ditë e bukur me diell sikur të ishte mesi i korrikut. Ditët e bukura me diell i mërzisin mërgimtarët, sepse ua kujtojnë ditët e bukura në vendlindje, sidomos ata që kanë të humbur ndonjë të afërm të tyre. Malli bren edhe gurin. Përgaditesha për të udhëtuar për Kosovë. Zakonisht ditët e përgaditjes për Kosovë janë shumë të gëzuara dhe ditët janë pak sa të gjata për secilin mërgimtar nga dëshira për t´u nisur sa më parë. Kisha edhe disa ditë për të punuar në zyrë. Ishim në vizitë me Rrahman Rrahmanin te Hajdin Selaci sa ishte në spital. Po ashtu e vizituam edhe në shtëpi. Nuk e dija se është hera e fundit që do të takohesha me Hajdinin, kur ai kishte dalur nga spitali kur ai erdhi në zyrë. Siç thashë edhe më lart, ishte fillimi i muajti qershor. U nisa për në zyrë në mëngjes. I dërgova sms Hajdin Selacit edhe pse isha i bindur se nuk do të mund të vinte pasi kishte pak ditë që kishte dalur nga spitali. Pasi hyra në zyrë, ndeza kompjuterin dhe hapa një temë që kisha për të punuar. Papritmas e dëgjova derën kur u hap edhe pse nuk e shihja me sy sepse dera e zyrës nuk shihej nga tavolina e punës ku punoj.

            -A je ksajde o i zoti shtëpisë? – e dëgjova zërin e Hajdin Selacit. Zakonisht ai kështu thoshte sa herë që vinte, i buzëqeshur dhe plot gjallëri.

            -Po, po, Hajdin Selaci (e njihja zërin e tij). Mirë se vjen. U ngrita dhe e përqafova bukur shumë për dallim nga herat tjera. Qenke ngritur dhe po dukesh shumë mirë Hajdin. Fëtyra po të buzëqesh-i thashë.

            -Mirë jam, qysh e ka shkruar Zoti.

            -Pse erdhe? Nuk ka qenë dashur të vijsh. Unë ta dërgova sms-in sa për të njoftuar se jam në zyrë, por jo që të obligohesh që të vijsh patjetër sepse nuk ka ndonjë punë me rëndësi.

            -Kryetar, nuk mujta pa ardhur dhe pata dëshirë me bisedue e me nejtë me ty. Pastaj ka kohë që nuk kam ardhur në zyrë, më pat marr malli me pa zyrën dhe këto libra, sepse isha në spital – më tha dhe shkoi për ta vjerrur pallton në korridorin e zyrës.

U kthye, u ul dhe filloi të më pyes për familjen dhe nënën në veçanti sepse e dinte që e kisha të sëmurë. Pasi e pyeta edhe unë për shëndetin, iu drejtova:

            -Hajdin, erdhe me veturë apo biçikletë?

            -Me biçikletë kam ardhur, sepse koha e mirë dhe mjeku më ka thënë që të ec e të dal në natyrë. Kam ardhur si me kanë djalë i ri- e tha duke buzëqeshur.

            -Hysen, kur po nisesh për Kosovë, a ke vendosur. Apo shkon me aeroplan apo veturë?

            -Do të nisem më 23 qershor, Hajdin, dhe do të shkoj me bashkëshorten time me veturë.

            -Qenkan afruar ditët. E kam ditur, që do të nisesh këto ditë, por datën nuk e kam ditur. Edhe disa ditë, ti qenke për rrugë. Uroj që të kalosh mirë rrugës-ma tha dhe vazhdoi:

            -Apo pimë kafe a çaj?

            -Çka të duash Hajdin.

            -Një kafe e kisha pi se ka kohë që s’kemi pirë kafe bashkë-ma ktheu.

Po sikur ta dinim që ishte kjo kafja e fundit që do të pinim me Hajdinin, e që kishim pi me vite e vite të tëra, mbi 20 vite me radhë.

            -Ulu Hajdin, se sot unë do t´i qes kafet – i thashë dhe u nisa drejtë kuzhinës që t´ia grabis.

            -Kurrë pasha Zotin – e tha shumë i vendosur dhe u çua në këmbë shumë shpejt dhe para meje u nis për kuzhinë.

            -Unë, shkova në kuzhinë pasi isha nisur dhe doja ta shoqëroj dhe të bisedoj. Edhe Zoti disi më tregonte se kjo është dita e fundit që po takohesh dhe po bisedon me Hajdin Selacin. Më erdhi një parandjenjë, por që nuk doja t´i besoj. Më tërhiqte çdo bisedë e tij dhe e dëgjoja me vëmendje. Më tregonte për terapinë e barnave që ia kishte caktuar mjeku dhe llojin e tyre. Pastaj ne e dinim se vuante nga një tumor dhe se punët nuk i kishte mirë, kështu kishin thënë mjekët.

            -Janë do barna të forta, ato kur i përdor nuk mund të dal për dere – më tha Hajdini për ta kuptuar unë se po qe se nuk mund të vijë ndonjëherë tjetër në zyrë, dije se i kam përdorur ato barna. Po kush do të thoshte se edhe ashtu është hera e fundit dhe kjo çfarë më thoshte ai, ishte krejt e kotë dhe se s´kishte nevojë të arsyetohej!

            -Po sot a ke pasur për t’i përdorur barnat? – e pyeta.

            -Kam pasur, por nuk i përdora sepse pata dëshirë me ardhë në zyrë me nejtë me ty, kryetar. Nuk prish punë se do t´i përdor pak më vonë. Pastaj ti edhe pak ditë shkon në Kosovë dhe nuk do të shihemi disa muaj. Edhe erdha në zyrë me të pa edhe me të thënë rrugë të mbarë për Kosovë.

            -Mirë ia paske bërë. Edhe mua ma plotësove dëshirën dhe shumë dëshirë pata që të pashë dhe që ke ardhur. Pastaj po të shoh se jeni mirë.  U çua, i mori kafet dhe i solli në tavolinë. Telefonat më cingrronin, por nuk di as vetë nuk përgjigjesha në asnjë thirrje nga dëshira për të biseduar me Hajdinin. Kjo nuk më kishte ndodhur më parë. Duhet thënë edhe kjo, se Hajdini dukej shumë i disponuar, dhe po mos ta dije se është sëmurë, nuk mund ta vëreje se ai vuante nga një sëmundje, e aq më pak se janë ditët e fundit të jetës së tij! Kështu, pas tri orë biseda dhe derteve e që u knaqëm së biseduari me Hajdin Selacin, pa e ditur se ishin orët e fundit të takimit, që kurrë më nuk do të shihemi për së gjalli, u çuam së bashku për të ecur. Unë as që kisha prekur punë me dorë për ato orë, vetëm duke biseduar me Hajdinin. Thashë me vete, vi nesër e i kryej. E mbylla kompjuterin ashtu siç e kisha hapur.

            -Kryetar, prej rryme e nxora aparatin dhe po i fik dritat e koridorit-e dëgjova zërin e tij. Ai, kishte kujdes të veçantë për ruajtjen dhe mbajtjen e pastërtisë së zyrës. Edhe kur fotokipjonte dhe bëhej prejra e letrave, ai i mirrte me kujdes dhe i hudhte në shportë. Tavolinën e pastronte si të zyrës ashtu edhe të kizhinës. Dosjet i mirrte duke i renditur në rafte. Të gjitha i kreu sikur më parë dhe nuk vërehej se është sëmurë. Dolëm nga zyra. Ai, e mori biçikletën dhe e erdhi afër veturës time në parking.  Pasi e hapa veturën, e futa çantën time në veturë, e mbylla derën u ktheva nga Hajdini. Ai, e kishte regulluar biçikletën në të rrinte mbështetur. U përqafuam si asnjëherë më parë.

            -Hajdin, më beso se sot jam kënaqur bisedë me Ty dhe ke bërë shumë mirë që erdhe. Pastaj po të shoh se je përmirësuar dhe po dukesh shumë mirë me shëndet. Unë pas disa dite do të nisem në Kosovë dhe të pres atje të vijshë e të takohemi në përurimin e librave.

            -Edhe unë pata shumë dëshirë me ardhë. Për Kosovë nuk di a mund të vi, po në qoftë se vi, unë të thërras. Telefonin tënd e kam dhe ta bëj një telefon.

            -Atëherë, ditën e mirë. Të uroj shëndet dhe të shihemi sa më parë, e shtërngova fort së përqafuari.

            -Rrugë të mbarë. Të fala shoqërisë dhe nënës më së shumti. Uroj që ta gjejshë mirë nënën. Ajo gëzohet kur ti i shkon sepse ti je i kujdesshëm për nënën dhe për të gjithë. Prandaj gëzohen shumë njerëz kur të shkojshë ti kryetar – me një buzëqeshje të lehtë, më përqafoi dhe nuk ma lëshonte dorën. Ma mbajti gjatë dhe fliste se si do të takohemi gjatë përurimit të librave. E pashë se e mori biçikletën. I hipi dhe filloi ta ngiste. Unë, hyra në veturë dhe e përcillja Hajdinin me biçikletë. Nuk e ndizja veturën. Para se të fshihej nga ndërtesat, u kthye edhe njëherë dhe ma bëri me dorë….!!!

Më nuk e pashë, derisa unë isha në Kosovë dhe më lajmëruan atë lajm të hidhur se Hajdin Selaci kishte ndërruar jetë. Më rrodhën lotët dhe kam qajtur sikur ta kisha vëlla nga nëna e babai. Të gjitha m´u kujtuan në ato momente. M´u kujtua takimi i fundit dhe përshëndetja e fundit e tij me dorë….! Edhe tani kur e shkruaj këtë kujtim, më rrjedhin lotët pa nda.

E varrosëm më 4 gusht 2017, me nderimet më të larta në praninë e një mase të madhe njerzish, në vendlindjen e tij në Vushtrri, sipas amanetit të tij që të varroset në vendlindje…..! Fjalimin mortor e mbajti bashkëveprimtari i tij i ngushtë, z. Rrahman Rrahmani.

Mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi shpirtin tëndë, o Hajdin Selaci, u lutëm të gjithë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s