Rrobaqepësi i kënaqur

DY RRËFENJA ANONIME EVROPIANE ME RROBAQEPËS

Bajram Karabolli

RROBAQEPËSI I KËNAQUR

Një fshat bregdetar kishte një rrobaqepës të gëzuar, i cili tërë ditën qepte rroba dhe këndonte. Ishte njeriu më i kënaqur dhe më i gëzuar në atë fshat. Edhe banorët e tjerë të fshatit kënaqeshin dhe ndjeheshin të gëzuar, duke dëgjuar këngët ngazëlluese të tij.

Mendonin se ishte punëtori më i kënaqur i vendit, përderisa këndonte çdo ditë. Madje edhe në dimrat e egër, kur binte dëborë e bënte acar, ai nuk pushonte së kënduari.

Mbi rrobaqepësinë e tij banonte një bankier i pasur. Ky bankieri habitej me gëzimin e rrobaqepësit dhe e admironte që, me gjithë vobektësinë e tij, ai ishte aq i kënaqur e i lumtur sa nuk e pushonte kurrë këngën.

Një ditë bankieri shkon në bankën e tij dhe nxjerr andej një sasi paresh, i fut në një qeskë të kaltër dhe i merr me vete. Kur vjen në shtëpi, kthehet te rrobaqepësi dhe i thotë:

– Miku im, dua të të pyes: A fiton shumë para në vit?
– Fitoj aq pak, zotëri, sa më vjen turp t’ju tregoj juve si bankier. Ama, paret që të japin bukë sot dhe të premtojnë një ditë të re duhet t’i falënderosh.
Thjeshtësia e rrobaqepësit dhe buzëqeshja e tij e prekën bankierin dhe nxori qeskën me pare e ia dha, duke i thënë:
– Të lumtë, rrobaqepës! Na merri këto pare dhe ruaji se do të të nevojiten.
Rrobaqepësi i mori paret dhe e falënderoi me gjithë zemër. Qysh në atë moment ai besoi se, pa pritur, u bë njeriu më i pasur në botë. I ormisi paret dhe mendoi të mos punonte nja tre muaj, me që kishte pare mjaft.

Të nesërmen nuk u dëgjua më kënga e tij. Edhe banorëve të fshatit u hipi një mërzitje dhe mbetën të heshtur. Tashmë dukej sikur gjithë fshatin e kishte pllakosur trishtimi.

Rrobaqepësi, jo vetëm e humbi gëzimin dhe këngën, por e pushtoi një frikë e madhe se dikush mund t’i vidhte paret. Tërë natën shikonte ëndrra të frikshme. Tani mendonte se sa pare do të harxhonte çdo ditë, çfarë do të blinte me to dhe si duhet t’i kursente ato sa më shumë. Pra, nuk humbi vetëm gëzimin, por edhe qetësinë. Shqetësimet u bënë shokët më besnikë për rrobaqepësin.

Dhe një ditë, shumë më përpara se të mbusheshin tre muajt e pushimit që kishte vendosur të bënte, mori qeskën me pare dhe shkoi te bankieri:
– Të falënderoj pa masë për paret që më dhe, por urdhëro e merri përsëri. Qysh kur mora këto pare shtëpinë time e pllakosi shqetësimi, frika dhe mërzia. Dua që të më kthehet përsëri qetësia, gëzimi dhe lumturia.

DY RROBAQEPËSIT

Dy rrobaqepës, për vite të tëra, punonin përballë njëri-tjetrit. Prisnin e qepnin rroba pa u lodhur, ndërkohë që, herë pas here, edhe bisedonin me njëri-tjetrin, për gjëra të ndryshme.

Një ditë, njëri i tha tjetrit:
– A do të shkosh për pushime, këtë vit?
– Jo, – u përgjigj i dyti, pasi u mendua një çast.
Pastaj, heshtën dhe iu kthyen punës. Pak më vonë, rrobaqepësi i dytë, papritur, tha:
– Para njëzet vjetësh, kam qenë me pushime.
– Ke njëzet vjet që ke qenë me pushime? – pyeti i pari, tejet i habitur.
– Po, – u përgjigj, qetësisht, i dyti.
Atëherë, rrobaqepësi i parë, i cili nuk mbante mend që shoku i tij të kishte munguar në punë, i tha:
– Ku shkove me pushime?
– Në Indi.
– Në Indi?!
– Po. Shkova për të gjuajtur tigrin e Bengalit.
– Ti, shkove për të gjuajtur tigrin e famshëm të Bengalit?!

Që të dy e lanë punën dhe po shikonin njëri-tjetrin. Rrobaqepësi i dytë, që dukej shumë i qetë, e mori përsëri fjalën dhe tregoi si më poshtë:
– Një ditë, mbi një elefant madhështor, të cilin ma kishte dhënë hua një princ i vendit, u nisa për gjah. I armatosur me katër pushkë me qyta prej argjendi dhe i shoqëruar nga një shpurë vendasish që u binin tamtameve, iu ngjita të vetmit mal që kishte gjithë provinca. Nuk kisha bërë shumë rrugë, kur, befas, na del përpara një tigër shumë i madh. Ishte tigri i famshëm i Bengalit, megjithatë, kurrë nuk kisha parë tigër aq të madh dhe aq të frikshëm në gjithë zonën e Bengalit. Tigri, në shenjë kërcënimi, ngriti krifën dhe nisi të hungërinte aq fort sa të kallte datën.. Elefanti, i tmerruar, u tërhoq mbrapsht me forcë unë rashë mbi disa shkurre plot gjemba të gjatë e therës. Atëherë, tigri m’u hodh sipër, më shqeu e më hëngri.
– Të hëngri?! – tha rrobaqepësi i parë që po e dëgjonte i habitur.
– Po, më hëngri. Më gëlltiti të gjithin… Deri te copa më e fundit.
– Ore, çfarë po më thua…? Si të paska ngrënë tigri, kur ti je i gjallë? Ja ku po jeton ende!
Atëherë, rrobaqepësi i dytë mori gjilpërën me fill dhe duke vazhduar punën, gjithmonë i qetë, i thotë të parit:
– Pse jetë e quan ti këtë?

I zgjodhi dhe i solli në shqip Bajram Karaboll

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s