Gani Demir Ratkoceri

Gani Demir Ratkoceri

(ekstrakt nga libri “101 Profile biografike” e akademikut Marenglen Verli) f.350-356

Gani Demir Ratkoceri u lind në fshatin Llugaxhi, komuna e Lipjanit, në Kosovë, më 9 mars 1930 në një familje me tradita kombëtare.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Ferizaj, Prizren e Pejë, ndërsa maturën në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit në vitin 1952-1953.

Po në këtë vit i doli bursa për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik katërvjeçar, dega gjuhë – letërsi, të cilin e përfundoi në vitin 1957.

Veprimtaria arsimore

Në vitin 1947, Gani Ratkoceri, pasi kreu kursin pedagogjik në Prizren, u emërua mësues në fshatin Breznë të Dragashit, ku shërbeu një vit e gjysmë…..

Në semestrin e dytë të vitit 1948-1949, Ganiu shkoi të punojë vullnetarisht në fshatin më malor Plikaj ku hapi shkollën e parë shqipe aty.

Në shtator 1949 transferohet në fshatin Godonc, në një klasë kolektive, me nxënës nga tre fshatra.

Në tetor 1951, Ganiu e kalon kufirin me Shqipërinë. Brenda muajit emërohet mësues në fshatin Drobonik të Beratit.

Në vitin 1957, pasi kreu studimet e larta, u emërua mësues në gjimnazin e mbrëmjes “8 Nëntori” në ish kombinatin e tekstileve Tiranë. Aty drejtoi edhe rrethin letrar. Pasi ajo shkollë u mbyll më 1963, Ganiu kaloi në shkollën e mesme të ndërtimit në ish Qytetin e Nxënësve në Tiranë. Në këtë periudhë ai e ndjen se ishte nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit. Edhe aty ai drejtoi rrethin letrar.

Në vitin 1975 transferohet me punë si mësues në Mirditë, në zona të thella gjithnjë i trajtuar si i internuar, me plot provokime.

Ka punuar me ndershmëri e përkushtim, gjë që iu vlerësua vetëm më 1995 kur iu akordua titulli “Mësues i Popullit”

Veprimtaria kombëtare

Ganiu ka qenë shumë i dhënë pas historisë kombëtare. Që kur ishte student më 1953, ai replikoi me profesorin e historisë, i cili kishte thënë: Kryengritja e përgjithshme e 1912 dështoi sepse Hasan Prishtina e tradhëtoi atë. Ganiu, i prekur, i tha profesorit në korridor: Nuk jam dakord me mendimin tuaj. Sot nuk jam në gjendje t’ju sjell argumenta bindëse, por një ditë do t’i gjej ato. Mund t’ju them se pleqtë në odat e Kosovës, kur përmendet emri i Hasan Prishtinës, luajnë nga vendi, sikur përmendet emri i Perëndisë!”

Atëkohë disa figura të shquara të pavarësisë së Shqipërisë, përmendeshin shkarazi, dhe mbivlerësohej Bajram Curri, me qenëse ai i kishte shkruar “hazretit” Lenin. Ganiu nisi ta studiojë historinë e Kosovës, veçanërisht periudhën 1908-1912 dhe veprimtarinë e Hasan Prishtinës.

Kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik po prisheshin, u krijua një hapësirë më e gjerë për trajtimin më objektiv të historisë kombëtare për periudhën 1959-1967. Ganiu e shfrytëzoi këtë mundësi. Deri atëhere nuk ishte trajtuar sa duhet ndihmesa e jashtëzakonshme e Kosovës për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Shumë të rinj nga Kosova ishin arratisur nga Jugosllavia për në Shqipëri por ata shiheshin me mosbesim dhe për një kohë mbaheshin në tri kampe internimi: Në Llakatund të Vlorës, në Seman të Fierit dhe në Ҫermë të Lushnjës.

Pasi u këshillua me disa intelektualë, Ganiu propozoi t’i shkruhej një letër Komitetit Qendror të PPSH, ose Enver Hoxhës vetë, apo Mehmet Shehut. Por asnjë nuk guxoi ta bëjë këtë. Atëhere Ganiu e shkroi vetë letrën e shkurtër drejtuar Mehmet Shehut, ku i kërkonte takim “jo për çështje personale por kombëtare”. Pas tri ditësh, ai u thirr dhe iu tha se “shoku Mehmet nuk ka kohë t’ju presë, por ju ka dhënë këtë përgjigje: shkruaj për problemin konkretisht”.

Ganiu hartoi letrën me këtë përmbajtje:

  1. Të rinjtë kosovarë të grumbulluar në kampet e filtrimit, pa përjashtim, të kenë mundësi për vijimin e studimeve të larta në universitet, në degët që dëshirojnë, të tjerët të sistemohen me punë dhe shtëpi.
  2. Instituti i Historisë ta ripunojë Historinë Kombëtare në përgjithësi, duke u mbështetur në fakte të vërteta dhe jo në burime serbo-ruse, ku ka trajtime sipas interesave shoviniste të tyre. Sidomos ngjarjet madhore të Lidhjes së Prizerenit, kryengritjet e mëdha 1908-1912, shpallja e pavarësisë. Të mos trajtohen si tradhëtarë në tekstet shkollore të historisë udhëheqësit e kryengritjeve të mëdha. Ata të rehabilitohen sipas ndihmesës që kanë dhënë.
  3. Lidhja e Shkrimtarëve t’i orientojë artistët që të trajtojnë edhe tema nga Kosova e trevat e tjera etnike shqiptare, të paktën për periudhën deri 1912.
  4. Në shtypine përditshëm të shkruhet edhe për Kosovën, si për të kaluarën edhe për të tashmen, nën sundimin jugosllav, sidomos për ngjarjet jubilare dhe figurat kombëtare.
  5. Radio- Tirana të transmetojë këngë popullore edhe nga Kosova e trevat e tjera shqiptare, të paktën ato të rapsodëve popullorë.

Pas dy javësh, Ganiu thirret në Ministrinë e Arsimit dhe pritet nga sekretari Ruhi Bashari. Ky i thotë: kam dijeni për letrën tuaj drejtuar kryeministrit lidhur me problemet e Kosovës. Kryeministri i miraton të gjitha pikat e shtruara në letër dhe ka ngarkuar këtë ministri për zbatimin e tyre, pikërisht ministrin Manush Myftiu.

Ministri e priti Ganiun të nesërmen për tre orë rresht dhe u shqyrtuan kërkesat një për nje.. Kërkesa e parë, sipas ministrit, zgjidhet shpejt. Vërejtjes së Ganiut se shumë të rinj nuk i kanë dëftesat shkollore, ministri i ishte përgjigjur se “do ta zgjidhim edhe pa dëftesat shkollore. Mjafton që studentët të shënojnë karakteristikat personale dhe degën që dëshirojne. Po ju autorizoj juve të shkoni në kampet e filtrimit dhe të shënoni emrat e mbiemrat, duke përpiluar një listë për ministrinë”.

Për pikat e tjera do interesoheshin ministritë dhe dikastert përkatëse. Për çdo pengesë Ganiu duhet të njoftonte sekretarin Ruhi Bashari.

Pas kësaj, Ganiu përpiloi dhe dorëzoi një listë me 150 emra për shkollën e lartë dhe 50 emra për shkollën e mesme. Kërkesa u realizua.

Fatkeqësisht, pas vitit 1970 shumë nga këta të rinj studentë janë arrestuar me motivacionin “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Madje në vitin 1978 u arrestua edhe vetë Ganiu.

Drejtuesit e dikastereve të tjera, ndërkohë, i kishin zbatuar kërkesat e letrës së Ganiut. Më vështirë kishte qenë çështja e historisë së Kosovës, sepse kërkonte studime mbi dokumente.

Drejtori i Institutit të Historisë e thirri Ganiun dhe propozoi mbajtjen e një simpoziumi pas tre javësh. Ganiu ftoi në shtëpi disa profesorë për të diskutuar paraprakisht për figurën e Hasan Prishtinës: Ahmet Latif Gashin, Zekerija Rexhën, Abdurrahim Buzën, Avni Zajmin, Rexhep Shpendin, Rifat Spahiun dhe Ajet Haxhiun.

Simpoziumi u mbajt dhe vijoi dy ditë. U vendos të rishikohet Historia e Kosovës dhe të rehabilitohej figura e Hasan Prishtinës.

Drejtori i Radio- Tiranës Thanas Nano i tha Ganiut se kishte vështirësi për rapsodë nga Kosova. Ganiu i propozoi Dervish Shaqen nga Rrashbulli, të cilin e mbajti dy javë në shtëpi sa të regjistronte këngët në Radio.

Në vitin 1967 Zija Shkodra i thotë Ganiut se një grup bashkëpunëtorësh të Institutit të Historisë (Dhimitër Pilika, ai vetë, Zekeri Rexha, Dilaver Radeshi (kolonel), Begtash Bedo etj) po përgatisin një promemorje për rishikimin e Historisë së Shqipërisë. Ganiu i ftoi në shtëpi, u shkruajt artikulli por atë nuk e botuan. Përkundrazi në Institut shpërthyen fletë-rrufetë (ishte koha e revolucionit kulturor në Kinë), u mbajt një mbledhje urgjente me të dërguar nga KQ i Partisë. Ndonëse u aludua për Ganiun pa ia përmendur emrin, në mbledhje u arrestua Dilaver Radeshi, ndërsa Begtash Bedo më vonë vrau veten. U transferuan disa punonjës si mësues fshati ose punëtorë krahu. Me Ganiun u muar Ministria e Brendëshme, të cilin e këshilluan të mos merrte nisma të tilla herë tjetër…

Burgosja

Me 10 shkurt 1978 Ganiu u arrestua në Kurbnesh për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” sepse për “irredentizëm” nuk kishte ende një ligj. U dënua nëntë vjet por u lirua më 10 maj 1983 dhe mori pafajësinë nga Gjykata e Lartë. Kjo ndodh,i me sa duket, pas demonstratave të 1981 në Kosovë dhe disa dënimeve të udhëheqësve të asaj kohe. Në motivacionin e pafajësisë thuhej se Ganiu ksihte qenë tërë kohën në vëzhgim me urdhër të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut..

Veprimtaria publicistike

Që nga viti 1962, Ganiu nisi të shkruajë artikuj për figurat kombëtare, që nga Lidhja e Prizerenit deri në shpalljen e Pavarësisë 1912. Më 17 nëntor 1962, një gjysëm faqeje gazete i kushtoi figurës së Hasan Prishtinës. Deri atëhere askush nuk kishte guxuar as t’ja përmëndë emrin. Po atë muaj, Ganiu shkroi për Isa Boletinin, Idriz Seferin, Luigj Gurakuqin, Shote Galicën, Bajram Currin, Hasan Budakovën etj. Të gjithë këta atdhëtarë u dekoruan  në atë vit jubilar.

Monografia për Idriz Seferin prej 400 faqesh i mori Ganiut dhjetë vjet punë. E dorëzoi më 1974 në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, u miratua botimi por libri nuk u hodh në shtyp.

Kjo e demoralizoi Ganiun që e ndjente se përndiqej nga Sigurimi dhe e ndërpreu krijimtarinë njëzetë vjet rresht, deri 1995

Më 1996 botoi monografinë për Kryengritjen e Përgjithëshme të 1912, në vitin 2000 monografinë “Idriz Seferi dhe lëvizja në Kosovën Juglindore” dhe pak kohë më pas monografinë “Ballafaqim me jetën”. Në vitin 2003 erdhi monografia për Adem Selimin (Gllavicën) dhe me 2005 monografinë për “Prof Ahmet latif Gashin”. Më 2010 i kushtoi një libër bashkëshortes së ndjerë dhe më 2012 monografinë “100 vjet pavarësi”

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s