Libri “Fshati i vrarë” në shërbim të kujtesës kolektive

Prof. dr. Sali BYTYÇI

Librin “Fshati i vrarë”, të bashkautorëve Qemal Krasniqi e Agron Limani, e lexova me një frymë dhe u binda që autorët kanë bërë një punë të mirë në grumbullimin e materialit dhe sistemimin e tij në një monografi të veçantë.

Kjo monografi i kushtohet fshatit Krushë e Vogël, të rrethit të Prizrenit, të kaluarës së tij dhe deri te koha e bombardimeve.

Gjatë luftës së fundit, Krusha e Vogël u bë protagoniste e një masakre të madhe, prej më të mëdhave që i ndodhën Kosovës në këtë kohë. Pasojat e kësaj masakre ishin të mëdha sepse në këtë fshat mbetën shumë gra të veja dhe shumë fëmijë jetimë, të cilët, përveç dhembjes që duhej të bartnin, duhej të bënin edhe luftën për ekzistencë.

Siç edhe veprohet zakonisht, autorët monografinë e kanë filluar nga e shkuara e fshatit, që nis nga gojëdhënat, pastaj me historinë dhe pozitën gjeografike, por edhe me ngjarjet e kohës më të re, e sidomos janë përqendruar në masakrën që u bë ndaj banorëve të këtij fshati gjatë kohës së bombardimeve (1999). Prandaj ky libër është një homazh për të gjithë ata djem dhe burra të këtij fshati, që për një ditë u masakruan nga forcat ushtarake e policore serbe.

25564534_1781368648601633_843718842_n

Historinë e masakrës autorët e kanë ndërtuar në bazë të dëshmive të pesëdhjetë e një dëshmitarëve dhe dëshmitareve dhe gjashtë të mbijetuarve: Lutfi Ramadanit, Bajram Zylfiut, Mehmet Krasniqit, Qamil Shehut, Agim Asllanit dhe Petrit Rashkajt.

Secili nga të mbijetuarit ngjarjen e kobshme e rrëfen nga perspektiva e vet personale, nga prania e tij në vorbullën e ngjarjeve, nga pikëshikimi i vet, sidomos nga viti 1981 e këndej. Rrëfimet e tyre e rrumbullakësojnë tërë tragjedinë që u ka ndodhur banorëve të Krushës së Vogël. Rrëfimet e tyre përputhen, kur flasin për aktorët e masakrës dhe kjo tregon për vërtetësinë e dëshmisë së tyre. Dhe vërtetësia është virtyti më i lartë i letërsisë dokumentare, pas saj vijnë edhe elementet tjera.

Në këtë monografi, pas historikut të këtij fshati, jepen edhe raportet në mes shqiptarëve dhe serbëve të këtij fshati, raporte të cilat ishin normale deri në vitin 1981, po sidomos u ashpërsuan në kohën e ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, pastaj për represionin që filluan t’iu bënin serbët fqinjëve të tyre shqiptarë që nga kjo kohë e deri te shpërthimi i luftës. Me interes janë të dhënat, të cilat burimin e kanë te banorët më të vjetër të fshatit, që tregojnë për origjinën shqiptare të banorëve serbë, po të cilët me kohë, pak nga shtypja e pak nga privilegjet që kishin nga pushteti sllav, u konvertuan në serbë.

Në detaje të imta e tregon rrjedhën e masakrës Lutfi Ramadani, duke i përmendur emër për emër masakruesit, sjelljet e tyre, sharjet e fyerjet, plaçkitjet dhe aktin makabër të masakrimit të njerëzve të paarmatosur, djegien e kufomave të tyre, si dhe arritjen e shpëtimit të disa prej të mbijetuarve, në mesin e të cilëve ishte edhe ky. Rrëfimi herë-herë është dramatik, me ç’rast para lexuesit shfaqen pamje të gjalla të atyre ngjarjeve të dhimbshme, në fund të të cilave shuhen jetë njerëzish në mënyrën më çnjerëzore.

Autorët kanë një përkushtim të veçantë ndaj atyre që e derdhën gjakun për lirinë e Kosovёs. Kjo i ka motivuar ata në punën e tyre fisnike, që t’iu lënë brezave të dokumentuar se çfarë tragjedie kanë përjetuar njerëzit në një situatë të caktuar, kur dhanë më të shtrenjtën e tyre, jetën. Dhe këtë e dhanë për lirinë eliria nuk ka vetëm karakter nacional, por edhe karakter human, duke u kthyer kështu në një vlerë universale, sepse të derdhësh gjak për liri do të thotë t’i ushqesh rrënjët tua për një të ardhme tënde më të sigurt,  po edhe për njerëzimin, për ardhmёrinё e gjinisё njerëzore nё kёtё botё. Ky është thelbi i njeriut.

Rëndësi të veçantë ka kjo monografi për masakrën e Krushës së Vogël pёr vlerat edukative-kombëtare e njerëzore qё ngërthen nё vete, sepse nё tё ёshtё shkruar pёr një nga tragjeditë më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë gjatë kohës së bombardimeve, në vitin 1999, jo vetëm në shkallë komune, po edhe në shkallë kombëtare. Këtu, kujtesa mbahet e gjallë qё, nё njërën anë, të mos i mbulojë  pluhuri i harresës tё gjithë ata që dhanë jetën për lirinё e Kosovës dhe, nё anёn tjetër, tё mos persëriten ngjarjet tragjike në tё ardhmen.

Masakra duhet të kujtohet jo për t’u mbushur njerëzit me hakmarrje, por që të mos përsëritet. Historia duhet të bëhet mësuese e jetës, që njerëzit t’i parandalojnë të këqijat që mund t’ju vinë atyre në të ardhmen. Fundi fundit, çfarë rëndësie do të kishte historia nëse nuk na mëson çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen tonë?

Nevoja për monografi nё tё cilat pasqyrohet jeta e atyre qё kanë flijuar jetёn e tyre nё altarin e lirisё ёshtё e madhe tek ne. Monografia për të cilën po flasim e plotëson mozaikun e biografive tё martirëve tё Kosovёs, të cilët në të njëjtën kohë janë edhe dëshmorë të Kosovës, sepse gjaku i tyre u vu në themel të lirisë së Kosovës.

Me një gjuhë të pasur e të qartë, me një stil tё rrjedhshëm, me tё dhëna të gjithanshme për përmasën e kësaj masakre, monografia e Qemajl Krasniqit dhe Agron Limanit “Fshati i vrarë” i plotëson tё gjitha kriteret pёr t’u botuar dhe lexuar me kujdes. Kjo monografi do tё ngelet dokument frymëzimi pёr brezat e ardhshëm tё popullit tonё, qё ta nderojnë gjakun e derdhur tё martirëve të tij, si dhe ta duan lirinё qё e gёzojnё, po pa harruar kurrë ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë që gëzojmë ne sot.

Si përfundim, autorët e kësaj monografie, Qemajl Krasniqi dhe Agron Limani, kanë lënë dëshmi të gjalla për masakrën e Krushës së Vogël, dhe për këtë duhet të përgëzohen dhe të bëhen shembull për të tjerët, për të ndriçuar të gjitha ato tragjedi që ndodhën në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Nuk do të ishte keq që këto pastaj edhe të përktheheshin dhe t’i afroheshin për lexim lexuesit evropian e botëror, që me sytë e tyre të shohin krejt atë tragjedi që ka ndodhur këtu.

(Autori është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s