Njeriu e shkenctari, tek akademik Jusuf Bajraktari

Ramiz LUSHAJ

   1.

Një burrë tipik dardan, tërësisht me dritërim, me sojni traditnore, me palcë zyrtari të pjekur, më mikpriti në atë dhjetor 2012 në zyrën e tij të drejtorit të Institutit të Historisë të Kosovës. Ai ishte prof. dr. Jusuf Bajraktari. Malësor i qytetërimit. Shkenctar i historisë së Rilindjes e Bashkëkohësisë Kombëtare Shqiptare. Na priti si “të largët” (kisha shkue nga Tirana në Prishtinë për cështje studimore historike) e na përcolli si të afërt të tij. Më priti si mik i dr. Islam Laukës – ambasador i parë i Shqipërisë në shtetin e ri të Kosovës dhe më përcolli dhe si mikun e tij. Atë ditë, pas pak orësh po e dorëzonte detyrën e tij, vinte drejtori i ri, doktori i shkencave historike Frashër Demaj i Pejës.

Ndoshta, dikush tjetër nuk do të më priste në një ditë të tillë solemne, me ngarkesa pune, emocione gjithfarësh, po jo, ndryshe ndodh me Jusuf Bajraktarin, sepse genet nuk hupin në gjakun e ashtin e burrave të mirë, të tillë.

Prej të mërkures së 5 dhjetorit, prof. dr. Jusuf Bajraktari ishte zgjedh Antar Korrespondent i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (ASHAK). Përndryshe: “Akademik i 100 Vjetorit të Pavarësisë”. Pas katër vitesh zgjidhet Antar i Rregullt i ASHAK. Ndërsa më 21 dhjetor 2017, para katër muajsh, u zgjodh Nënkryetar i ASHAK. Pra: Akademik i kohës së Pavarësisë së Kosovës, në prag të 10-Vjetorit të saj. E, dicka duhet thanë troc: të mos kujtojnë ndokush se Akademia e Shkencave të Kosovës i përnget simotres së saj në Tiranë, përkundrazi është një institucion mirëfilli akademik, me veprimtarim aktiv e lartnor akademik.

 Mbi të gjitha, njeriu dhe shkenca, te dyja sëbashku – prej kaherit e njejtësisht, na kanë dhanë akademikun Jusuf Bajraktari, me gradat e titujt dhe në funksionet e tij në këto institucione shkencore të Kosovës, të kombit shqiptar.

2.

Akademik Jusuf Bajraktari është një nga shembujt e shumtë të tragjedisë së randë së copëtimit të trojeve etnike shqiptare nga Fuqitë e Mëdha.

Ai ka lind më 27 mars 1948, përplot 70 vite ma herët, bash në Qafë të Morinës, në anën e Gjakovës, në kullën e Bajraktarit të Morinës, djali i Haxhi Bajraktarit. Nana e tij është nga Malësia e Gjakovës, nga kulla e Bajraktarit të Krasniqes, djali i Pulë Salihes të Sali Manit të kullës historike të Konferencës së Bujanit.

Kështu, kësisoj, sipas traditës etno-historike të Malësive të Veriut shqiptar (nga Moraça në dy anët e Drinit) Jusuf Bajraktari është dy herë bajraktar: edhe në linjën e gjakut (babës), edhe në linjën e tamblit (nanës).  

 

3.

E veçanta e veprimtarisë shkencore të akademikut Jusuf Bajraktarit është gjeografia e studimeve e referimeve dhe botimeve të tij shkencore, të cilat– veçmas në dekadat e fundit, e shohin kombin shqiptar si një të vetëm në të gjithë shtrirjen e tij ballkanike.

Akademik Jusuf Bajraktari ka shkruar monografinë “Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX (1878-1912)” qyshce më 1985 e më 1998, e cila është një vepër themelí e lartësi e tij shkencore, një model historiografik kombëtar bashkëkohor. Ndërkohë, është bashkautor në një tjetër vepër monografike në proçes botimi, me titull “Gjilani me rrethinë”. Pra, vështrimi i tij historik edhe në këto dy botime, prej nga doktor i shkencave deri në akademik, e rrok një shtrirje gjeo-historike në dy rajone të skajshme të Kosovës, lidh figura e ngjarje edhe përtej kufijve të djehit e të sodit, si në Malësi të Gjakovës në Shqipëri dhe në Luginën shqiptare të Preshevës nën Serbi.

Akademik Jusuf Bajraktari është autor kontributor me disa njësi në veprën enciklopedike “Kosova”– botim i ASHAK (Prishtinë, 2009), ashtu sikurse  dhe në disa zëra në “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”- botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, 2009). Në vitin 2012 ishte autor i disa njësive në disa vepra historike të botuara në Selanik (Greqi), si: “Perandoria Osmane”, “Kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore”,Luftërat Ballkanike“, “Lufta e Dytë Botërore”. Gjithashtu, bashkautor në librat shkollor “Historia” për klasat e dyta e të treta të shkollës së mesme, si në Prishtinë (1996, 1997) dhe në Tiranë (1996, 1997), “Historia” 10, 11, 12 për gjimnazet si në Prishtinë dhe në Dukagjin (Pejë) botuar në v. 2002-’05, etj.

Akademik Jusuf Bajraktari ka mbajtur referate e kumtesa shkencore me interes historiografik kombëtar në akademi e konferenca shkencore, në simpoziume e sesione shkencore, në tryeza shkencore: gjithato herë në mjedise akademike në dy kryeqytetet shqiptare – në Prishtinë dhe në Tiranë; një herë apo ma shpesh në Plavë-Guci e në Tuz, në Gjakovë e Kaçanik, në Pejë e Prizren, në Junik e Mitrovicë, etj.

           

4.

Në veprimtarinë shkencore në disa dekada të akademikut Jusuf Bajraktari vihet re një tematikë me peshë e rrezatim kombëtar, me rrenjëzim e lisnim shkencor, me vlera historike e shoqërore për kombin e breznitë shqiptare.

I veçojmë disa nga kumtimet shkencore që ka mbajtur në Prishtinë , si: “Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për tu inkorporuar në rrjedhat demokratike të Evropës”, “Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë dhe në Jugosllavi në prag të Demonstra­tave të vitit 1981”, “Roli i Kosovës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”, “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në dritën e dokumenteve arkivore” , “Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, për  “Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut 1990”, “Kosova aleate e Koalicionit Antifashist aspiron Bashkimin Evropian”, “Federata Panshqiptare “Vatra” – Një shekull në shërbim të çështjes shqiptare”(1991, 2002, 2010, 2011, 2012) etj. Kumtimet në Tiranë  si: “Çështja e Alfabetit sipas dokumenteve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, “Roli i UÇK-s si aleate ushtarake e NATO-s në Çlirimin e Kosovës” (2009, 2011), etj. Kumtime në veprimtari shkencore kombëtare si: “Kuvendi i Junikut- Promotor i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912” (Junik, 2012); “Trepça, pasuri kombëtare” (Mitrovicë, 2012); “Kryengritja e Malësisë dhe gjendja aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi” (Tuz, 2011”), “Mitrovica gjatë viteve 1944-1999”(Mitrovicë, 2010),  “Kontributi i Plavës e Gucisë në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (Plavë, 2012); “Kryengritja Antiosmane e vitit 1910 në Kosovë” (Kaçanik, 2010), etj.

Akademik Jusuf Bajraktari ka shkruar artikuj e kumtime  shkencore apo kapituj në botime tematike e antalogjike shkencore  për personalitete shqiptare si  për figurën e Skënderbeut në historiografinë e Kosovës (2008);  për dimensionin historik të figurës së Nanë Terezës (2010), për Haxhi Zekë Byberajn (2003);  për Isa Boletinin e Bajram Currin (1998); për Idriz Seferin (2003), për rolin e Qyprilive në Perandorinë Osmane (2009); për Azem Bejten (2004), për  Rrustë Kabashin (2010), për  Fadil Hoxhën (2003, 2007, 2011); për akademikët  Ali Hadri (2009), Fehmi Aganin (2010) e Aleks Buda; për  prof. dr. Zekeria Canën (2009), etj.

.           Akademik Jusuf Bajraktari ka drejtuar ndër vite si kryeredaktor i saj revistën shkencore panshqiptare “Kosova”, një botim kontributor për historiografinë kombëtare, në zhvillimet aktuale shqiptare.

Artikuj shkencor të shumtë ka në shtypin e në botime shkencore të Kosovës e të Shqipërisë. Veçojmë disa prej tyre: “Plenumi i Brioneve dhe jehona e ndikimi i tij në Kosovë”  (1980, me të cilin magjistroi);  “Largpamësia e vendimeve të Konferencës së Bujanit” (1998); Format e gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nëpërmjet aksionit të mbledhjes së armëve (1913-1993), (Prishtinë, 1995); Shpërnguljet me dhunë të shqiptarëve në fund të shekullit XIX, (Prishtinë, 1995); “Aneksimi i Kosovës nga Serbia më 1945” ( Tiranë, 1996) “Sendërtimi i planeve serbe dhe spastrimi etnik në Vilajetin e Kosovës, në Dëbimi i shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës 1877-1995” (Prishtinë, 1997)28 Nëntori i 1912-s, frymëzim për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, (Tiranë, 2007), Çështja shqiptare, protokollet dhe vendimet, (Prishtinë, 2008).Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në historinë e kombit shqiptar” (Prishtinë, 2008, 2009),  “Drenica është metaforë e bashkimit të shqiptarëve” (1998),  etj.

Akademik Jusuf Bajraktari ka publikuar studime monografike, studime shkencore, tekste shkollore, trajtesa, recensione, vështrime e shkrime të tjera në revista shkencore dhe në shtypin e kohës edhe në Maqedoni, Kroaci, SHBA, Europë, etj. Ai ka udhëhequr disa projekte shkencore e hulumtuese nga fusha e historisë, ka marrë pjesë në sesione, simpoziume e konferenca shkencore të organizuara në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Moskë (Rusi), SHBA etj. Ai ka qëndruar për qëllime hulumtuese shkencore në Tiranë, Podgoricë, Beograd, Çetinjë, Sofje etj.

 

5.

Historiani Jusuf Bajraktari nuk njihet e vlerësohet vetëm si akademik. Ai ka një gjysëm shekulli jetë kontributore në fushën e arsimit shqiptar mbarëkombëtar, tue nis si mësues i Ponoshecit në Gjakovë, (1966)- në vendlindjen e tij, dhe në disa shkolla të Prishtinës, në Sekre­tariatin për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës,  si pedagog në universitete të Kosovës e të Shqipërisë.

            Tek akademik Jusuf Bajraktarin gjejmë dhe veprimtarin atdhetar, i cili  në vitet ’90 ka marrë pjesë aktive në lëvizjet shoqërore e demo­kratike për realizimin synimeve politike për çlirim e pavarësi. Për ma tepër e ma mirë, ai ishte dhe deputet në Parlamentin e parë pluralist të Kosovës (1992-1998), ishte pjesë e politikës së Kosovës në zhvillimet për demokraci, liri e pavarësi të Kosovës dardane.

Akademik Jusuf Bajraktari është i vlerësuar me titullin “Anëtar Nderi i Krye­sisë së Federatës  Panshqiptare “Vatra” në Nju Jork (prej 11 prillit 2011) si dhe senator i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë (prej vitit 2016).

Akademik Jusuf Bajraktari i Gjakovës vjen nga një trevë e akademikëve të shquar të Kosovës e të Kombit Shqiptar, si: Ali Hadri, Fehmi Agani, Pajzit Nushi, Ai Podrimja, Esat Stavaleci, Enver Gjergjeku, Musli Mulliqi, Remzi Bakalli (të cilët kanë ndrrue jetë) dhe të sotmit, antarë të rregullt e korrespondent të ASHAK, si Rauf Dhomi, Ekrem Myrtezai, Minir Dushi, Zeqirja Ballata, Luan Mulliqi, Qemal Haxhibeqiri e të tjerë.  Këta akademikë i bajnë nder vendlindjes së tyre, Gjakovës, dhe Kombit të vet.

 

Tiranë, 27 mars 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s