Albana Ponari me librin poetik “Puthje Hyjnore”

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Tashmë, është e njohur nga të gjithë, se qindra e mijëra bashkatdhetarë tanë, pas viteve ’90-të të shekullit të kaluar, janë larguar nga vendlindja e janë vendosur në shtete të ndryshme të Europës dhe deri në Amerikë e Kanada. Synimi i të gjithëve është që të sigurojnë një jetë më të mire, për vetën  dhe familjet e tyre. Ndërmjet këtyre emigrantëve janë me shumicë, sidomos, në Italinë fqinje. Ata jetojnë e punojnë atje, por me mendje e zemër janë në vendlindje, të cilën e vizitojnë përherë.

Ndërmjet këtyre emigrantëve ka disa,  që dufin e shpirtit e të zemrës, mallin e pashuar për  Shqipërinë e shprehin në vargje poetikë ose në prozë. Pastaj, librat e tyre  shkojnë në duart e lexuesve tanë, sidomos duke u botuar në shtëpitë botuese të kryeqytetit a në rrethe të ndryshme të vendit.

Ndoshta, u zgjata paksa, por desha të ndalem te një mike poete emigrante, bashkëkrahinase e imja, Albana Ponari, e cila gjen kohën e thurë vargje të bukur. Këtë gjë ajo e dëshmoi dhe me librin e parë poetik, “Larg, m’u tret vështrimi…”(Tiranë, 2016). Dhe ja, sapo ka kauar vetëm një vit dhe ajo paraqitet përsëri para lexuesve tanë, me librin e dytë poetik, “Puthje hyjnore”.  Nuk janë të shumta poezitë e këtij vëllimi. Por ato dallohen për tematikën e tyre të larmishme, shpirtin poetik, që është derdhur në vargje, për gjuhën e pastër e të pasur dhe me ndjeshmëri të lartë etj.

Ndër poezitë, që tërheqn vëmendjen, janë ato, që kjo autore ia kushton Shqipërisë. Me sinqeritetin e saj, si të ishte ajo “fajtore”, shkruan për hallet e padrejtësitë, që ia ndrydhin e përvelojnë shpirtin e ndjeshëm të saj:

M’i fal Atdhe,

ofshamat për dhimbjet

e tua,

 r hallet, padrejtësitë,

që rëndojnë mbi ty

e përvëlojnë mua!?..

Ndërsa poezinë e mbyllë me vargjet, në të cilët tregon se ku e gjen ajo qetësinë shpirtërore, pra te Atdheu, me të cilin krenohet, kudo nëpër botë:.

Ti, nënë bujare dhe e urtë,

që veç te ti mallin shuaj

e kaq shumë të dua dhe, për ty, vuaj!?...

Me këtë tematikë e ka autorja dhe poezinë “Zgjohem në Atdhe!”, ku shprehet se është e gëzuar dhe e lumtur, kur zgjimin e bën në vendlindje:

Nata, ende e re…

Ëndërrat udhëtojnë

mbi krahë shqipesh…

Unë, zgjohem, në Atdhe!…

Duke qenë vetë emigrante, Albana i ndjen thellë të gjitha ato, që përjetojnë bashkatdhetarët e saj:

Emigranti është: 

Gjethe, mbetur pezull,

jo më në pemë

e kurrë në tokë!

I vetmuar, askujt më 

s’i perket;

gjithmonë në nisje,

por kurrë s’arrin 

në vendin e vetë!…

(Poezia “Emigranti”)

Kur ka ardhur për një vizitë të shpejtë në kryeqytetin tonë, në kthim, ajo ka shkruar, plot frymëzim dhe emocione:

Tiranë!

Unë u ktheva te ti,

në zemër kisha mallë

e shume dashuri…

Pastaj, si të tubonte tërë mendimet e emigrantëve shqiptarë, shprehë një premtim zemre:

Do kthehem unë sërish e sërish,

te ti, Tiranë dhe te e bukura Shqipëri! 

Prandaj më duani, siç ju dua

e më prisni, kur të vij;

unë e juaja jam,

pra, mos më mbani “mëri”!…

Por, siç është e kuptueshme, në këtë vëllim të ri, autorja Albana Ponari, gjithashtu, trajton probleme të ndryshme shoqërore dhe të jetës së përditëshme. Kështu, mund të përmendim poezitë: “Puthje hyjnore”, “Jetë”, “Kur bie nata”, “Malli, si zjarri”,”Me ngrohtësi” etj. Por gjejmë dhe poezi për një ndjenjë gjthënjerëzorë, siç është dashuria, për lumturinë që sjell ajo. Në njërën prej tyre,  thotë:

Më pyet nëse jam e lumtur..?!

por ç’është, vallë, lumturia..?!

Një çast dhe ikën,

një shikim, një perqafim,

një puthje e vjedhur,

kur ishim të rinj..

…Të jetosh ështe lumturi!…

(Nga poezia “Lumturia”)

Po me këtë tematikë janë disa poezi të tjera, si: ”Vetëm për një natë”, “Shpirti”, “Vështrimi yt”…

Siç thamë më lart, poeten nuk e lënë  asnjëherë të qetë mendimet e së kaluarës së vetë, në vendlindje. Këto ndjenja i shprehë bukur në poezinë “Kujtimet e jetës sime” ose “Ku kam vrapuar, dikur…”:

Në rrugët, ku kam

vrapuar, dikur,

mungojnë hapat e mi,

mungojnë, zërat, qeshjet, 

zhurmat,

por ndjenjat kanë mbetur aty…

E pashlyer i ka mbetur edhe jeta  shkollore,me edukatorët e parë të saj. Këtë gjë e na e jep te poezia “Mësuesi im i parë”.

Po edhe për këtë poete është e shenjtë familja. Prandaj u shkruan plot ndjenja të shtrenjta fëmijëve të saj:

Nuk më kujtohet,

ç’isha më parë,

më parë se të vinit ju;

por e di, ç’u bëra tani,

tani që në zëmrën time, 

jeni ju…

Në disa poezi të këtij libri, Albana Ponari na jep mesazhe të filozofisë së jetës. Të tilla po përmendim:“Në dijen, që nuk di!?” , “Ku shkoi e kaluara?”, “Mister’ i përhershëm”, “Nuk jam ‘unë’?”, “Metamorfoz’ e vonuar” ose “Muzik’ e pafundësisë”…Ndërsa në një tjetër, si për t’i përmbledhur tëra mendimet e saj,  ajo shkruan:

Një çast

dhe treni ynë kalon;

pas mbetën 

stacione të tëra;

mbetën gjurmët,

fjalët, heshtjet;

mbetën: “ç’isha” e “ç’bëra”…

……………………..

Ndërrojmë stacionet,

 ndërrojmë udhëtimet…

Fishkëllim’ e fundit,

lajmëron rilindjet!…

(Nga poezia “Treni i jetës”)

…Parë në  tërësi, ky vëllim i ri poetik i Albana Ponarit shënon arritje të re, në udhën e krijimtarisë së saj. Prandaj e urojmë dhe e përgezojmë, me dëshirën e shpresën se, në vijimësi,  ajo nuk do të ndalet as në këtë pjesë të “trenit të jetës” së vetë, por do të na dhurojë libra të tjerë, ende më të bukur!

Tiranë, mars 2018

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s