Përshtypje udhëtimi

Bardhyl Selimi

Përshtypje udhëtimi (Ferizaj 27-28 mars 2018)

1

Fatmir Ҫerkini

Fatmiri është dekan i Fakultetit të menaxhimit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Gjatë verës së vitit 2016 u takova me të për herë të parë. Ai më shoqëroi në një vizitë në fshatin e gjyshes sime, Fatime Muhaxheri, në Pleshinë. Biseduam miqësisht në shoqërinë edhe të të njohurve të tjerë të përbashkët, sidomos Avni Bikliqit nga Janjeva. Ai dëgjuar që në oda edhe për tim atë, prandaj ishte kureshtar të më takonte. Madje dëshironte të organizonte edhe një intervistë për mua në një televizion vendas.

Më pas, më propozoi që të jepja një ligjëratë në universitetin ku shërbente, për të cilën e falemnderova. Sigurisht, këtë ide e kish jo aq për aftësitë dhe kualifikimet e mia profesionale, se sa për konsideratën për familjen time.

Në vjeshtë kaloi një operacion të vështirë por e mbajtëm lidhjen përmes internetit vazhdimisht.

Mundësia për mbajtjen e ligjëratës u krijua në fund të marsit të këtij viti. E vlerësova shumë edhe faktin që gjithçka për të Fatmiri e kishte bashkërenditur edhe me rektorin, z. Agron Bajraktarin. Një marrëdhënie ndërkolegësh e adhurueshme vërtet!

Më priti në mbrëmje vonë me 27 mars në stacionin e autobuzave të Prishtinës dhe më shoqëroi me veturën e vet. Ndalëm në Lipjan ku na priste tashmë miku i vjetër i përbashkët, z. Avni Bikliqi. Në restorantin e një supermarketi të hapur rishtazi atje, ndenjëm rreth dy orë duke biseduar dhe darkuar.

Mësova për jetën e tij, për familjen e gjerë, për bashkëshorten dhe fëmijët. Që student, më 1980 kishte mundur ta vizitonte Shqipërinë nga ku ishte larguar me përshtypje shumë të mira të cilat i kish hedhur në një bllok, por që ia kish lënë shoqëruesit nga Shqipëria nga droja se mos ja merrnin agjentët e UDB në kufi. Atë kohë kishin filluar të vizitonin Shqipërinë edhe grupe arsimtarësh e studentësh, të etur për ta parë “atdheun mëmë”.

Natyrisht, këto grupe ishin rreptësisht të përcjellë dhe të informuar ashtu sikurse i interesonte propagandës komuniste, prandaj unë i kujtova shënimet që kish marrë një vit më vonë një miku im francez, ardhur në Shqipëri më 2006. Robert Pontnau nga Tuluza kishte mundur të hynte në një grup të zgjedhur “miqsh” të Shqipërisë Socialiste dhe të shihte, më shumë fshehurazi, shumë gjera me syrin e një gazetari të paanshëm. Këto shënime i kishte botuar atëhere. Unë iu luta të m’i sillte dhe i përktheva në shqip. Një kopje ia përcolla më vonë edhe vetë Fatmirit..

Vonë natën ai më përcolli për në hotel në Ferizaj ku gjithashtu kishte paguar ai vetë! U largua vetëm pasi u sigurua që në dhomë gjithçka ishte në rregull.

Bujaria, modestia dhe sjellja vëllazërore e prof. Fatmirit më ngrohu jashtëzakonisht.

Të nesërmen, ai erdhi sërish në hotel dhe më shoqëroi për në universitet ku më “dorëzoi” te rektori, z. Agron Bajraktari, duke qendruar tërë kohën pranë për çdo ndihmë. Por atë ditë pata shumë pak mundësi të vijoja bisedat me të. Shpresoj që do ta takoj përsëri qoftë edhe në Tiranë.

2

Agron Bajraktari

Në faqen në internet të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj thuhej se Agroni ka studjuar për Ingjinieri Druri në Universitetin Bujqësor të Tiranës! Aty edhe ishte doktoruar! Por më pas mësova që ai kishte edhe shumë kualifikime të tjera, edhe para një muaji kish mbrojtur një tezë shkencore në Portugali!

Me moshë vetëm 44 vjeç (i mbush me 13 maj), me prejardhje nga Drenica, një fshat vetëm 2 km larg Prekazit të Jasharajve, me një histori familiare tepër heroike dhe tragjike (serbët i kanë vrarë stërgjyshin, por edhe gjyshin me dy vëllezër të gjyshit, madje as varret e tyre nuk dihen ende!), Agroni ka ngritur me forcat e veta një karrierë të shkëlqyeshme. Që 16 vjet, ai po e drejton këtë universitet, i cili e ka zanafillën që në vitin 1976! Por duhet ta shohësh vetë tani për ta kuptuar se sa përparim është shënuar në të. Kur u licensua më 2015, sërish, kishte vetëm 132 studentë ndërsa tani rreth 1800! Edhe ndërtesa është e re, edhe mjediset brenda saj janë moderne, por mbi të gjitha ecuria, drejtimi, marrëdhëniet me biznesin vendas e më gjerë, bashkëpunimi me jashtë, e kanë bërë këtë institucion shtetëror të arsimit të lartë jo vetëm gjithnjë e më të lakmueshëm për studentët, por edhe me shumë ndikim në qytetin e Ferizajt.

I jam shumë mirënjohës profesor Agronit që më kushtoi disa orë jo vetëm duke marrë pjesë në ligjëratën time para studentëve dhe pedagogëve (me temë nga matematika) por edhe duke më shoqëruar nga një mjedis në tjetrin të universitetit, duke treguar për historinë, marrëdhëniet me studentët, kolegët, biznesin, planet për modernizimin e mëtutjeshëm të tij.

Në një bisedë të hapur me një grup vizitorësh që më shoqëronin ai zbërtheu më imtësisht sfidat që kishte kaluar bashkërisht me kolegët për ta rritur universitetin, ku ai përshfaqte tërë pasionin e vet, për të bindur autoritetet shtetërore për nevojat e tij, për të hapur horizonte të reja për studime e hulumtime.

Një miku im koleg, z. Adem Tasholli, e luti të tregonte përse kishte studiuar pikërisht për pylltari.

Me durim dhe bindëshëm, z. Agron shpjegoi që rreth 44 % e sipërfaqes së Kosovës është e mbuluar nga pyje, nga ah, bung, qarr etj shumë të vlefshëm për industrinë e drurit pasi janë pemë që kërkojnë një kohë të gjatë rritjeje. Por, mjerisht, ne e përdorim qarrin për djegie, duke e blerë me rreth 35 euro metrin kub. Rreth dyfishi i kësaj vlere do mjaftonte për përpunimin e mëtutjeshëm të drurit. Ndërkohë sllovenët na i shesin mobiljet me lëndë qarrin rreth 600 euro! Përse mos ta bëjmë vetë ne këtë?

Ai shtoi se së shpejti do përurohet në mjediset e universitetit një laborator modern i drurit, i cili, ndër të tjera, do bënte edhe analizat e cilësisë për drunjtë që përdorin ndërmarrjet e ndryshme të industrisë së drurit. Ja një burim shtesë të ardhurash për universitetin por edhe fushë hulumtimi shkencor. A nuk është ajo që ndodh në universitetet perëndimore?

Basri Demiri, ish kryeinspektor në Ministrinë e Arsimit, u interesua për bibliotekën dhe rëndësinë e saj për studentët. Rektori sqaroi që e kemi bibliotekën e cila tani shërben më shumë në formën dixhitale, pasi këtë formë leximi e parapëlqejnë më shumë studentët.

Duke u mahnitur nga pastërtia dhe rregulli, si dhe pamja estetike kudo në universitet, të pranishmit dëgjuan se kjo është edhe falë aktivizimit të vetë studentëve në mirëmbajtjen dhe pajisjen e auditoreve, koridoreve, kthinave dhe sallave të ndryshme me punime druri, më zbukurime, vizatime dhe orendi, sipas idesë që shkolla është e tyre! Ja një hollësi domethënëse: banjot janë jo vetëm të pastra por e të mirëmbajtura! (Mos u çuditni, nuk ndodh kjo në shumicën e shkollave tona, sidomos atyre shtetërore).

Edhe shërbimi në sekretari ishte shembullor. Unë pres cilindo student, për çfarëdo problemi që ai ka. Dhe jo vetëm unë, edhe kolegët e mij drejtues. Duhet të jemi plotësisht bashkëpunues.

Shikoni, theksoi z. Agron, universitetet kanë qenë gjithnjë pishtarë të qytetërimit. Sa ka ndryshuar Tetova nga koha kur nuk e kishte universitetin. Edhe gratë atje dikur të ndrojtura, me shami, sot janë çelur, janë dritësuar. Universiteti përçon jo vetëm dituri por edhe dinamizëm, përparim shoqëror. E njëjta po ndodh në Ferizaj, që është tashmë jo vetëm një qendër industriale ku prodhohet gjithçka, por edhe kulturore.

Rektorati ka kërkuar nga Këshilli Komunal i Ferizaj që ta emërtojë universitetin me emrin e Gjon Serreqit, këtij veprimtari të shquar në arsim dhe luftën për liri, pushkatuar nga sllavokomunistët më 31 gusht 1947.

Bisedën e vijuam edhe në drekën që shtroi për gati dhjetë mysafirë në hotelin Orchidea në qendër të qytetit. Aty u shkëmbyen mendime për problemet politike që kalon Kosova por edhe për historinë e saj. Me horizontin e vet të gjerë shkencor- kulturor, me modestinë imponuese e të natyrshme, ky bir i Drenicës heroike më la mbresa të pashlyeshme!

, 30 mars 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s